Një rast i personit të zhdukur ka alarmuar një familje në Mitrovicë, por fatmirësisht ka përfunduar pa pasoja.
Rasti është raportuar më 25 prill 2026 rreth orës 13:45, kur ankuesi Bedri Bala ka njoftuar Policinë se djali i tij i mitur, M.B (16-vjeçar), ishte larguar nga shtëpia dhe nuk ishte kthyer.
Sipas familjarëve, i riu nuk ishte parë nga askush pavarësisht kërkimeve, ndërsa bëhej e ditur se ishte hera e parë që largohej në këtë mënyrë dhe se vuante nga depresioni.
Me rekomandim të Prokurorit kujdestar, rasti është iniciuar si “Person i zhdukur”.
Zhvillimi ka ardhur rreth orës 15:15, kur një qytetar ka raportuar se i mituri është parë në magjistralen Klinë–Gjakovë, në një kafiteri në zonën “Central Park”.
Pas koordinimit të Policisë me qytetarin, i mituri është lokalizuar në fshatin Gllarevë, në Klinë.
Njësia e hetimeve e ka shoqëruar më pas në shtëpi te familjarët, ndërsa për shkak të gjendjes së tij nuk ka qenë në gjendje të japë deklaratë.
Rasti është mbyllur pa pasoja, ndërsa autoritetet theksojnë rëndësinë e reagimit të shpejtë dhe bashkëpunimit me qytetarët.