Nuk janë të rralla rastet kur zyrtarët policorë ballafaqohen me kërcënime serioze nga qytetarë në qytete të ndryshme të Kosovës. Shpesh herë pakënaqësitë e tyre kalojnë në kërcënime, duke ua vështirësuar kështu punën e madje duke ua kërcënuar edhe jetën.
Një rasti i tillë ka ndodhur ku një zyrtar policor është sulmuar fizikisht nga një person i dyshuar, i cili ishte duke u shoqëruar për trajtim në Klinikën e Psikiatrisë në QKUK, pas një intervenimi të Policisë për një rast të dhunës në familje.
Burime të sinjalit bëjnë me dije se më 9 qershor 2025, rreth orës 11:00, Policia ka marrë një informacion për një rast dhune në familje në rrugën “Jakup Ceraja” në Prishtinë. Në vendin e ngjarjes, njësitë policore kanë hasur të dyshuarin A.B, 36 vjeçar, i cili, sipas familjarëve, ishte nën ndikim të lëndëve narkotike.
I dyshuari është shfaqur shumë i papërshtatshëm dhe agresiv, duke refuzuar të bashkëpunojë me Policinë dhe nuk pranonte as të vishej, ndonëse duhej të shoqërohej në Psikiatri me rekomandimin e mjekëve të pranishëm. Për shkak të sjelljes së tij, ai është prangosur dhe shoqëruar me automjet policor në drejtim të Klinikës së Psikiatrisë.
Sipas Policisë, gjatë shoqërimit, në hyrje të QKUK, i dyshuari ka goditur me këmbë një zyrtar policor, duke i shkaktuar lëndime që kanë kërkuar trajtim mjekësor. Ai gjithashtu ka tentuar të sulmojë edhe zyrtarët tjerë, duke rrezikuar sigurinë e personelit dhe vetes.
Lidhur me incidentin është njoftuar hetuesi kujdestar dhe më pas Prokurori i Shtetit, i cili ka urdhëruar inicimin e procedurës penale për veprën “Sulm ndaj personit zyrtar në kryerje të detyrës”.
I dyshuari është ndaluar për trajtim mjekësor në Klinikën e Psikiatrisë dhe pas stabilizimit të gjendjes, është liruar në procedurë të rregullt.
Hetimet për rastin janë duke vazhduar.