Flijimi si motiv i rimëkëmbjes

Kultura

Flijimi si motiv i rimëkëmbjes

Avni Halimi Nga Avni Halimi Më 11 shkurt 2021 Në ora: 09:54

Fridrih Dyrrenmat është një prej kolosëve më të mëdhenj të letërsisë botërore. I lindur në Zvicër, në pjesën gjermanofolëse, gjatë karrierës së vet prej shkrimtari, shkroi mbi tridhjetë libra me tregime, nëntë drama, katër romane. Temat kryesore që i trajton autori nëpër veprat e veta kryesisht janë të vërtetat njerëzore, të cilat, bredhin labirintheve të padrejtësisë, të korrupsionit, të imoralitetit etj. Pa dyshim, nën frymëzimin geteian, po thuajse në të gjitha veprat ironizon me aftësitë e njeriut për ta fshehur brenda vetes “shtazën” që është adaptabil për karakterin e tij. Si adhurues i Lessing dhe Brecht, stilin e trajtimit të dukurive në mënyrë groteske e zhvilloi deri në përmasa të pakapshme, gjë që autorin në fjalë e bën kaq të madh dhe e radhitë ndër më të mëdhenjtë të shekullit XX. Plagët sociale, sado të dhembshme, i trajton duke ironizuar, duke kritikuar sa shkaktarët e atyre plagëve po aq edhe përjetuesit e atyre dhembjeve, që presin ditë të mira nën peshën e imoralitetit, padrejtësisë, korrupsionit, të cilat gjithnjë synojnë errësirën e jetës së njeriut.

I dhënur pas absurdit dhe groteskut, letërsisë së përbotshme i fali tekste dramash të paarritshme në këtë gjini letrare. “Vizita e zonjës plakë” (1956), “Fizikanët” (1962) etj, ndonëse jan drama klasike të teatrit bashkëkohor, vlerësohen si vepra të dimensioneve epike. “Vizita e zonjës plakë”, kjo tragji-komedi, ndonëse ironizon me një shoqëri të përgjumur pas kalimit të fazës së traumave të ndryshme që prodhohen nga degjenerimi i shoqërisë së kapur për imoralitet, ndonëse me plotë elemente të sarkazmës dhe groteskut, të humorit e absurdit, megjithatë, nuk ta ngrit humorin, nuk të shkakton të qeshura, madje nuk e shkakton as katarsisin aristotelian por, thjesht, të bën të tmerrohesh nga ajo që shoqëria i përjeton historikisht. Prandaj, autori për kohën e ndodhive të kësaj tragji-komedie thotë se është kohë e SOTSHME, ndërsa hapësira e ndodhive mund të jetë GJITHKUND, në çdo cep të botës.

Tragji-komikja e kohës së sotshme

Autori Fridri Dyrreman vendos që rrëfimin ta nisë nga Stacioni i trenit të qytetit Gylen, i cili është po thuajse në grahmën e vet të fundit dhe, në të cilën jeton një shoqëri e qetë, e dorëzuar, e pamundur për të hedhur një hap kah e mbara, e rënduar nga problemet e mëdha sociale, por, e vetëorganizuar për një përkundje në djepin e varfërisë dhe të autokracisë postrevolucionare, apo postluftës. Fabrika të falimentuara, varfëri e skajshme, shpresa të humbura, ky është realiteti i qytetit Gylen. Edhe sot e kësaj dite, situata të tilla, pamje të tilla kapitulimi para fuqisë së imoralitetit, mund të vërehen në çdo cep të botës, në shtete të ndryshme, në qytete të shumta, përfshirë këtu, madje edhe Ferizajin dhe, pse jo, edhe tërë Kosovën. Jo rastsisht, autori thotë se ngjarja ndodhë SOT! Sot është çdo ditë pas së djeshmes dhe para të nesërmes. Sot do të thotë: në këtë çast, në këtë moment, tani! Pra, autori shtjellon një temë universal si për nga koha ashtu edhe për nga hapësira.

Një shpresë po ju qeshë banorëve të Gylenit të falimentuar! Në vendlindje po kthehet, pas shumë viteve, Zonja Plakë, bashkëqytetarja e tyre e dikushme, një miliardere që ka vendosur të investojë në qytet dhe t’i ndihmojë të gjithë banorët. Pesëqind milion investime e riaktivizime të fabrikave dhe pesëqind milion ndihma financiare banorëve të Gylenit. Ndaj dhe të gjithë strukturat e qytetit organizohen për një pritje madhështore, me aktivitete të ndryshme artisitke, për bashkëqytetaren e tyre, zonjën KLER CAHANASIAN, me mbiemrin e vajzërisë VESHER, tashmë e shtyer në moshë, me një protezë në këmbë si pasojë e një aksidenti në komunikacion dhe, me tiparet e një zonje që me çdo kusht refuzon pamjen dhe hiret e pleqërisë.

Megjithatë, zonja KLER CAHANASIAN, për ta realizuar këtë humanitet shpëtimtar për Gylenin dhe gylenasit, ka një kusht: kërkon solidarizim për ta vrarë padrejtësinë, korrupsionin dhe të pandershmen, amoralen dhe imoralen, kërkon krijimin e një Gyleni biblik dhe qytetarë të hyjnishëm. Gatishmërinë ndër bashkëqytetarët e vet e gjenë, megjithatë, ajo ka një kusht: t’i kthehen të gjithë kohës kur ajo ishte një shtatëmbëdhjetëvjeçare e lumtur dhe lozonjare në këtë qytet, kur në atë moshë i ndodhi që të braktisë qytetin dhe të bëhet “banore” e shtëpive publike nëpër botë.

Për këtë fatkeqësi të saj ekziston fajtori! Dhe ky fajtor, ndonëse me pamje të njeriut, është sinonimi i të keqes, i padrejtësisë, i fatkeqësive. Me këtë “sinonim” dikur ishte e dashuruar zonjusha VESHER! Me ILIN! Për shkak të diferencave sociale, të ndihmuar nga pushteti i korruptuar, nga qytetarë të degjeneruar e të dhënur pas jetës imorale, askush nuk do të pranojë se shtatëzënia e zonjës Vesher ishte produkt i dasurisë së saj me Ilin, i cili, kategorikisht e mohon dhe nuk do as ta njohë. Zonja Vesher, e damkosur moralisht dhe e refuzuar nga shoqëria si “e pamoralshme” detyrohet ta braktisë qytetin e vet të dashur, Gylen, dhe të nisë e shpëtim të kërkojë nëpër shtëpi të ndryshme publike. Lind vajzën e Ilit dhe, pas një viti, vdes fëmija. Duke ndërruar vendbanime nëpër Euopë e botë, ajo nuk gjenë rehati në bashkëshortësi. Nërron disa burra, prej të cilëve trashëgon pasuri, duke u bërë miliardere. Me burrin e vet, të shtatin me radhë, kthehet në Gylen dhe, tani, ofrohet si shpëtimtare e qytetit dhe të banorëve të saj, me kusht që të pranojnë të gjithë që ta vrasin padrejtësinë! Dhe kjo padrejtësi zhduket me vrasjen e shkaktrait të saj – ILIT!

Pas disa intrigave për ta bindur KLER-in se, ndonëse tashmë e plakur, ai edhe më tej e dashuron si dikur në rini, pas lajkave duke iu drejtuar si dikur me “kotelja ime”, “shtrigushe”, Ili dorëzohet, tashmë e di se nuk do t’i shpëtojë vrasjes. “Pantera ime e zezë” siç e thërriste KLER, ILIN, do të vritet nga dikush prej banorëve të Gylenit.

Zonja plakë, KLER CAHANASIAN, përveç shoqëruesve të saj, me vete në qytet ka sjellë edhe një panterë të zezë, të mb yllur në kafaz, e cila, një ditë arrinë të ikë dhe të futet në pyllin e Gylenit. Gylenasit i kaplon frika, nisin e armatosen, në ndërkohë, çuditërisht, të gjithë nisin e pasurohen, nisë e përmirësohet standardi i tyre jetësor, riaktivizohen fabrikat, lulëzon qyyteti, ndonëse nën frikën e tmnerrshe nga pantera e zezë që është në mesin e tyre!

Morali i kësaj storie: Zonja Pkakë kërkon që të vritet “PANTERA E ZEZË” e saj, për ç’gjë i armatos banorët dhe i ndihmon financiarisht. Vrasësi i “panterës” të ngelin “qytetarët e Gylenit”! Zonja plakë kërkon që të vritet një “bishë” e rrezikshm, qoftë ai edhe ILI! Vrasje kolektive e ILIT! Komuniteti i Gylenit e mbyllin në arkivol ILIN. Fluturojnë paratë si fjolla bore. Pas vrasjes së padrejtësisë dhe imoralitetit nis e gjallërohet qyteti Gylen!

“Vrasja morale” e imoralitetit

Pa dyshim, shfaqjet teatrale janë vepër origjinale të regjisorëve. Gjatë përgatitjes së një shfaqje, regjisori mnd të arrijë dhe deri te një libër i tërë mbi përgatitjen e shfaqjes, mbi gjetjen e roleve, mbi mëdyshjet e mbështetjes në shkollat e teatrit, mbi mizanskenën, mbi dilemat të ngrisë skenë gllamuroze, grandioze, apo të thjeshtë. Madhështorja fshihet në thjeshtësi!

Regjisori, Sulejman Rushiti, me një disiplinë të përkryer që e karakterizon, si punën e tij ashtu edhe përfundimin e veprave të tij teatrale, ka zgjedhur thjeshtësinë regjisoriale! Përtej pamundësive dhe kushteve që i ofron Teatri, regjisori Rushiti, e refuzon zhurmën, pështjellimin nëpër skenë, e refuzon edhe pasiven dhe pasaktësinë e interpretimit aktoresk dhe, shtjellimin e ngjarjes e shtrinë në elementë të skenës me mapje të figurave gjeometrike. E përfundon shfaqjen duke e mbisunduar skenën një piramidë gjigante dhe në maje të saj “shpëtimtaren” e qytetit Gylen!

Nga ai det konceptesh regjisorial që i lindin regjisorit sapo të përfundojë me leximin e një teksti dramatik, pa dyshim që regjisori do të duhet të përcaktohet për një variant që paraqet “vijën e kuqe” të konceptit që do ta shtjellojë kryetemën të cilën do ta kap përgjatë leximit të disahershëm të tekstit. Në rastin konkret, “vija e kuqe” e konceptit regjisorial të Sulejman Rushitit është shtjellimi konkret i temës që trajton probleme shoqërore që vijnë si pasojë e rrënimit të strukturës, të përmbajtjes, vlerës, dhe të çdo gjëje që i jep kuptim jetës, e tërë kjo pa ekzibicione teatrale, pa mistifikime përmes efektit të dritë-hijeve apo të efekteve të zërimit, si dhe duke e demistifikuar vrasjen e së keqes. Për regjisorin porositësi i vrasjes së të keqes është po aq i keq sa edhe vetë kultivuesi i së keqes. Zonja plakë insiston që të sillet drejtësia në qytetin Gylen, drejtësi kjo që nuk realizohet pa u vrarë shkaktari i padrejtësisë. Morali i dyfishtë nuk përbën temë pas së cilës do të koncentrohet tërë kapaciteti regjisorial i Sulejman Rushitit, sepse, do të duhej të ftohej “katarsisi” si bazë e konceptit, ndërkohë që, regjisori Rushiti ka zgjedhur t’i qëndrojë korrekt synimit të autorit të veprës: të përçojë mesazhe njerëzore mbi pasojat e së keqes që ndjellet nga shoqëria imorale! Nuk ka përparim shoqëror e shtetëror pa e vrarë të keqen, të pamoralshmën, hipokrizinë, korrupsionin sot e gjithmonë dhe gjithëkud!

Shfaqja fillon qetë, duke i forcuar përshtypjet e para, që në fillim të skenës së parë se, tempo-ritmi do të ruht deri në fund, pa oscilime, pa ngritje-rënie, pa çjerrje e patetizëm. Dinamika e shfaqjes do të varet nga loja e aktorëve, ndërsa, personazhët e autorit si dhe aktorët e regjisorit, janë bartës të procesit të dramës-shfaqjes, e cila, ndonëse në skenë luhet për dy orë, në fund krijohet përshtypja se shfaqja iku për 10 minuta! Po e njëjta përshtypje krijohet edhe në lexim të tekstit – në fund të tij nuk mund të përmbahesh pa e lexuar edhe disa herë. Thënë shkurt, nisur nga rrethanat, nisur nga kushtet dhe mundësitë që i ofron Teatri, nga kjo kryevepër e letërsisë botërore, regjisori Sulejman Rushiti ka bërë një kryevepër personale duke dëshmuar pjekurinë e vet regjisoriale të denjë tashmë për të sjellë në çdo shfaqje koncepte dhe qasje inovative. Në konceptin e vet ai parasheh që në shfaqje të përdoren dhe celularet, të bëhet edhe filmimi i “ceremonisë” me kamera bashkëkohore, vetëm e vetëm që të jetë korrekt me autorin dhe “të dëshmojë” se ngjarja po ndodhë tani, në kohën e tashme! Madje, jo në qytetin Gylen, por, në një qytet shqiptar, ku flitet dhe këndohet shqip, nga melosoi shqiptar.

Nëse në kohërat mitike, ndëshkimi apo bekimi vinin nga perënditë që jetonin në majen e Olimpit, sot, sipas damaturgut Fridrih Dyrrenmat, vijnë nga paratë, të cilat, sipas regjisorit Sulejman Rushiti, fluturojnë nga maja e piramidës së ngritur për lavdinë e oligarkëve apo edhe për demagogët e humanizmit.

Për regjisorin Sulejman Rushiti, një intrigë e tillë e flijimit për mbarësi, është e njohur që te Agamemnoni, i cili, duhet ta flijojë bijën e vet Ifigjeninë, me qëllim që ta zbusë mllefin e hyjnesësh Artemida, e cila e trazon detin ku gjendet flota e Agamemnonit dhe që assesi nuk mun të dalë nga limani e të niset drejt Trojës. Ky sugjerim i vie nga magjistari Kalkant! Kjo intertematikë që haset edhe në dramën e Dyrrenmat-it, ka mundur t’i ngrisë “kurth” Sulejman Rushitit dhe ta fusë në koncepte regjisoriale të klasikës. Megjithatë, nëse te Agamenoni sulmi bëhet për rrënim e pushtim, te “Vizita e zonjës plakë” bëhet për shpëtim dhe rimëkëmbje. Në të dy rastet, së pari duhet të zbutet mllefi i perëndive që kanë zënë vend në Olimp-piramidë! Në të dy rastet flijimi shpaguhet. Në rastin konkret, në tekst e në shfaqje, “zotrat” e shpëtimit nuk jetojnë në Olimp por në bankë! Një miliardë kushton rimëkëmbja e qytetit Gylen dhe e qytetarëve, por, pasi të “flijohet” ILI!

Bartësit e roleve kryesor

Të mishëruar me personazhet e dramës, loja e aktorëve, sidomos ajo e bartësve të roleve kryesore, reflekton punën e saktë të regjisorit. Angazhimi i tij, shkrirja e tërë potencialit regjisorial dhe intelektual në dhënien shpirtë të personazheve, në fakt dëshmon përpjekjet profesionale të regjisorit për të sjellë një vepër skenike sa më të denjë, jo vetëm për ta pasuruar opusin e vet krijues, por, sidomos për ta respektuar publikun teatërdashës.

Bartësit e roleve kryesore në fakt janë promotorë të zbërthimit të ideve konceptuale të regjisorit përgjatë përgatitjes së shfaqjes. Prandaj, një regjisor i mirë, nuk do ta llogariste veprën të rrumbullakuar derisa nuk do të nxirret edhe atomi i fundit i aktorit në angazhimin e tij aktorersk.

Një aktor i dobët, jo vetëm që do ta zbehte shfaqjen, jo vetëm që do ta nxirrte në pah amatorizmin e vet në nivele diletanteske, por, do ta zvetënonte edhe peshën e personazhit të veprës konkrete. Dhe tërë pesha e këtij amatorizmi do të rëndonte mbi kurrizin e regjisorit i cili, vetëm ai do të vlerësohej si i dështuar në tërë atë përpjekje për ta nxjerrur në skenë një shfaqje teatrale.

Prandaj, duke shikuar shfaqjen “Vizita e zonjës plakë”, duke e përcjellë lojën brilante të aktorëve, të të gjithëve, në veçanti të atyreve që janë bartës të roleve kryesore, me të drejtë mund të konstatojmë se, regjisori Sulejman Rushiti, nuk lejon që ta ndërthurë konceptin regjisorial me lojën e aktorëve që nuk ju fle roli! Është mjeshtër në përcaktimin për aktorë të cilët mund të mishërohen me personazhet e veprës. Për Sulejman Rushitin nuk është punë e kryer vetëm angazhimi maksimal për ta nxënë përmendësh tekstin, por edhe për ta shqiptuar atë, për të shprehur qartë çdo fjalë të tekstit, me një diksion e të folur që nuk të iriton por që të vie qartë në vesh.

Personazhi kryesor KLER CAHANASIAN, si Zonja Plakë, i është besuar aktores Vjosa Abazi, e cila, duke eliminuar elementet e patetizmit dhe të sforcimit në lëvizjet e saj skenike, ka arritur të ndërtojë një karakter origjinal të një personazhi që në asnjë moment nuk është në mëdyshje për tërë atë që e kërkon dhe që e premton. Plotë dy orë sa zgjatë shfaqja, aktorja Vjosa Abazi, u mundua të jetë gjithnjë e fortë dhe vitale, e qartë dhe konkrete, e paepur në sendërtimin e projektit të saj jo vetëm në ringjalljen e qytetit Gylen, por edhe të banorëve të dorëzuar para problemeve sociale, duke e ruajtur figurën e personazhit kryesor, jo vetëm si fizik por edhe si shpirt e karakter të Zonjës Plakë! Përkushtimi i saj për të krijuar një rol sa më të përkryer ka rezultuar me sukses dhe ia vlenë të përgëzohet. Thënë shkurt, Vjosa Abazi ia arriti me shumë klasë që në skenë të na e sjellë një Zonjë Plakë, e cila duket krenare në fatkeqësinë e vet por e paepur në hakmarrje!

Arben Marevci, në rolin e Alfred Ilit, me sukses ia arrinë të krijojë, sa rolin e qytetarit të lumtur, aq edhe rolin e të pamoralshmit, të krijojë, sa rolin e njeriut stabil, aq edhe rolin e njeriut me plotë ngarkesa psikike, sa rolin e trimit aq edhe rolin e viktimës. Këto kalime aktoreske të karaktereve, gjithësesi që janë punë e një regjisori profesionist që këmbëngulë në gjetjet e të gjitha vlerave të një aktori. Ili i Arben Marevcit është një personazh mjaft kompleks, jo lehtë i realizueshëm si rol, për më tepër nisur nga bota e tij përplot intriga dhe “mëlmesa” të imoralitetit, dhe, për pasojë, me një jetë që do t’i përfundojë tragjikisht!

Do të ishte një qasje shumë korrekte nëse do të trajtoheshin po kaq të rëndësishëm edhe roli i Mevlan Shaqirit, si Kryetari i Bashkisë, i Blin Sulejmanit, si Mësuesi, i Nexhat Xhoklit si Prifti, i Urata Shabanit dhe Dora Xhemailit, si Kobi dhe Lobi, të cilët duken si personazhe të zbritur nga gjithësia por që, në fakt, paraqesin një “nyje dramatike” sa për të ndjerë një çtensionim nga dinamika e zhvillimit të ngjarjeve tragji-komike të veprës-shfaqjes.

Aktorët në fjalë, përmes lojës së tyre profesionale arrijnë me sukses të imponohen në kompleksin e shtyllave mbi të cilat ndërtohet e tërë shfaqja e Sulejman Rushitit. Thënë shkurt, loja e tërë trupës arrinë të krijojë përshtypje të fortë se në këtë shfaqje nuk pati rol kryesor apo sporadik, rol të parë apo të dytë. Të gjithë ishin një, që frymonin njësoj në atë skenë me plotë elemente gjeometrike e që ndjeheshin rehat në atë kostumografi! Gërshetimi i këtyre elementeve, në fakt, janë kopertinat e forta të konceptit regjisorial të Sulejman Rushitit, mbi të cilin ka realizuar një shfaqje në nivelin e perfektes.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat