Shkon në 160 numri i shtëpive të ndërtuara për familjet në nevojë

Gjilani

Shkon në 160 numri i shtëpive të ndërtuara për familjet në nevojë

Më: 19 qershor 2021 Në ora: 12:27
Inaugurohet shtëpia e Rexhep Kqikut

Është inauguruar shtëpia për familjen pesë anëtarëshe të Rexhep Kqikut në Lagjen e Vishnjeve, në Gjilan.

Pas ceremonisë së inaugurimit, nënkryetari i Komunës, Arbër Ismajli, i cili ka folur në emër të kryetarit Haziri, tha se ndjehet i lumtur dhe falënderues ndaj donatorëve që në afat rekord ë bën me kulm mbi kohë familjen Kqiku.

“Me nismën dhe kontributin e jashtëzakonshëm investiv të Jakup Shabani dhe Gazmend Shabani, është bërë përurimi i shtëpisë së re të Rexhep Kqiku, ku me humanizmin e jashtëzakonshëm, kjo familje u bë me kulm mbi kokë. Po ashtu, ka qenë një mobilizim i jashtëzakonshëm i vullnetmirëve për ta përfunduar këtë punë. Me angazhim e mobilizim të njerëzve të mirë u arrit një nga momentet më të rëndësishme për familjen Kqiku”, ka thënë Ismajli, i cili ka falënderuar edhe disa donatorë të tjerë.

“Një falënderim i jashtëzakonshëm shkon edhe për donatorët tjerë, siç janë: Avdi Sadiku nga Shtimja i cili u përkujdes për të gjithë fasadën e shtëpisë, Edmond Shkodra, me zemrën e tij të madhe i cili u përkujdes për dritaret e shtëpisë, Besart Abazi nga Shtimja i cili kontribuoi me 1000 franga zvicerane, Dardan Osmani nga Lipjani me 200 franga, Shefqet Isufi i cili u përkujdes për laminatin e shtëpisë, mulla Xhemush Biçku nga Kamenica i cili u përkujdes për rregullimin e banjove dhe hapjen e bunarit, Ejup Ajvazi nga Gjilani, i cili kontribuoi me 2045 euro, si dhe kompaninë “Biti Com” e cila u përkujdes për një pjesë të materialit. Përkujdesja e punëve të shtëpisë ka qenë nën mbikëqyrjen e Armend Shabanit, i cili parreshtur u angazhua maksimalisht në finalizimin e këtij rezultati”, ka thënë nënkryetari Ismajli.

Në emër të familjes Shabani ka folur Milaimi, i cili tha se ndjehet mirë që kjo familje u bë me kulm mbi kokë, derisa falënderues për ndërtimin e shtëpisë është shprehur edhe kryefamiljari, Rexhep Kqiku.

Në fund, nënkryetari Ismajli ka bërë të ditur që ndërtimi i kësaj shtëpie e kalon shifrën 160 që është ndërtuar në Gjilan brenda gjashtë vjetësh për familjet në nevojë, pas iniciativës së kryetarit Lutfi Haziri, në mbrëmjen e parë humanitare “Pak nga ne, shumë për ata”, në tetorin e vitit 2014.

Përndryshe, gurthemeli i kësaj shtëpie është vënë më 9 tetor të vitit 2020.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat