Dhimbja që nuk përshkruhet me fjalë

Kultura

Dhimbja që nuk përshkruhet me fjalë

Nga: Tahir Bezhani Më: 28 korrik 2021 Në ora: 16:23
Tahir Bezhani dhe i ndjeri Haki Zllami

Ishte i rëndë lajmi për ikjen nga kjo botë e poetit, kritikut letrar, publicistit, personalitetit të shquar të jetës kulturore letra të Malësisë së Gjakoves e jo vetëm.

Haki Zllami ishte mbi të gjitha një njeri e mik i dashur,një burrë i shquar në Malësi,veteran i arsimit nëpër kohë të vështira të jetës së tij, ku la gjurmë të thella në kujtesën e njerëzve të atij rrethi.

Një burrë i fjalës së ëmbël e të urte, plot kuptim punë e jetë.

Haki Zllami ishte pjese e pandashme e aktiviteteve letrare mes krijuesve të Malësisë së Gjakovës,të cilët,vite të tëra të bashkuar rreth fjalës së ëmbël poetike, shemben shumë barriera, krijuan shumë ura bashkëpunimi, ku fjala poetike bashkoi shpirtrat e etur për njëri tjetrin pas gjysmë shekulli të ndarë.

Një rol të veçantë në këtë aspekt luajti edhe Hakiu, duke dhënë kontributin e tij të madh, me vargun, kritikën dhe publicistikën e tij të ndjeshme e plot tharm.

Si i tillë,do mbetet gjithmonë i paharruar në zemrat tona, të gjithë qytetarëve të Malësisë së Gjakovës e jo vetëm.

Haki Zllami, në ndërdijen tonë, do ngelet një përmendore e vlerave të kohës në të cilën tregoi gjithë potencialin e tij intelektual e njerëzor.

Para do kohe, kur e takova me disa miq, nuk e dita se do jetë përshëndetja e fundit, përqafimi i fundit, loti i pandalshëm i mallit.

Ndonëse i lodhur nga mosha, shpresoja se sërish do takohemi e përqafohemi, si përherë, miqësisht, ngrohtësisht e të dehur me bujarinë e tij ngazëlluese, me urtësinë e dashurinë njerëzore.

Tani, me dhembje e kuptoj se kurrë më nuk do e përqafoj!... Mbeta i "tradhtuar" në shpresën time, nuk dëshiroja të ndahem asnjëherë nga madhështia e tij e përjetshme....

Megjithatë, ligjet e natyrës, jeta e bënë të vetën....

Ndarja,thonë,gatuhet me bukën e mallit, me lot e me vaj.

Falënderoj fatin tim që e njoha një personalitet dhe pendën e tij të arte.

Prandaj, sot nuk do derdhi kokërr loti për mikun tim të dashur. Do e ndjej thellë dhimbjen përhumbjen, do ndihem krenarë që e pata mik e shok të tille, plot vlera të përjetshëm.

Lavdi jetës dhe veprës së tij! I qofte i lehte dheu i trojeve të shqiponjave! Shpirti i tij pushoftë në Parajsë!

Lamtumire mik i dashur!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat