Fragment nga romani “Një tragjedi kosovare”

Kultura

Fragment nga romani “Një tragjedi kosovare”

Nga: Biser MEHMETI Më: 22 dhjetor 2020 Në ora: 12:12
Biser Mehmeti

KLITHJET E LUMIT

Kur i hapa qepallat, njëri nga udhëtarët tha: jam i bindur që gjysma nga ne do të vdesin rrugëve!... Pas pak para nesh u shfaq një lumë i madh me ujë të turbullt, i cili sikur lëshonte do klithma të thekshme... Shoferi e ndali furgonin e pastaj na tha: ma tutje s’mund të vazhdoj!... Dolëm nga furgoni sikur të dilnim nga varri. Me sy të mbushur frikë e trishtim e vështronim lumin me ujë të turbullt. Derisa e vështroja m’u bë sikur ishte i mbushur me koka të njerëzve që kishin vdekur duke tentuar të kalojnë në anën tjetër të kufirit... Në një çast i thashë vetes: do të kthehem mbrapa, më mirë të vdes në atdhe sesa në valët e tërbuara të këtij lumi, i cili do ta shpie trupin tim në një vend të largët... Shoferi, me një indiferencë të çuditshme, na tha: nëse dëshironi të vazhdoni më tutje duhet ta kaloni lumin!... Kjo është e vetmja rrugë për të dalë në anën tjetër... Pasi i la fjalët të sorollatën si të ishin zogj të ngordhur, u kthye mbrapa. Njëri nga udhëtarët zuri të klithte me zë të llahtarshëm: si u bëmë të marrë dhe erdhëm të vdesim në valët e këtij lumi të tërbuar!... Edhe në vendlindjen time kam mundur të mbytem në valët e një lumi!... Medet për ne çfarë na ka gjetur!... Disa çaste qëndruam të shtangur pa ditur çfarë të bënim në atë vend të shkëputur nga bota. Mundohesha të vështroja ndonjë shpend, po nuk arrija të shihja asnjë. Diçka më thoshte sikur në atë vend as shpendët nuk rriteshin... Këtu është vendi që e ndan botën e gjallë nga bota e të vdekurve, tha një udhëtar, për të cilët më vonë kuptova se kishte punuar si profesor në një shkollë të mesme, po që ishte dëbuar nga puna gjatë procesit të diferencimit politik e pastaj ishte nisur drejt një vendi të panjohur për të gjetur lumturinë që kurrë s’e kishte pasur... Profesori i gjorë gjatë gjithë kohës dukej sikur mundohej të dilte nga humnera e dëshpërimit. E kuptova se zemra e tij vazhdimisht vajtonte... Jemi popull i mjerë, i cili gjatë gjithë kohës i është nënshtruar dhunës së armiqve të ndryshëm, të cilët janë orvatur të na zhdukin nga faqja e dheut, thoshte Profesori me zë të mallëngjyer... As vetë nuk e di sa kohë kemi qëndruar afër lumit duke i vështruar valët e tij të tërbuara.

Ndoshta gjatë asaj kohe i luteshim atij që të kishte mëshirë e të mos na mbyste... Njëri nga udhëtarët na tha: duhet të presim kur të vie një anije, e cila do të na shpie në anën tjetër të kufirit. Mirëpo, anija vjen vetëm gjatë natës, sepse gjatë ditës kanë frikë nga rojet kufitare. Nëse i zënë udhëtarët i vrasin të gjithë... S’kishim çfarë të bënim përveç të qëndronim në kthetrat e një pritjeje të mundimshme. Koha na dukej sikur s’lëvizte fare. Në një çast m’u bë sikur qielli u lëshua mbi kokat tona, të cilin e kishim vështirë ta mbanim... Derisa prisnim të lëshohej nata, flisnim për gjëra të parëndësishme. Më së shumti më dhimbsej Profesori, i cili na fliste për të ardhmen e vendit tonë, për të cilën thoshte se nuk ishte pa shtegdalje... Nuk do të kalon shumë kohë e përsëri do të kthehemi në atdheun tonë të dashur, na thoshte me entuziazëm të tepruar. Fillova të dyshoj sikur ai e thoshte të kundërtën e asaj që e mendonte... Kur nga qielli i zymtë zuri të lëshohet një natë me fytyrë të shëmtuar, lumi sikur u qetësua pak e pastaj ra në një gjumë të thellë. Profesori na tha: ndoshta do të presim kot se anija nuk do të vjen!... Megjithatë, nuk vonoi gjatë dhe një anije e vogël sikur doli përtej mosqenies... Të gjithë vrapuam te anija sikur të mundoheshin të shpëtonim nga vdekja që na mbështillej rreth qafe... Pronari i anijes, një plak me mjekër të gjatë, me trup të shëndoshë, na tha në një gjuhë të huaj: kush ka pare mund të kalojë në anën tjetër të lumit!... Unë i kisha disa të holla që m’i kishte dhënë daja. Kur hipëm në anije, m’u duk sikur hipëm në një arkivol, i cili do të na shpinte në një vend të panjohur, në një vend i cili gjendej përtej kësaj bote, në një botë tjetër ku jetonin të vdekurit... Sapo nga anija e vogël zura ta vështroj lumin, i cili kisha bindje sikur bënte gjumë të qetë, në imazh m’u shfaqën do koka të njerëzve të vdekur, të cilat pluskonin nëpër syprinën e lumit... O Zot, thashë me vete, kushedi sa njerëz gjendën në syprinën e këtij lumi të tërbuar, të cilët s’mund të gjejnë qetësi!... Sa shumë kisha frikë se ëndrrën që e kisha parë tri ose më shumë herë do ta përjetoja në zhgjëndërr. Dridhesha i tëri nga ethet e frikës. Pas pak anija zuri të rrëshqet nëpër valët e lumit sikur të ishte një gjarpër i ngordhur. Në një çast m’u bë sikur lumi e hapte gojën e madhe dhe mundohej të na gëlltiste për së gjalli. Pronari i anijes na tha: uluni që të mos u shohin rojet kufitare, të cilët mund të na vrasin të gjithëve!... Duhet ta dini që kalimi i kufirit në mënyrë ilegale është rrezik i madh!... Ne u ulëm si mundëm në dyshemen e anijes dhe gjatë asaj kohe sikur e dëgjonim lumin si lëshonte do rënkime të thella. Pas pak anija vazhdoi të rrëshqiste me shpejtësi më të madhe. Në një rast, kur anija bëri një kthesë të papritur, një vajzë që gjendej në fund të anijes dhe e cila dukej sikur ishte kredhur në vorbullën e një gjumi të rëndë, rrëshqiti nga anija. Trupi i saj befas u gjend mbi valët e tërbuara të lumit, i cili e kishte hapur gojën sikur të ishte një përbindësh i tmerrshëm. Nëna e vajzës, kur e pa të bijën si u gjend mbi valët e tërbuara të lumit të turbullt, klithi me sa zë që kishte: bija ime ra në lumë!... Klithjet e saja të tmerrshme e mbushën hapësirën me do tinguj të kumbushëm, nga të cilat më duket sikur lumi është dridhur... U mundova ta shoh trupin e vajzës, po ishte errësirë e thellë, kështu që s’arrija ta shihja. Nëna e saj deshi të kërcejë nga anija, po burri i saj e mbajti me sa fuqi që kishte... Mos vdis edhe ti, i tha me zë të pikëlluar... Pronari i anijës i tha gruas: mos bërtit se nëse na dëgjojnë rojet kufitare na vrasin të gjithëve!... E pashë fytyrën e gruas së gjorë, e cila i shëmbëllente një kufome që udhëtonte me ne... Të gjithë sa ishim, na mbështolli një dhimbje e madhe, e cila na e hante shpirtin. Kishim frikë se përsëri ndonjëri nga ne do të rrëshqiste nga anija, e cila s’kishte mbajtëse anash, e pastaj do të përjetonte një vdekje të tmerrshme në gjirin e lumit të tërbuar... Pas pak m’u bë sikur nga një largësi që s’arrija ta përcaktoja e dëgjova zërin e vajzës së gjorë, e cila klithte me fuqi të  madhe: mos u largoni pa mua!... Mos më lërni në këtë vend të shkretë!... Së paku më varrosni në një vend në tokë!... Gjatë gjithë rrugës nëna e saj qau e dënesi me lot, të cilët i buronin nga zemra e plasur... Babai i saj mundohej ta përmbante veten, po e kishte të vështritë... Profesori herë pas here lëshonte do pshërtima të thella. Me zë të dhembshëm thoshte: jemi popull që krejt botën e kemi armik, madje edhe natyrën!...

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat