Policia e Kosovës, përkatësisht Drejtoria për Hetimin e Krimeve Kibernetike, në bashkërendim me Prokurorinë e Shtetit dhe me urdhër të Gjykatës kompetente, ka zhvilluar një operacion policor në Podujevë, ku janë arrestuar dy persona të dyshuar.
Sipas njoftimit, gjatë operacionit janë kryer kontrolle në tri lokacione, pas dyshimeve se dy të dyshuarit, meshkuj kosovarë, kanë shpërndarë video dhe fotografi në rrjete të ndryshme sociale, duke shfaqur kartela që pretendohej se ishin të mbushura me shuma të ndryshme parash dhe të gatshme për blerje.
Dyshohet se ata, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete apo për persona të tjerë, kanë keqpërdorur kartela bankare të personave të ndryshëm.
“Me elementet e veprimeve të kryera të dyshuarit kanë konsumuar veprat penale ‘lëshim i çeqeve pa mbulesë ose të rreme dhe keqpërdorim i kartelave të bankës apo të kreditit’, ‘vjedhje e identitetit dhe kredencialeve’ dhe ‘hyrja e paautorizuar kompjuterike’”, thuhet në njoftim.
Gjatë kontrollit, në cilësi të provave materiale janë sekuestruar 2 laptopë, 3 telefona mobilë, kartëmonedha imituese 5, 10 dhe 20 euro, me të cilat dyshohet se është stimuluar kryerja e veprës penale online, një kartelë e bardhë,3 armë pistoleta me gaz me 17 fishekë.
Me vendim të prokurorit, pas përfundimit të veprimeve procedurale, dy të arrestuarit janë liruar në procedurë të rregullt, ndërsa rasti vazhdon të hetohet.