Shkelje të normës drejtshkrimore

Kultura

Shkelje të normës drejtshkrimore

Nga: Eroll Sejdiu Më: 24 shkurt 2021 Në ora: 21:51
Eroll Sejdiu

Kur është fjala për përdorimin e "ë"-së, bie në sy se ajo shpesh përdoret pa vend. Përdoret edhe në vetën e tretë njëjës të mënyrës dëftore te tipi i foljeve që atë nuk e marrin; p.sh.: “ndodhë" për (ndodh), "përbënë" për (përbën), "ndienë", për (ndien), "bënë" për (bën), "ngjanë" për (ngjan), "mbronë" për (mbron), "përdorë" për (përdor), "përhapë" për (përhap) etj.

Shkelje të normës drejtshkrimore ka edhe te përemri i pacaktuar "tjetër" ku në shumës shkruhet gjithkund pa nyjë, p.sh.: trupat tjerë, njerëzit tjerë, shtëpitë tjera, lule tjera, dukuri tjera.

Duhet theksuar se përemri i pacaktuar "tjerë" asnjëherë nuk shkruhet pa nyjë, andaj të gjitha këto fjalë duhet të kenë nyjën përpara.

Drejt duhet të shkruhen kështu: trupat e tjerë, njerëzit e tjerë, shtëpitë e tjera, lule të tjera, dukuri të tjera.

Gabim shkruhen gjithashtu shpesh edhe disa trajta foljesh, si: "dijmë", "dijnë", "rrijnë", "pijmë", "flejmë" ,"do të vërejsh" etj.

Në gjuhën standarde këtu përdoren trajtat pa "j", p.sh.: dimë, dinë, rrinë, pimë, flemë, do të vëresh etj.

Shmangie të trajtave drejtshkrimore bëhen gjithashtu shpesh edhe në përdorimin e vetës së tretë njëjës të disa foljeve, kur shkruhet: "Arsimtari din".; "Ai han".; "Mjeshtri i ven syzet. ; "Len pasardhës etj.

Drejt duhet të shkruhen: Arsimtari di.; Ai ha.; Mjeshtri i vë syzet.; Lë pasardhës etj.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat