Në Gjilan hapet ekspozita e skulpturave monumentale

Gjilani

Në Gjilan hapet ekspozita e skulpturave monumentale

Më: 5 mars 2021 Në ora: 13:56
Ekspozita

Në Gjilan është hapur të premten ekspozita e skulpturave monumentale, të propozuara nga artistët nga Kosova, Shqipëria e Maqedonia e Veriut.

“Gjilani i kthehet monumenteve artistike sipas karakteristikave që i ka. Duke qenë qytet i paqes i dekoruar nga Parlamenti Europian me diplomën e paqes dhe tolerancës, ne do ta vendosim simbolin e paqes, jemi qytet i bashkatdhetarëve dhe nuk mund të mos e kemi monumentin e tyre, pastaj simboli i Heroinës së Qytetit etj”, tha në hapje të ekspozitës kreu i Gjilanit, Lutfi Haziri.

Me këtë rast, Haziri tha se do të vazhdojmë të punojnë e ndërtojnë veprat monumentale në kujtim të heronjve dhe dëshmorëve sepse ata na mësuan se si fitohet liria.

“Me rastin e shënimit të 23-vjetorit tri ditëve të bardha të kryengritjes së familjes Jashari, ne në Gjilan tradicionalisht organizojmë aktivitete kulturore e përkujtimore. Qytetarët e Gjilanit e Anamoravës historikisht ishin në rreshtin e madh të kryengritësve për lirinë e shqiptarëve. Këtë vit do ta kthejmë Kadri Zekën në bronz, do të vazhdojmë me Ramiz Cërnicën, sikur që do të vendosen bustet e nacionalçlirimtarëve dhe nacionaldemokratëve. Ne në Gjilan do të vazhdojmë të punojmë e ndërtojmë veprat tona në kujtim të heronjve dhe dëshmorëve sepse ata na mësuan se si fitohet liria”, shtoi Haziri.

Më pas, Haziri ka pritur në takim artistët e trevave shqiptare, duke i vlerësuar të jashtëzakonshme vepra artistike.

Ndërkohë, Drejtoresha e Kulturës, Deniza Limani, tha se është shumë e kënaqur me propozimet e artistëve, të cilat do t’i vlerësojë komisioni profesional.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 12 mars dhe artdashësit do të kenë mundësinë t’i paraqesin impresionet në librin e mendimeve, në galerinë e qytetit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat