Gjuha, monarkia dhe Skënderbeu

Kultura

Gjuha, monarkia dhe Skënderbeu

Më: 11 mars 2021 Në ora: 10:07
Foto Ilustrim

Nga: Daut Dauti

Më 25 qershor 1807, në një lloj shtëpie të improvizuar me drunj e dërrasa mbi lumin e Tisit, janë takuar perandori francez, Napoleoni, dhe perandori rus, Aleksandri I. Takimi i këtyre dy armiqve është mbajtur në gjuhën franceze. Aty është vërejtur se frëngjishtja e carit rus ka qenë e shkëlqyeshme, kurse ajo e perandorit francez e dobët. Ky ka qenë ai momenti kur Napoleoni është turpëruar. Çudi shumë e madhe, apo jo? Më mirë flet frëngjisht rusi sesa francezi, do të thoshim. Por, këto gjëra duhet të shikohen ndryshe.

A e dini pse?

Sepse Napoleoni ka qenë me prejardhje të rëndomtë italiane nga Korsika, kurse Aleksandri I ka qenë aristokrat me themel dhe në oborrin e tij, pra të carit rus, gjuhë zyrtare ka qenë frëngjishtja. Madje, shumica e familjes mbretërore ruse as që kanë ditur e as që janë munduar të flasin rusisht. Kjo situatë ka ndryshuar pas vitit 1812 kur rusishtja ka filluar të zyrtarizohet dhe kjo është bërë si reaksion (nacionalist) ndaj pushtimit francez të udhëhequr nga Napoleoni. Pa marrë parasysh prejardhjen dhe gjuhën e përbashkët (franceze) të dy perandorëve, këta do ta vrisnin njëri-tjetrin: i pari në emër të Francës, kurse i dyti në emër të Rusisë. Madje, Napoleoni as që ka qenë francez, siç e kërkon teoria e nacionalizmit puritan, por ai ka hyrë në histori si patrioti dhe kryeheroi i Francës.

Në shekujt XI-XIV, në Angli gjuhë zyrtare ka qenë frëngjishtja për shkak se monarkia ra në duart e pushtuesve normanë. Familja mbretërore, atëherë angleze e më vonë britanike, as që janë lodhur të flasin anglisht. Më vonë gjuha e pallatit mbretëror britanik është bërë gjermanishtja. Kjo për shkak se prejardhja e familjes mbretërore britanike ka qenë dhe është edhe sot gjermane.

Mbretëresha Victoria (1819-1901), monarkja më e suksesshme në historinë britanike, ka qenë ajo që e ka ndaluar gjuhën gjermane që të flitej në pallat. Por, edhe ajo kur fliste anglisht, vërehej se në të folurit e saj dominonte theksi gjerman. Sa për burrin e saj, princ Albertin, i cili ka qenë i lindur dhe i rritur në Gjermani, mos të flasim. Anglishtja e tij ka qenë sikur e një ‘foreigner’- i.  Vetëm në vitin 1917 familja mbretërore britanike i ka ndaluar emrat dhe titujt gjermanë që i kanë bartur deri atëherë. Pra, nga ky vit familja mbretërore britanike është bërë tamam britanike. Ky ndryshim ka ndodhur për shkak të frikës nga nacionalizmi që filloi të rritej në Britani dhe gjithkund në Evropë në kohën e Luftës së Parë Botërore.

Që nga shekulli XV, sunduesi i Perandorisë Otomane, pra sulltani, me ligj është kërkuar të ketë lindur nga nëna evropiane. Ky veprim është bërë për shkak që brenda perandorisë të mos lindnin familje të krushqisë që mund të pretendonin fronin e të destabilizohet vendi në rast të ndërrimit të monarkut. Pra, sunduesit otomanë kanë lindur nga gratë që kanë qenë ukrainase, greke, shqiptare, serbe, italiane, franceze, polake, ruse dhe në një rast edhe angleze. Sulltanët kanë qenë evropianë komplet dhe kanë folur nga disa gjuhë, por të gjithë e kanë zbatuar politikën otomane pasi që kanë qenë të edukuar në këtë frymë. Gjuha zyrtare e pallatit otoman ka qenë osmanishtja që nuk ishte sikur turqishtja që e flitnin njerëzit e zakonshëm.

Pra, ka qenë e parëndësishme se cilën gjuhë e kanë folur familjet mbretërore dhe nga cila familje është prejardhja e sunduesit nëse origjina është aristokrate – fisnike. Me rëndësi ka qenë se si ka folur populli dhe se interesin ekzistues të atij populli e ka mbrojtur monarkia që ka sunduar. Dhe, interesat e popujve të atëhershëm, së bashku me miqësitë apo armiqësitë, nuk kanë qenë sikur që janë sot.

Njësoj duhet të shihet e trajtohet edhe rasti i Skënderbeut. Është tërësisht e parëndësishme nëse ai ka folur apo nuk ka folur shqip. Është po ashtu e parëndësishme nëse ai ka prejardhje serbe apo tjetër nga nëna e nga babai. Me rëndësi është që Skënderbeu, sikur të gjithë monarkët tjerë, është deklaruar se i takon atij populli, pra shqiptarëve, dhe se duke qenë edhe sundimtar i tyre, i ka zbatuar interesat e tyre. Ne sot nuk duhet të presim më shumë nga Skënderbeu.

Njësoj duhet të trajtohet edhe Princ Wiedi. Ai ka qenë gjerman, por e ka deklaruar veten monark të shqiptarëve të cilët e kanë pranuar me shumë dëshirë. Madje, sikur rrethanat të ishin zhvilluar ndryshe, Wiedi me siguri do të dilte patrioti më i madh që kanë patur shqiptarët ndonjëherë.

Poenta këtu është se, nëse nuk i kemi parasysh këto gjëra, nuk mund të debatojmë për këtë temë. Prandaj, këto ditë kjo temë është bërë e gërditshme për shkak se e dominon injoranca dhe një ‘patriotizëm’ i cili mendon se në mesjetë gjërat kanë qenë sikur që janë sot. Por, nuk shikohet mesjeta e as e kaluara e afërt me syza që i kanë xhamat me ngjyrë nacionaliste të shek. XXI.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat