Sulmoi fizikisht bashkëshorten, një muaj paraburgim për të dyshuarin

Kronikë e zezë

Sulmoi fizikisht bashkëshorten, një muaj paraburgim për të dyshuarin

Më: 5 mars 2021 Në ora: 11:31
Ilustrim

Gjykata Themelore në Prizren ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Prizrenit, për caktimin e masës së paraburgimit, ndaj të pandehurit F.B., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale lëndimi i lehtë trupor dhe shkelja e urdhrave mbrojtës.

Gjykata nëpërmjet një njofitmi, thotë se me rastin e caktimit të paraburgimit ndaj të pandehurit F.B., ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit dhe nga provat e mbledhura deri në këtë fazë, rrjedh dyshimi i bazuar se ditën kritike, (01 mars) në shtëpinë e përbashkët familjare, i pandehuri F.B., të dëmtuarën – bashkëshorten e tij, fillimisht e ofendon me fjalë, e më pas edhe e sulmon fizikisht duke e goditur me grushte në kokë dhe pjesë të tjera të trupit, e kap për flokë dhe e godet me shkelëm në këmbë, me të cilat veprime të dëmtuarës i shkakton lëndime të lehta trupore.

“Po ashtu, nga provat dhe faktet e lartcekura rezulton se në datë të njëjtë, i pandehuri F.B., me qëllim e shkel në tërësi urdhrin për mbrojtje të lëshuar nga të lëshuar nga Gjykata Themelore në Prizren, sipas të cilit urdhër të pandehurit është ndaluar që palën e mbrojtur, të dëmtuarën – bashkëshorten e tij, që mos ta shqetësoj, ofendoj, përul, godas, kërcënoj dhe sulmoj fizikisht, mirëpo i pandehuri shkel urdhrin e tillë të përshkruar me veprimet si më lartë. Kurse a do të argumentohen këto fakte do të vlerësohet në fazat e mëtejme të procedurës penale”, thuhet në komunikatë.

Gjyqtari i procedurës, Luan Berisha kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit e ka aprovuar si të bazuar konform dispozitave të KPPRK-së dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaj, ashtu që kjo masë të pandehurit do t’i llogaritet prej datës 01.03.2021 deri me datën 01.04.2021. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat