Një i ri në Gjakovë ka përfunduar nën hetime pasi publikoi në rrjete sociale pamje me armë zjarri.
Rasti ka ndodhur më 1 maj 2026 rreth orës 11:25 në rrugën “Londra”, ku i dyshuari Ermir Zenuni, rreth 24-vjeçar kishte shpërndarë në Instagram fotografi me armë dhe një video ku shihej duke gjuajtur me armë zjarri.
Pas identifikimit, Policia ka ndërmarrë veprime hetimore dhe, me urdhër të Prokurorit, ka kryer bastisje në shtëpinë e të dyshuarit, por armët e dyshuara nuk janë gjetur.
Gjatë intervistimit, Zenuni ka deklaruar se fotografitë janë realizuar në Gjermani dhe se në Kosovë nuk posedon armë me leje.
Në konsultim me Prokurorin kujdestar, rasti është iniciuar për veprat penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve” dhe “Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm”, ndërsa i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.