Paqja në zemrën e një gruaje të hekurt

Kultura

Paqja në zemrën e një gruaje të hekurt

Nga: Pajazit Krasniqi Më: 11 prill 2021 Në ora: 20:13
Pajazit Krasniqi

Ndonëse nuk më ka rastisur ta njoh ende nga afër, nga shkrimet e saj dhe nga të tjerët për të, kuptova që zonja Behide Hasanaj, në zemrën e saj është e mbushur me paqe. Figura e zonjës Hasanaj, është figurë tipike e femrës shqiptare, e cila përgjatë rrugës jetësore kaloi nëpër shumë labirinte të jetës. Që nga nisja për në mërgim, vdekja e bashkëshortit dhe rritja e dy fëmijëve në një vend të huaj, japin për ta kuptuar forcën prej një zonje të hekurt, e cila tërë ato vështirësi i shndërroi në fuqi për ta vazhduar rrugën e saj jetësore. Nëpër labirintet e jetës, ajo nuk u dorëzua asnjëherë. Ato nuk i shndërroi në urrejtje, përkundrazi, tërë atë barrë që koha ia ngarkoi mbi supe, Behide Hasanaj e shndërroi në paqe.

njërin nga rrëfimet e shumta, ajo përshkruan me plot emocione largimin nga shtëpia, në të cilën vite më parë e kishte hequr duvakun e nusërisë. Aty ku kishte ëndërruar se do t`i rriste nipat e mbesat, duke përkundur djepin e duke u kënduar ninulla. Behide Hasanaj, rrëfen: “Bashkëshortin ma morën këmbëzbathur ushtria serbe. Mbeta e vetme me amanetin e burrit tim: “Shpëtomi fëmijët. Dilni nga shtëpia, të paktën ju të jetoni”. Bukë nuk kisha, e as para. Nuk më dhanë as afat të merrja se iknim që ta shpëtonim jetën nga regjimi serbo-sllav gjatë demonstratave të viteve të 80-ta, në Kosovë”. Pa bukë e pa ujë, siç thotë populli, shtrojë tokën e mbulojë qiellin, ajo detyrohet që të shkojë në Zvicër për të vazhduar jetën me fëmijët e saj, që i kishte amanet nga burri.

Kontributi i saj njihet qysh në vitet e 80-ta, kur ajo si përkthyese, ndihmoi shumë shqiptarë vullnetarisht në Zvicër, të cilët ia mësynin mërgimit duke ikur nga torturat shoviniste serbe. Secili shqiptar që e njihte znj. Behide Hasanaj në mërgim, shihte se karakteri i saj përbëhej nga dëshira e zjarrtë për ta ndihmuar kombin shqiptar, me të gjitha mundësitë që kishte.

Karakteri prej humanistes shpalos edhe shpirtin e saj të lidhjes me vendlindjen. Natyrisht, të gjithë bashkatdhetarët janë të lidhur me vendin e tyre të origjinës, por Behide Hasanaj, përmes shkrimeve të saj, i ka treguar botës edhe për gjenocidin që kreu Serbia në Kosovë gjatë luftës së fundit. Ajo, për më tepër, ishte edhe dëshmitare e atyre ngjarjeve, duke parë tmerret me sytë e vet. Për të, nuk ka asgjë më të vlefshme se sa jeta, por jeta e secilit duhet të jetë në paqe. Prandaj, në kohën kur bota po përballet me luftëra të përgjakura dhe luftë pandemike, ajo bënë thirrje për paqe mes njerëzve, për të vazhduar të sigurt drejt të ardhmes.

Në fund, duke u mbështetur në kontributin e saj prej humanisteje dhe punës së palodhshme për mbarë kombin shqiptar e më gjerë, si në luftë ashtu edhe në liri, propozoj që institucionet relevante, këtë grua të hekurt, por e mbushur përplot me paqe, ta shpallin Qytetare Nderi e Kosovës.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat