Mblodhi para duke gënjyer se e ka vëllain e sëmurë, kërkohet paraburgim për 31-vjeçarin gjilanas

Gjilani

Mblodhi para duke gënjyer se e ka vëllain e sëmurë, kërkohet paraburgim për 31-vjeçarin gjilanas

Më: 22 shkurt 2023 Në ora: 12:31
Foto ilustrim

Dje është arrestuar një 31-vjeçar, pasi dyshohet se ka arritur të përvetësojë 18 mijë euro përmes mashtrimit. I dyshuari kishte kërkuar para kinse vëllai i tij është sëmurë dhe ka nevojë për shërim jashtë vendit. Ndaj B.K., Prokuroria në Gjilan do të kërkojë caktimin e masës së paraburgimit.

B.K. në tetor të vitit të kaluar kishte nisur të kërkojë para për vëllain e tij, që pretendonte se është i sëmurë. Mirëpo, ai deri dje nuk ra në prangat e Policisë. Por gjatë kohës sa ai kërkonte para për vëllain, kishte arritur të mbledhë 18 mijë euro.

Për këtë rast, Policia ka njoftuar përmes raportit 24-orësh.

“Gjilan, 23.10.2022 – 08:40.  Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar nën dyshimin se përmes rrjeteve sociale ka përdorur emra të rrejshëm nën pretendimet se kanë probleme shëndetësore dhe kërkohet shërim jashtë vendit, duke kërkuar ndihmë financiare. I dyshuari ka arritur që t’i përvetësoj rreth 18,000 (tetëmbëdhjetë mijë) €. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në raport.

Për të dyshuarin, Prokuroria Themelore në Gjilan do të kërkojë caktimin e masës së paraburgimit. Këtë e konfirmoi zëdhënësja e Prokurorisë, Liridona Xheladini.

“Ju njoftojmë se për këtë rast Prokuroria Themelore në Gjilan, ka ndaluar të pandehurin B.K., në kohëzgjatje prej 48 orëve, për shkak të dyshimit se ka kryer veprën penale ‘’Mashtrimi’’, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Prokuroria Themelore në Gjilan, brenda afatit ligjor ndaj të njëjtit do të kërkojë caktimin e masës së paraburgimit nga Gjykata Themelore në Gjilan”, tha Xheladini.

Sa mund të dënohet ai?

Sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, personi që paraqet fakte të rreme ose i fsheh ato, në mënyrë që të përfitojë dobi pasurore për veten ose dikë tjetër e i shkakton dëme dikujt, atëherë mund të dënohet me gjobë ose me burgim prej 3 deri në 5 vjet.

“Përveç siç parashihet në nenin 324 të këtij Kodi, kushdo që me anë të paraqitjes së rreme të fakteve apo duke fshehur faktet ose në çfarëdo mënyre tjetër mashtruese dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për veten apo personin tjetër, ose për t’i shkaktuar dëm material personit tjetër, e mashtron apo vazhdon lajthimin e personit tjetër dhe me këtë e nxit një person që të kryej apo të mos kryej një veprim, i cili rezulton në dëm material të pasurisë së tij/saj apo të pasurisë së personit tjetër ose rezulton në dobi pasurore të kundërligjshme, për veten apo personin tjetër, dënohet me gjobë dhe me burgim prej tre (3) muaj deri në pesë (5) vjet.”

Disa nga personat që 31-vjeçari arriti t’i mashtrojë janë disa nga VIP-at e Tik Tok-ut, si Vali Corleone, Fero, Rasimi e Donzi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat