Komuna e Gjilanit fillon ciklin e dëgjimeve buxhetore

Gjilani

Komuna e Gjilanit fillon ciklin e dëgjimeve buxhetore

Më: 24 gusht 2021 Në ora: 16:37
Pamje nga takimi

Komuna e Gjilanit ka filluar ciklin e dëgjimeve buxhetore, për t`i marrë kërkesat e qytetarëve nëpër lokalitete dhe për të përpiluar bashkërisht listën e prioriteteve për investime gjatë vitit 2022.

Dy takimet e para janë mbajtur në Përlepnicë dhe Dobërçan ku kanë dominuar kërkesat për infrastrukturë.

Shpresa Kurteshi Emini, kryesuese e Kuvendit Komunal, ka thënë se me vëmendje janë dëgjuar dhe evidentuar të gjitha kërkesat e qytetarëve dhe kësisoj do të vazhdohet edhe në lokalitetet tjera, ku janë planifikuar dëgjime buxhetore.

Përlepnica ka kërkuar rregullimin e shtratit të lumit, një sallë sportive dhe projekte të tjera, kurse Dobërçani ka nevojë për infrastrukturë rrugore në fshat, kanalizim dhe investime të tjera.

“Ne jemi duke bërë përpjekje maksimale si Komunë që buxhetin ta shpërndajmë në mënyrë të balancuar, duke u dhënë përparësi projekte madhore, të cilat e përmirësojnë jetën e qytetarëve, si në fshatra, ashtu edhe në qytet”, ka thënë Kurteshi-Emini.

Përndryshe, cikli i dëgjimeve buxhetore vazhdon sonte në Zhegër e Malishevë, për të vijuar tutje, përfshirë edhe takimet me gra, me rini dhe me komunitete.

Komuna e Gjilanit nuk projekton asgjë pa konsultime paraprake me qytetarin, i cili i njeh dhe i ndjen më së miri nevojat e lokalitetit ku jeton, ka thënë Shpresa Kurteshi-Emini.

Dëgjimet buxhetore organizohen nga Komiteti për Politikë dhe Financa.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat