Haziri: Nga e hëna, gjilanasit mund të vaksinohen kundër COVID-19 te QMF Dardania

Gjilani

Haziri: Nga e hëna, gjilanasit mund të vaksinohen kundër COVID-19 te QMF Dardania

Më: 21 tetor 2021 Në ora: 15:44
Qendra e Vaksinimit

Komuna e Gjilanit njofton qytetarët se nga e hëna bëhet zhvendosja e shërbimit të vaksinimit nga palestra e sporteve “Bashkim Selishta – Petriti”, në Qendrën e Mjekësisë Familjare Dardania.

Kërkesa e kamotshme e Komunës së Gjilanit drejtuar Ministrisë së Shëndetësisë për lirimin e hapësirave për klubet sportive u konfirmua sot pas takimit të zhvilluar të Komitetit të Gjilanit kundër përhapjes së COVID-19 me delegacionin e MSh-së, të udhëhequr nga sekretari permanent, Naim Bardiqi.

Kryetari i Komunës, Lutfi Haziri, ka falënderuar delegacionin e Ministrisë për bashkëpunimin e vazhdueshëm me Komunës së Gjilanit, në të mirë të ruajtjes së shëndetit publik.

“Zhvendosja e shërbimeve të vaksinimit kundër COVID-19 nga palestra e sporteve te QMF Dardania është lajm shumë i mirë. Kjo ka qenë kërkesë e jona e kamotshme për lirimin e hapësirave për klubet sportive dhe jam shumë i lumtur për këtë. Komuna e Gjilanit do të vazhdojë ta bëjë maksimumin për ruajtjen e shëndetit publik dhe apeloj qytetarët që të vazhdojnë të vaksinohen në hapësirat e Qendrës së Mjekësisë Familjare Dardania”, ka thënë kryetari Haziri.

Gjendja e përgjithshme në Gjilan prej fillimit të pandemisë është si vijon: nga 27626 mostra, 9838 qytetarë kanë rezultuar pozitivë, 9619 janë shëruar, 200 persona e kanë humbur betejën, 19 raste janë aktive, 82264 deri tani janë vaksinuar, të hospitalizuar janë 4 pacientë, ndërkaq 17 mostra janë në pritje për rezultat.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat