Në gjurmë të gazetarisë dhe publicistikës së Sami Frashërit

Kultura

Në gjurmë të gazetarisë dhe publicistikës së Sami Frashërit

Më: 22 mars 2021 Në ora: 16:16
Sami Frashërit

Nga: Hamit Boriçi 

Sami Frashëri, një nga ideologët e Rilindjes Kombëtare, përpara se t’u hynte veprave madhore të kulturës osmane dhe turke ka ushtruar fletorarizmin si drejtues (kryeredaktor e redaktor) i tetë gazetave e revistave turke. .

Pasi u diplomua në gjimnazin “Zosimea” të Janinës, më 1872 shkoi në Stamboll ku ishte në rritje e zhvillim një shoqëri shqiptare me ideale dhe veprimtari atdhetare, që do të bëhej vatër e rëndësishme e Rilindjes Kombëtare. Shpejt, i përkrahur nga vëllai i madh i tij, Abdyli, Pashko Vasa, Jani Vreto, Hasan Tahsimi e bashkatdhetarë të tjerë, arriti të emërohet në administatën shtetërore.

Me një horizont të gjerë kulturor, me ideale të larta për kombin e atdheun, për iluminizmin dhe për shkencat e ndryshme, Samiu, nëpunës në “Matbuat Kalemi” (Zyrë e botimeve) në Drejtorinë e Shtypit të Stambollit bëhet i njohur në qarqet politike, shoqërore e kulturore të kryeqendrës së Perandorisë së sulltanëve, çka i krijoi mundësi për të bashkëpunuar me gazeta e revista të ndryshme.

Ndërkohë ai hyn në lidhje me personalitete të njohura të mërgatës shqiptare, përfshihet edhe me bashkatdhetarë që zhvillonin veprimtari patriotike për bashkimin kombëtar, për çlirimin e Shqipërisë dhe të drejtat e kombit shqiptar. U lidh dhe fitoi admirimin e personaliteve të shquar të kombit tonë, që jetonin e punonin në Stamboll, si Hoxha Tahsin, Jani Vreto, Pashko Vasa etj. Bashkëveproi me organizatorët kryesorë të “Komitetit Qendror për Mbrojtjen e të Drejtave të Kombësisë Shqiptare”. Me themelimin e Shoqërisë së të shtypurit shkronja shqip” (1879) u zgjodh kryetar i saj.

Veprimtaria publicistike e Sami Frashërit si dhe pjesëmarrja e tij në redaktimin e drejtimin e gazetave e revistave shtrihet në një kohë 12-vjeçare, në vitet 1873-1885.

1. Sprovën e parë e bëri si bashkëpunëtor. përkthyes e redaktor, në fletoren “Sirac’asr”, e njohur me emrin e shkurtër “Siraç” (“Fneri”). (Shih Alban Tartari- Mediat turkofone në Ballkan – Studim për mbrojtjen e gradës “Doktor i Shkencave në gazetari dhe komunikim”, Tiranë, tetor 2015) Nga emërtimi kuptohet se kjo e përkohshme detyrë kryesore kishte dritësimin e mendjeve të lexuesve, t’i zgjonte ata dhe me dituri e shkëmbim përvojash nga realitetet bashkëkohëse t’i ndihmonte për përballimin problemeve e situatave që i shqetësonin.

Pas 6 prillit 1873 kur, me urdhër qeveritar u ndërpre botimi i gazetës “Sirac”, Samiut iu besua drejtimi i revistës “Hadika” (Kopshti). Ai, mjeshtër i fjalës dhe i penës, me kurajo ngriti zërin për çështjen shqiptare, shpesh me gjuhën e Ezopit dhe me aludime, duke i rënë ndesh regjimit osman.

Botimi i dramës “Atdheu dhe Silistria” të Namik Qemalit dhe artikulli me titull Askerli (shërbimi ushtarak) (Autori kërkonte që koha e shërbimit ushtarak të jetë më i shkurtër, për kushte më të mira dhe secili popull nën Perandorinë Osmane të shërbejë në vendin e vet…kështu edhe shqiptarët të shërbejnë në vendin e vet”) që bënë jehonë të madhe, shqetësuan zyrtarët e lartë. Ata reaguan me egërsi. Zyra e Shtypit në Ministrinë e Jashtme të Portës së Lartë, më 16 korrik 1873 publikoi urdhërin e prerë për ndalimin e botimit të fletores “Hadika” dhe shkarkimin e Sami Frashërit nga detyra e kryeredaktorit. Motivimi: gazeta “…është në kundërshtim me vijën shtetërore dhe rregullin ekzistues të qeverisë, nuk po mungon të botojë artikuj dhe mendime që shkaktojnë turbullimin e mendjeve të lexuesve”.

Shkrimtarin e shquar demokrat e përparimtar Namik Qemalin e internuan në Qipro, ndërsa Sami Frashëri vihej në “Mbi këqyrje”…

2. Samiun e largojnë nga Stamolli. Siç na bën me dije Profesor Nasho Jorgaqi “për pikëpamjet e tij liberale. internohet në Tripoli”. Ishte viti 1874. Me interesimin e Valiut Sami Pasha, babait të shkrimtarit të njohur turk Sezai efendi, u mbajt në Tripoli, kryeqendër e vilajetit kryeqendë e vilajetit të Libanit.

Valiu përkujdeset për Samiun. Me ndërhyrjen e tij, Sami Frashëri ngarkohet me detyrën e redaktorit të gazetës “Tarabulus garp”, organ qëndror i vilajetit, e përjavëshme që dilte në dy gjuhë, turqisht dhe arabisht.

Pas nëntë muajve qëndrimi në Tripoli, Samiu, përsëri me ndihmën e Valiut u la i lirë të kthehet në Stamboll.

3. Në muajt e parë të vitit 1876 Sami Frashëri drejton revistën “Muharrir” (“Shkrimtari”). Qarkulluan vetëm 4 numra.

4. Samiu, nga 9 marsi 1876 deri më 5 janar 1887 ishte kryeredaktor dhe redaktor i të së përditshmes së Stambollit “Sabah” (Mëngjezi”, gazetë që shpejt bëri emër. Vlerësohej për politikën editorale në shërbim të shoqërisë, për bashkëpunëtorë të zgjedhur dhe me autoritet, për individualietin mediatik.

Por edhe “Sabah” pati fatin e shumë gazetave të tjera të kohës. Problematika dhe këndvështrimi i çështjeve të trajtuara në fletore nuk u shkonte për hosh qarqeve zyrtare të Stambollit. Prandaj, duke u nisur nga një lajm që binte ndesh me oritentimet e Portës së Lartë, qeveria urdhëroi ndërprerjen e botimit të gazetës. Samiu, para se të dorëzonte detyrën, në numrin e fundit, më 5 janar 1887 doli me një shkrim të ashpër kundër censurës së qeverisë, duke kërkuar me këmbëngulje lirinë e shtypit dhe të shprehurit.

5. Në agun e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit Samiu merr përgjegjësinë e kryeredaktorit të së përditshmes më të rëndësishme, “Tercuman-i Sark” (“Zëdhënësi i Lindjes”) numri i parë i së cilës kishte dalë në qarkullim më 22 mars 1878.)Emri i Samiut si kryeredaktor të kësaj gazete, shënohet në nga numri 74 (10 prill 1878)– Shih – “Tribuna e gazetarit”, T. 1971/ 2, f. 48-51)

Samiologët kanë përvijuar mendimin se fletorja ” Zëdhënësi i Lindjes” i dha shumë vend çështjes shqiptare, sa mund të konsiderohet si mbrojtësja më konsekuente e Lidhjes së Prizrenit dhe e qëndresë së saj”. (Z. Xholi- “Sami Frashëri”-T. 1978, f. 19).

6. E përjavshmja “Aila” (Familja), botuar në vitin 1879, revistë e posaçme për gratë, fëmijtë dhe punët shtëpiake. Në editorialin e parë paraqitej programi dhe qëllimi i revistës: “për t’u bërë shërbim familjarëve, për të gjithë pjestarët e familjes, kryesisht do të trajtojë problemet e gruas”. Në artikullin “Familja” flitej për “dashurinë midis pjestarëve të saj”, ku thuhej: “. nuk mund të quhet familje ajo që i mungon dashuria dhe edukata”. Botohen tregime për fëmijë, lodra, etj. Revista del kundër zakonit që djemtë sa bëhën 4-5 vjeç privilegjohen e ndahen nga vajzat e gratë. Dolën 20 numra.

7. Revista “Hafta” (Java), e përkohshme enciklopedike, themeluar nga Samiu në vitin l88l. Qëllimi: “ Të përhapë dituri, mendime, mësime për jetën, kulturën dhe qytetërimin”. Kryeredaktori botoi këta artikuj: “Përparimi dhe qytetërimi”, “Përparimi dhe arsimi”, “Kush nuk shkon përpara, shkon mbrapsht…”, “Kuptimi i së vërtetës së pastër”, ”Esenca dhe rëndësia e kimisë dhe e fizikës”- “Origjina dhe degët e gjuhëve”, “Esenca dhe e vërteta e poezisë”, “Esenca e ajrit dhe komponentët përbërës të tij”, “Poezia dhe poetët” etj. Në këtë revistë publikuar u botua nekrologjia e Hoxha Tahsinit. Doli 4 vjet rradhas. (Nexhip Alpan & Nasip Kaçi – Shqiptarët në Perandorinë Osmne, Tiranë 1977, f. 81)

8. E përmuajshmja “Drita”-“Dituria” (“Ckronj mësimi e përhercime”) është e para revistë botuar në gjuhën shqipe. Doli në Stamboll rregullisht nga muaji gusht 1884 deri në korrik të vitit 1885: nga numëri 1-3 me emërin “Drita” dhe nga numër 4 deri në 12 me emërin “Dituria”.

“Drita”-“Dituria” përmbyll ciklin e sistemit të periodikëve që Sami Frashëri i shfrytësoi për popullarizimin e Shqipërisë dhe për të kërkuar e mbrojtuar yë drejtat e saj, liri e pavarësi.

Krahas drejtimit të gazetave e revistave të sipërpërmendura, Samiu bashkëpunoi edhe me të përkohshme të tjera të Stambollit, por edhe të Europës. Artikujt e tij vlerësoheshin në gazetën botërisht të të njohur “Tercümân-i Hakikat” (“Përkthyesi, zëri i të vërtetës”) si edhe në të pëditshmen franceze “Journal Des Debats”, që filloi të dilte në Paris në pranverën e vitit 1789. (“Tercümân-i Hakikat” ishte përditshmja e Konstandinopojës (sot-Stamboll), themeluar e drejtuar nga Ahmed Mid’hat. Numëri i parë u botua më 25 qershor 1878. Vijoi të dale pa ndërprerje deri më 12 janar 1924. Njihet si vatër e dijes dhe shkollë e gazetarisë turke.)

Në faqet e “Tercümân-i Hakikat” Samiu parashtroi platformën e Lidhjes së Prizrenit, ku “për herë të parë u paraqiten kërkesat shqiptare për pavarësi përpara opinionit turk çka shkaktoi polemikë mjaft të madhe”. (Revista “Gjurmime Albanologjike” – Seria Shkencat Historike, Prishtinë, 1968, nr. 1. , f. 109).

Studiues të Sami Frashërit që kanë shfletuar gazetat kryesore sjellin të dhëna me referencat përkatëse për lëndën, përmbajtjen që karakterizohet nga propagandimi aktiv e sistematik i idetëve të Rilindjes Kombëtare, i çështjes shqiptare dhe përpjekjet për të drejtat, për liri, autonomi e pavarësi.

U shkruan dhe botuan artikuj, kryeartikuj e pamflete për fatin e Perandorisë Osmane në tërësi dhe të Rumelisë në veçanti; për fuqitë europiane dhe të ashtuquajturën çështje të Lindjes; për copëtimin e territorit të Shqipërisë në favor të të shteteve shovene fqinj; për Greqinë, trillet e aspiratat e saj në Epir e Thesali; për fanatizmin fetar e nacional grek; për probleme të reformave, të sistemit konstitucional, të lirisë, barazisë, të riorganizimit të aparatit shtetëror, etj. Këto ide e probleme trajtohen më gjerësisht në të përditshmen:

Samiu e filloi punën në këtë fletore me një editorial për lëvizjet politiko-shoqërore, ku përkrah forcat e reja kundër botëkuptimeve e praktikave të vjetruara. Ai shfaq mendimin se forcave të moderuara e progresive u takon e ardhmja dhe se do të vijë dita kur ata “do t’ia ndryshojnë shoqërisë njerëzore strukturën e trajtën”. (“Terçuma n-i Sark”, nr. 74, dt. 10 prill 1878). Pareshtur shkruan dhe mbron të drejtat e kombit shqiptar dhe kufijt e Shqipërisë. (Gazeta “Terçuman-i Sark”, nr. 87, dt. 23 korrik 1878)

Njihej opinioni i kryeqytetit të Turqisë me informacionet, interpretime dhe mendime për Shqipërinë dhe shqiptarët, të shprehur qartë dhe me argumente. Me atë ton, nivel e saktësi “për herë të parë u paraqiten kërkesat shqiptare për pavarësi përpara opinionit turk, çka shkaktoi polemika të mëdha”. (Revista “Gjurmime Albanologjike” – Seria Shkencat Historike, Prishtinë, 1968, nr. 1, f. 109)

Ishte koha, kur Kongresi famëkeq i Berlinit (1878), që zhvilloi punimet nga 13 qershori deri më 13 korrik Me Traktatin e Shën Stefanit, “turqët do të largoheshin nga Ballkani dhe trojet shqiptare do të shpërndaheshin…”. (Nexhip P. Alpan – Nesip Kaçi, Shqiptarët në Perandorinë Osmane, Tiranë, 1997, f. 71) Gjysma e trojeve shqiptare iu “dhurua” shteteve sllave ballkanike, Bullgarisë, Serbisë dhe Malit të Zi.

Samiu reagoi dhe flakë për flakë ia zbuloi petët lakrorit. Së pari, gjente rastin për të nxjerrë në pah rolin armiqësor të Fuqive të Mëdha që, për interesa e konjuktura politike, sakrifikonin trojet shqiptare dhe Shqipërinë. Duke bërë fjalë për përpjekjet e Rusisë për pansllavizmin ballkanik e më tej, “Tercuman-i Sark” vinte në dukje se “Synimi i Rusisë ishte që Traktati i Shën Stefanit…t’i jepte (dhe ia dha) Bullgarisë trojet e Shqipërisë, që një ditë të dalë në Adriatik”; trevat veriore të Shqipërisë veriore, “…Prishtinën, Prizrenin dhe Shkodrën, ia falte Serbisë dhe Malit të Zi; ndërsa ato jugore, domethënë Sanxhakët Prevezë, Janinë dhe Gjirokastër, i premtoheshin Greqisë, duke e zhdukur e fshirë Shqipërinë nga harta”. (Gazeta “Terçuman-i Sark”, 3 janar 1879) Së dyti sjell fjalën dhe zërin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit qëllimi i së cilës ishte “të shpëtonte nga copëtimi tërësinë territoriale të Shqipërisë dhe të përmirësonte gjëndjen e saj të brendshme me anën e reformave” të përshtatshme për vendin”. (“Tercuman-i Sark”, 24 dhjetor 1878)

“Zëdhënësi i Lindjes” u bënte të ditur lexuesve dhe qarqeve zyrtare misionin e Kuvendit Shqiptar të Prizrenit, për të drejtat e kombit shqiptar dhe kufijt e Shqipërisë. (“Tercuman-i Sark”, 23 korrik 1878, nr. 87), formuluar në 7 pika. Disa prej tyre: “. Të ruhet e drejta e sovranitetit të personit, të madhësisë dhe të mos u jepet nga toka e Shqipërisë asnjë pëllëmbë tokë popujve tanë fqinj”; të kërkojmë “të drejtat e një Vilajeti autonom me emrin Vilajeti i Shqipërisë ku të përmbledhë tre vilajete: të Kosovës, të Shkodrës dhe të Janinës”; ”Pa marrë parasysh dallimet fetare dhe klasore të zgjidhen në mënyrë të barabartë këshillat e nahijeve nga popullsia e tyre; nga këto këshilla, po në atë mënyrë, të zgjidhen këshillat e kazave; po ashtu, nga këshillat e kazave të zgjidhen këshillat e sanxhakëve, dhe nga ato, Këshilli i madh i Vilajetit”. (Gazeta “Terçuman-i Sark”, nr. 148, dt. 15 shtator 1978)

Në editorialin “Evropa perëndimore në Prizren” tregohet se punimet në seancat e Lidhjes së Prizrenit vijojnë rregullisht. Delegatët “në Kuvend janë pa ndryshim feje e krahine shqiptare, duke zbatuar parimet e përparuara të Europës. (“Tercuman-i Sark”, 17 gusht 1878, nr, 108)

Samiu mpreh polemizon me gazetarë e gazeta të ashtuquajtura “autoritare” duke iu kundërvënë qëndrimeve të tyre pro mosqënies së Shqipërisë. Disa tituj shkrime: “Mbi intrigat greke e sllave në Rumeli”, “Polemikë me gazetën greke “Neologos”, kundër politikës austro-hungareze”, “Polemikë me gazetën serbe “Istok” (Burimi) dhe “Die Presse” të Vjenës”, “Mbi politikën grekomadhe në Europë”, etj.

Një prej gazetave që përpiqej të tjetërsonte realitetet e Shqipërisë ishte e përkohshmja greke “Neologos”, që qarkullonte në “Stamboll”. Ajo ishte ndër të parat gazeta që përkrahen Traktatin e Shën Stefanit dhe iu kundërvunë Lidhjes Shqiptare, themeluar në Prizren më 13 qershor 1878, duke intriguar se “Shqiptarët myslimanë po përpiqen për të formuar principatën shqiptare”. “Tercuman-i Sark” iu përgjigj me kryeshkrimin Mbi intrigat greke e sllave ne Rumeli, duke argumentuar lashtësinë historike të Shqipërisë. (“Tercuman-i Sark”, 24 qershor 1878, nr. 75). Në vijim të polemikave me mashtruesit, “tellallët profesionistë” çirreshin për gjoja përçarjet e shqiptarëve. Intrigat sllave e greke”.

Këtyre intrigave u kundërvihen edhe historianë të njohur. Studiuesi britanik Noel Malcom në librin e tij “Bosnja, a short history” nuk përmend asnjë përpjekje të shqiptarëve për t’u implikuar në mbrojtje të vilajetit të Bosnjës në emër të motiveve fetare apo të luajalitetit perandorak. “E nëse ka ekzistuar një “simbiozë e ngushtë”, ajo është thjeshtë politike dhe aspak fetare-ngulmonte Malcom. ”. (Gazeta “Terçuman-i Sark”, nr. 109, dt. 4 gusht 1978) E këtij mendimi ishte edhe fletorja francese “Journal de Debat”, që, duke shkruar për Lidhjen e Prizrenit, argumentonte: “Ndërmjet kryengritjes boshnjake dhe asaj shqiptare ka një ndryshim: boshnjakët janë nxitur kryesisht nga fanatizmi fetar; kurse shqiptarët janë të mveshur nga ndjenja e kombësisë dhe sedra kombëtare pa kurrëfarë fanatizmi fetar”. (Gazeta “Terçuman-i Sark”, . 29 gusht 1978) Kësisoj janë edhe polemikat me gazetën “Istambull, që përkrahte interesat greke për çeshjen e kufirit shqiptar dhe me gazetën serbe “Istok”. (“Tercuman-i Sark”, 11 gusht 1878).

Sami Frashëri guxonte të publikonte në këtë fletore turke edhe kronika e lajme nga veprimtaria e bashkësive shqiptare si “Komiteti Qendror për mbrojtjen e të drejtave të kombësisë shqiptare” (Terçuman-i Sark”, 3 janar 1879) dhe të mbajë qëndrime si në kronikën “Mbi vrasjen e mareshallit Mehmet Ali Pashës në Gjakovë”, ish-komandant në frontin e Danubit në Luftën Ruso-Turke l877-l878 dhe përfaqësues i qeverisë turke në Kongesi e Berlinit. Në të theksohet: se ai ishte “Marshall në Prizren pat bërë që të pushkatoheshin qindra shqiptarë…; “ai shkonte “misionar “misionar për shpërndarje e Lidhjes” dhe “tokat e shitura në Berlin t’i dorëzonte me dorën e vet”. (“Tercuman-i Sark”, 13 shtator 1878)

Dhe më 1879, politika shqiptare e të së përditshmes “Terçuman-i Shark” dhe jehona e saj edhe tej kufijve të Turqisë u bënë shkas që botuesit, nën trysninë e administratës së Stambollit, ta largonin Samiun nga drejtimi i gazetës.

Samiu përmbyll veprimtarinë gazetareske jo me fletore turke, por me të paren revistë didaktiko-pedagogjike shqiptare “Drita”-“Dituria” (“Skronjmësime e përherçme”). Ai ishte ideuesi, orientuesi dhe drejtuesi i saj. Prof. dr. Nasho Jorgaqi saktëson: “Samiu ishte kryeredaktor. (Artikulli “Detaje nga jeta pivate e intelektuale e enciklopedistit Sami Frashëri” – “Shqiptarja.com” Online, Tiranë, 18 maj 2014, 7:20) Ndërsa historiania Nina Smirnova, pasi e afirmon Sami Frashërin si “personaliteti më i spikatur” i ideologëve të Rilindjes” argumenton: “Me nismën e tij, filloi të botohet në Stamboll më 1884 “e para gazetë e shqiptarëve,  “Drita”-“’Dituria”…”. (Nina Smirnova “Historia e Shqipërisë përgjatë shekullit XX, Moskë, 1992, Botim i SHB “Ideart”,Tirane, 3004, f. 29)

Samiu e merrte këtë nismë me atributet e kryetarit të Shoqërisë së të Shtypur Shkronja Shqip. (Kjo Shoqëri e shqiptarëve të Stamboll u krijua në Stamboll në tmuajin tetor të vitit 1879) Revista doli në Stamboll rregullisht nga muaji gusht 1884 deri në korrik të vitit 1885.

Leja e botimit nga Porta e Lartë zyrtarisht iu dha shqiptarëve ortodoksë Petro Poga (“Drita” – nr. 1-3) dhe Pandeli Sotirit (“Dituria:, nr. 4-12), që të dy anëtarë të Shoqërisë së të Shtypurit Shkronja Shqip.

Misioni zyrtar, miratuar nga Qeveria në lejen e botimit të “Dritës” është “ndritja e mendjes me çdo farë diturie”. Duket prirja e redaksisë për të ushqyer lëvizjen kombëtare me dashurinë për gjuhën shqipe, për të mësuarit dhe edukatën në gjuhën amtare, detyrë kryesore e Shoqërisë së të Shtypurit Shkronja Shqip. Ndihmesë të shumëvlertë për mbarëvajtjen dhanë veçanërisht Naim Frashëri, Jani Vreto dhe Koto Hoxhi.

Revista ishte e profilit pedagogjik, por edhe si një organ kulturor shkencor, letrar e më tej, me synime të dukshme, me përmbajtje e prirje të kombëtare. Me një përkujdesje të admirueshme gjuhësore janë hartuar shkrimet, duke ndikuar kështu te lexuesit në të mësuarit e të edukuarit për një shqipe të shkruar, një toskërishte e punuar për atë kohë. Drejtimi letrar “merr vlera të veçanta, parë në dritën e kohës. Numri i parë hapej me vjershën e mirënjohur të Naim Frashërit “Fjalët e qiririt“..

Me artikuj shkencorë, shkruar në gjuhë të kuptueshme për fëmijë dhe të rritur, motivohet orientimi kulturor-shkencor. Në rubrikat e shtyllat e revistës janë botuar disa shkrime me karakter studimor, me arsyetime e meditime filosofike të Sami Frashërit, Naim Frashërit, Jani Vretos e Pandeli Sotirit.

Edukimi qytetar është një nga tiparet e këtij organi shtypi dritdhënës. Sami Frashëri botoi disa shkrime didaktike për edukimin dhe formimin qytetar të lexuesëve; mësohej se “Qytetaria është rrojtje e njeriut mbi dhetë me dituri, me urtësi, me butësi, me pasje e me çfarëdo lehtësije”. Me këto synime, Sami Frashëri botoi një cikël shkrimesh-ligjërata: Qytetari e grekëve, Qytetari e Arabisë dhe Qytetari e Europianëvet. Naim Frashëri me “Fjalë për të vegjëlitë” ushqenyt dashurinë për “mëmën e atënë, motrën e vëllanë, miqtë e fqinjët, farë e fisnë dhe gjithë njerëzinë”.

Atdhetarizmi ishte tipari themelor i përmbajtjes. Shquhej Naim Frashëri për kurajo qytetare tek dilte jashtë kornizave të përcaktuara nga Qeveria e Stambollit në lejen e botimit. Në poezinë alegorike “Shkëndij’ e diellit manushaqes“, poeti l këndon Shqipërisë, rrezaton të ardhmen e saj, shpreh realitetin, por inkurajon, zgjon shpresën dhe orienton për ardhmeninë. Në vargjet e Koto Hoxhit ndërthuret dëshira për dituri e mjeshtëri me atë të dashurisë e të bashkimit kombëtar. Në dritë të diellit pohohet në një shkrim diturak se “shqiptarët sot gjithë janë një komp…kanë një gjuhë, një gjak, një zemër e një fis“.

Trashëgimia publicistike e Sami Frashërit është e begatë. Ajo ka të bëjë edhe me njohjen dhe studimin e proceseve e dukurive të zhvillimit të gazetarisë shqiptare, me rolin e madh të shtypit në të gjithë jetën e shoqërisë, veçanërisht në atë periudhë të rëndësishme për kombin e vendin tonë.

Samiu “gazetarinë e bëri mjeshtëri të dytë” (Shih – Histori e Letërsisë shqipe – tekst për shkollat e mesme, T. 1960, f. 10) si nevojë e domosdoshmëri, ashtu si edhe rilindasit tjerë, për të ushqyer nga ana ideologjike dhe politike lëvizjen për çlirimin kombëtar dhe, për ato kohë, autonominë e Shqipërisë.

Ai lëvroi kryesisht zhanret analtike të gazetarisë. Më së shumti shfrytëzonte kryeartikullin (editorialin) si lloj shkrimi orientues që shpreh mendimin e qëndrimin e redaksisë për çështjen e shtruar, Ishte edhe mjeshtër i artikullit me strukturë pamfleti, “…me stil polemik, mbështetur në argumenta të pakundërshurueshme”. (Profesor Hasan Kaleshi Gjurmime Albanologjike, Prishtinë, l968, nr. l. f. l04)

Samiu ka dhënë kontribut me vlerë edhe për parimet, ligjësitë dhe organizimin e shtypit. Ai formulon pikëpamjet e veta për gazetarine. Së pari,  thekson se: “gazeta duhet të jetë e dobishme për të gjithë dhe shërbimi që do të kryejë të jetë për të gjithë”; “Të shkruhet shkurt, me një gjuhë të kuptueshme për të gjithë” dhe gazeta “ të kushtojë lirë që gjithsecili të ketë mundësi ta blejë”. Me tej lartëson figurën e gazetarit, si njeri që i përkushtohet idealeve shoqërore” Dhe i këshillon: “Gazetari interesin personal duhet ta vërë nën interesin e dobinë e shoqërisë”. (Artikulli “Në vend te programit” – Gazeta “Sabah”, 9 janar 1876)

“Samiu ka qenë gjithmonë përkrahës i së resë, përparimit, i ideve të reja, larg nga metoda e atëhershme.që prej kurrgjaje me shpikë probleme, nuk përzihej në diskutime të kota”. (Profesor Hasan Kaleshi -Gjurmime Albanologjike, Prishtinë, l968, nr.l , f. 111).

Pas një veshtrimi sado të shkurtër të veprimtarisë publicistike të Samiut mund të arrinet në tre përfundime: së pari, gazetaria ishte pjesë e tërë qenies së tij shoqërore, kulturore, politike; së dyti, Samiu shfrytëzoi publicistikën për interesa thellësisht kombëtare në momentet më të rëndësishme për Shqipërinë dhe shqiptarët; së treti ai ishte mjeshtër i polemikës me mediat e kohës. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat