Çlirimin e Kosovës e raportojnë tre gazetarë

Kultura

Çlirimin e Kosovës e raportojnë tre gazetarë

Më: 14 qershor 2021 Në ora: 12:08
Çlirimin e Kosovës e raportojnë tre gazetarë

Të nesërmen e nënshkrimit të Marrëveshjes së Kumanovës e cila i dha fund luftës në Kosovë, u nisa me autobusin e parë nga Struga në Shkup. Kisha kohë që nuk kisha ushtruar profesionin tim të gazetarit, pas një përvoje unike me korrespondentët e huaj nga “Los Angeles Times”, “Radio CBS”, “San Franscico Chronicle” etj. Mora në telefon kolegun e së përditshmes “Rilindja”, Blerim Rekën, i cili ma preu shkurt: “Hajde se Bedriu dhe unë duam ta nxjerrim një numër të gazetës!”

Edhe pse e dija se ai e din mirë çka do të thotë të botosh gazetë të përditshme, e pyeta se a ishte i ndërgjegjshëm për atë që më tha; si ka mundësi që tre veta të botojnë një gazetë të përditshme. “Eja ti në çarshinë e Bitpazarit në Shkup e mandej e shohim”, më tha Blerimi dhe ma këputi lidhjen telefonike. Blerim Rekën, si shkupjan që ishte, dhe Bedri Sadikun, preshevar i ngulitur në Shkup si korrespondent i “Rilindjes”, i gjeta në një lokal të vogël me papafingo, bashkë me heroin e paimponuar që rrinte në prapavijë, Jonuz Zymberin, roli i të cilit do të vijë në shprehje më vonë gjatë procesit të shtypjes dhe distribuimit të gazetës më të vjetër në gjuhën shqipe në hapësirën e ish-Jugosllavisë. Në atë lokal ishin vendosur ca kompjuterë ku shpresonim ta faqosim gazetën dhe ta shpërndajmë me 12 qershor në të gjitha kampet e refugjatëve dhe qytetet shqiptare të Maqedonisë.

Blerim Reka mori përsipër gjithë gazetën 12-faqëshe “Rilindja”; Bedri Sadiku, si korrespodent me shpirt luftarak, gazetar që të çonte morrnicat, mori për detyrë të hyjë në Kosovë me trupat e para të KFOR-it. Mua, si gazetar i rubrikës së politikës së jashtme, m’u nda detyra që të përgatisja tri faqe gazetë me jehonën që çlirimi  i Kosovës po bënte në mediet botërore. Ndërkohë që shkonim e vinim te zyrat e korrespondenturës në qendrën tregtare Qairqanja, ku Bedriu kishte zyrën e “Rilindjes”, kisha drojën e madhe se si do të dalë kjo gazetë nga ne tre gazetarë. I thashë Blerimit se e kam ndërmend ta shkruaj një editorial me titullin “Kosova, Neoshqiptarizma për Shekullin e Ri”, për ëndrrën time të lirisë. Blerimi po bënte gati editorialin e tij që u botua në ballinë për normalizimin e Kosovës. Bedriu kishte bërë gati fotoaparatin dhe notesin e tij të gazetarit dhe e kishte detyrën më të vështirë. Fati po na buzëqeshte që në fund të informonim lirshëm dhe sipas ndërgjegjes sonë profesionale. Sa me fat, sa përgjegjësi, sa gëzim dhe sa ndjenja të përziera qëkur një gjakim historik përmbushet duke u bërë realitet, fillon të shohësh rreth vetes me mosbesim se a është e vërtetë kjo që po ndodhte.

Të nesërmen me 11 qershor 1999, Bedriu ishte nisur herët për në Kosovë, ndërsa me Blerimin dhe shokun e tij të ngushtë, Jonuzin, hapëm dyqanin ku do të faqosej “Rilindja” e lirisë. Secili nga ne kryenim punën tonë, me mendime te Bedriu. Lajmet për disa vrasje të qytetarëve të Prishtinës na goditën fort, por nuk arritën të na ndalin frymën.

Dikur pasdite vonë, Bedriu kthehet. Rrëfen për rrugëtimin e tij nga Shkupi deri në Prishtinë. Kur trupat e para të KFOR-it ishin ndalur për pak në rrugë afër Lipjanit e ai pa e ditur kishte hyrë në qendër të Prishtinës dhe te Hotel Grandi po merrte fotografitë e trupave ruse dhe soldateskës së harlisur serbe. Në atë tollovi ku të gjitha palët për arsyet e veta synonin të defilonin në shesh, Grandi ishte shndërruar në pikë nevralgjike. Një shkëndijë mund ta rindizte konfliktin e armatosur.

Bedriu erdhi si fryma e lirisë së plagosur dhe na rrëfente Prishtinën e rrezbitur nga izolimi, nga lufta dhe nga frika. Duke pirë cigare, duke ndërruar fjalë, duke punuar shpejt, dikur pas mesnatës arritëm ta faqosim “Rilindjen” në 12 faqe.

Jonuz Zymberin e kisha parë tek sorollatej me saktësinë e një zvicerani, nga detyra në detyrë në misionin e tij të përkrahjes së botimit, por nuk e kisha parë kurrë si i hapi sytë, qeshi me të madhe dhe e mori gazetën për ta dërguar herët nadje në një shtypshkronjë në Koqani. Të dërmuar nga dita më e ngarkuar emocionale në jetën tone, Blerimi dhe unë shkuam të bëjmë një sy gjumë. Puna e Jonuzit fillonte tek tash. Kur u zgjuam dikur vonë në mëngjes dhe pasdite, u takuam me Jonuzin e kthyer nga Ohri. Ne u vetëdijësuam se çfarë pune kishim kryer. Në të gjitha kampet e refugjatëve nga Kosova dhe qytetet shqiptare në Maqedoni, gazeta “Rilindja” ishte pritur si dallëndyshja e lirisë. Të gjithë ekzemplarët ishin shpërndarë gratis dhe gëzimi ishte aq i madh sa ishte larë me lotë. Kosova u çlirua dhe këtë akt e kishin shënuar tre gazetarë: Blerim Reka, Bedri Sadiku dhe Lulzim Mjeku.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat