Haziri falënderon Ambasadën Britanike për mbështetjen e projektit “të heshtur dhe të harruar”

Gjilani

Haziri falënderon Ambasadën Britanike për mbështetjen e projektit “të heshtur dhe të harruar”

Më: 29 qershor 2021 Në ora: 17:37
Pamje nga vendi i ngjarjes

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri dhe zëvendës ambasadori i Ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar në Prishtinë, Jacob Webber, kanë vizituar sot organizatën që trajton personat me nevoja të veçanta Handikos,, konkretisht Shoqatën e të Verbërve, ku është duke u bërë mësimi i gjuhës së shenjave për fëmijët dhe prindërit që nuk e kanë të zhvilluar shqisën e të dëgjuarit.

Kryetari Haziri ka falënderuar ambasadën Britanike në Kosovë për mbështetjen e vazhdueshme dhe njëkohësisht ka potencuar se përkundër që një numër i qytetarëve nuk e kanë shqisën e të dëgjuarit, ata janë të vyeshëm në shoqëri dhe të barabartë do të trajtohen gjithmonë.

“Faleminderit Ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar për mbështetjen dhe investimin që e bëjnë përmes projekteve të ndryshme në Gjilan. Projekti “të heshtur dhe të harruar”, që është duke u realizuar sot, flet për komunitetin që duhet të involvohen, prindërit, mësimdhënësit, punëtorët e shtetit dhe të gjithë neve, për të mësuar gjuhën e shenjave dhe të komunikojmë së bashku. Po punojmë për të krijuar barazi në shkollim, punësim dhe në jetë. Ky objekt në vitin 2007 është ndërtuar nga qeveria e Britanisë së Madhe, në të cilin janë të gjitha shoqatat që trajtojnë problemin e qytetarëve me nevoja të veçanta”, ka thënë kryetari Lutfi Haziri.

Jacob Webber, ambasador i Britanisë së Madhe, në Kosovë, ka thënë se kanë mbështetur këtë projekt për të ndihmuar komunikimin përmes mësimit të gjuhës së shenjave, që është mundësi e mirë që përkundër që nuk mund të flasin e dëgjojnë ata të komunikojnë dhe ta ndjejnë veten të rëndësishëm në shoqëri.

“Ne kemi mbështetur këtë projekt dhe besojmë shumë që me angazhimin e përbashkët me nivelin lokal edhe në të ardhmen do të jemi pranë këtij komuniteti që vërtetë nuk është i harruar, por është këtu me ne dhe po punojmë që të mos e ndiejnë veten të heshtur”, tha, ndër të tjeras, ambasadori Webber, gjatë prezantimit të projektit.

Në fund, Fatmir Shurdhani, menaxher i qendrës së Handikos-it, tha se më 3 dhjetor të vitit 2020, së bashku me kryetarin e Komunës së Gjilanit kanë vendosur që viti 2021 të jetë vit i personave me nevoja të veçanta, nën sloganin “Mundësi të barabarta për të gjithë”, duke shtuar se projekti i sotëm dhe disa të tjerë në vazhdimësi, po e dëshmojnë këtë, për angazhim të përbashkët dhe të mbarë në mbështetje të kësaj kategorie.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat