Remzi Basha dhe mbretëria e përjetësisë me duvakun e nusërisë

Kultura

Remzi Basha dhe mbretëria e përjetësisë me duvakun e nusërisë

Nga: Baki Ymeri Më: 22 gusht 2021 Në ora: 15:10
Remzi Basha

Arti është pjellë e imagjinatës, ndërsa krojet e poezisë janë ndjenjat, iluzionet dhe ëndrrat. Poezia është pasqyra e shpirtit, simbol i ndjeshmërisë dhe hijeshive të jetës ku zbulojmë ikona të gjalla. Poezia e Remzi Bashës është dhurata hyjnore e qetësisë së shpirtit, jehona e një ndjeshmërie të brishtë, prodhimi më i zgjedhur i meditimit ku lartësohen ndjenjat. Bota kuptohet më së miri përmes shpirtit të poetit. Poeti është mbret, por mbreti nuk është poet. Remzi Basha shkon nga shkon, por vendin e vet nuk e harron. Vëllimi respektiv është një kontribut i veçantë për kultivimin dhe afirmimin e dashurisë. Autori e ka krijuar profilin e tij letrar, i prezantuar në faqet e këtij libri me poezi origjinale, të ndjera dhe të shkruara në gjuhën amtare, në brigjet e mërgatës shqiptare në veri të kontinentit tonë.

Poetët janë do romantikë të dashuruar që nuk e masin thellësinë e lumit, por ndërtojnë mbi të ura – ura të qëndrueshme, përgjithmonë. Kurse atëherë kur nuk ka ura, poetët kalojnë me lundrat e tyre nga njëri breg në bregun tjetër. Dhe shpërblimi për këtë nuk është në euro, lira apo flori, por në buzëqeshje zogjsh, përfytyrimet e të cilëve reflektohen në ujërat e burimeve, të fontanave, të lumenjve, të detrave dhe oqeaneve.

Remzi Basha është autor i një lirizmi të ri, gjithmonë i mahnitshëm, gjithmonë i pasur në shprehje, thellësi dhe nynca. Vargjet e tij kanë mushtin e talentit të gjallë dhe janë një befasi e mirësearrdhur. Fjalët e ftojnë njëra-tjetrën në përngjitje të reja. Bukuroshja e ballinës së librit të tij është një mrekulli e gjallë që ka një hijeshi të bekuar dhe të freskët. Vargjet e autorit të kësaj vepre kanë flakën e diellit, rrezet e hënës, pluhurin e yjeve dhe freskinë e fontanës së thellë.

Ky poet i talentuar flet për jetën, për ëndërrat, për dëshirat, për metamorfozat sentimentale, për anatominë e dashurisë që mund të jetë e ëndërruar apo reale, për nostalgjitë, për mënyrën se si depërton deri në rrjedhën e kohës që ende është e gjallë, për shpirtin mistik kur engjëjt apeluan për paqen planetare, duke kërkuar një mënyrë të veçantë për të jetuar, për të kuptuar vetminë e papritur, për pulëbardhet a paqes kur gjumi I zgjuar vjen pa trokitur, për hapat që vijnë pa bërë zë, për zemrën e zhurritur për dashurië për Dardaninë e zemrave tona, përatë vend të bekuar ku mrizon dashuria.

Remzi Basha shkruan për një vend ku merr frymë dashuria, për fjalët e nusëruara me fjalë, për ndjenjat e dashurisë dhe të lumnturisë. Ai është një shpirt i veçantë që dashuron, që psherëtin, që qesh, që qan, që gëzohet, që pëshpërit përmes metaforave. Poezia bashiane është mbretëresha e përjetësisë, e mbështjellur me duvakun e nusërisë. Njerëzit e thjeshtë nuk e marrin parasysh kuptimin e plotë të fjalëve, edhe atëherë kur ne duam t’u japim një shpjegim rëndësisë së tyre. Fjala e frymëzuar paraqet çdo gjë që ka ndodhur në mendjet tona. Autori i kësaj vepre është një qenje fisnike e lindur me oreks për poezi dhe metaforë, për një poezi që ka potencial për të tërhequr lexuesit

Në vargjet e tij lindin dëshirat për t’i parë bukuroshet e etshme për dashuri, për ta parë Afërditën mes pulëbardhave e dallëndysheve. Zogjtë e Remziut zbresin nga qielli duke rrahur krahët e ndjesive të holla lirike. Ai shkruan me guximin e spikatur burrëror për hijeshitë e femrave që posedojnë aftësinë profesionale për t’u ngrohur me rrezet e diellit dhe për të çarë hapësirat e pafundme të qiellit. Në gjendje emocionale ëndërron duke ndjekur fluturimin e fjalëve që e stimulojnë heroin lirik të dashurisë dhe heshtjen e rrugëve që flisnin dikur për ne. Poeti është një personalitet kompleks, i admiruar dhe i talentuar, i lindur në Mbretërinë e Poezisë, për të cilin poezia është ëndërr dhe ëndrra është poezi.

I arrdhur nga Sllapuzhani i Dardanisë, Remzi Basha është mbret i metaforave subtile, delikate dhe komplekse. Ndërmjet vargjeve të tij fshihen fjalë të shprehura dhe të pashprehura, të cilat konturojnë kuptime të thella me fjalë të tjera të mbyllura ndërmjet faqeve të librit. Autori i këtij vëllimi është laureat i një numri të konsideruar mirënjohjesh, i pranishëm në publikime të panumërta letrare, në antologji, në takime, në festivale, në evenimente kulturore. Magnetizmi i veçantë, sidomos proza dhe poezia, i kanë sjellë qindra e mijëra miq e dashamirë, realë apo virtualë, gjithmonë duke pritur me padurim për t’ia lexuar dhe deshifruar mendimet dhe ndjenjat.

Remziu ka guximin dhe forcën për të rehabilituar lirikën erotike, sociale, universale dhe mendimtare të botës shqiptare. Këtë e bën me shije të veçantë, me forcë dhe mjeshtëri. I jashtëzakonshëm është poeti me vertikalitetin e tij tematik dhe me formulat lirike, me humnerat dhe majat sentimentale të poemave që të shpiejnë, si në një labirint, nëpër rrugët më të paparashikueshme, për të të nxjerrë në liman, mu atëherë kur mund të kesh humbur shpresën dhe kuptimin e kërkimit.

Poezia është një dhuratë hyjnore, testamenti i jetës dhe dimensioni më i pastër që ka çdo qenie njerëzore. Remzi Basha u lind për të sjellë gëzim dhe bukuri. Përmes bukurisë hyjnore në poezitë e tij, ai pushton zemrat, simpatinë dhe entuziazmin e të gjithë lexuesve dhe shkrimtarëve shqiptarë. Autori me shpirtin e tij delikat dhe të jashtëzakonshëm, depërton në botën e përjetësisë me dashuri hyjnore në krahët e ëndrrës. Ai vjen para nesh duke e shijuar parfumin e fjalëve, duke flutuar nga fjala në fjalë dhe nga mendimi në mendim.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat