Haziri pret në takim myftiun Tërnava, bisedojnë pë​r bashkëpunimin në projekte të përbashkëta

Gjilani

Haziri pret në takim myftiun Tërnava, bisedojnë pë​r bashkëpunimin në projekte të përbashkëta

Më: 7 korrik 2021 Në ora: 18:27
Pamje nga takimi

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka pritur në takim pune myftiun e Republikës së Kosovës, Naim Tërrnava, me të cilin kanë konfirmuar bashkëpunimin maksimal në shërbim të komunitetit mysliman, ruajtjen e tolerancës fetare dhe promovimin e saj, sikurse edhe përgatitjen përfundimtare për ndërtimin e objektit të ri të Bashkësisë Islame në Gjilan.

Kryetari i Komunës, Lutfi Haziri, ka falënderuar Bashkësinë Islame në dy nivelet që vazhdimisht edhe në momentet më të vështira të përballjes me pandeminë globale Covid-19, ka qenë në mbështetje të qytetarëve dhe në respektimin maksimal të masave mbrojtëse sipas udhëzimeve dhe protokollit të shtetit.

“Jemi vazhdimisht së bashku në të gjitha programet e përbashkëta komunitare. Ishte angazhimi maksimal në luftë kundër pandemisë Covid-19, solidaritet të vazhdueshëm dhe kujdes ditor të përbashkët, në infrastrukturë dhe në nevoja të qytetarëve tanë, që lidhen me besimtarët dhe të gjithë atyre që kemi nevojë t’u shërbejmë sot. Të gjithë jemi besimtarë dhe lidhemi për angazhimet tona të përditshme në shërbim të qytetarëve. Unë jam falënderues për mbështetje që Bashkësia Islame ka dhënë gjithmonë për rastet sociale dhe familjet në nevojë që edhe sofra e tyre të jetë plot dhe askush të mos e ketë brengë bukën e gojës. Së bashku në të gjitha festat dhe në të gjitha aktivitetet janë barazuar të gjithë dhe sofra e secilit ka qenë plot, ashtu sikur që jemi të barabartë para Zotit”, ka thënë kryetari Haziri.

Ai më tej ka theksuar se “takimi i sotëm ishte specifik, në fokus ishte medreseja e mesme në Gjilan, e cila është njëra nga shkollat e mira. Komuna e Gjilanit është mbështetëse e kërkesës në bazë të ligjit dhe kërkesës së Ministrisë së Arsimit për definimin përfundimtar të statusit të medresesë. Komuna është e gatshme t’i përmbushë këto kërkesa. Po ashtu, Kuvendi I Komunës së Gjilanit ka ndarë tokën në zonën e parë urbane, në kuadër të rigjenerimit urban, për ndërtimin e objektit të Bashkësisë Islame të Gjilanit, e cila është në fazën finale dhe pritet fillimi i realizimit të saj”.

Kryetari i Bashkësisë Islame të Republikës së Kosovës, Naim Tërnava, ka falënderuar kryetarin Haziri për mbështetjen e vazhdueshme dhe shembullore, ndaj çdo kërkese që është drejtuar në drejtim të Komunës.

“Gjilani është një shembull dhe model i mirë që mund ta ndjekin edhe të tjerët. Gjithmonë kemi hasur në mbështetje të Komunës së Gjilanit për çdo kërkesë që Bashkësia Islame i ka drejtuar. BIK është gjithmonë gati që të ofroj bashkëpunimin në çdo fushë dhe në çdo segment që kërkohet në shërbim të qytetarëve dhe besimtarëve në veçanti”, ka thënë mes tjerash myftiu Tërrnava.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat