Njohja me Sébastien Gricourt në Paris

Kultura

Njohja me Sébastien Gricourt në Paris

Nga: Bajram Sefaj Më: 19 tetor 2021 Në ora: 17:29
Bajram Sefaj

Është student i vitit të tretë të gjuhës shqipe pranë Institutit të Gjuhëve Lindore të Parisit, Emri dhe mbiemri i tij i plotë është: SébastienGricourt.

Letra e tij e shkurtër, e botuar, ditë më parë, në faqet e Rilindjes, me vërejtjen e redaksisë: - “e botuam pa kurrfarë ndryshimi, ashtu si na erdhi...” – është ajo që i dha rrugë takimit dhe njohjes më për së afërmi me këtë të ri francez. Me të lexuar të tekstit të shkurtër por të ngrohtë, me një imtonim miqësor, pa hezituar asnjë çast, shkëpus copëzën e gazetës dhe me një fjalë (porosi) të shkurtër falënderimi e dëshirë për t`u takuar, ia nis në adresë të tij. Të nesërmen, hiç më larg, marr këtë përgjigje prej Sébastien-it që e riprodhoj, me këtë rast, në tërësi: “Letrën tuaj e mora me shumë qejf dhe do të jetë për mua një nder i vërtetë të bisedoj me ju. Kështu, ne mund të merremi vesh për t`u takuar të ënjtën në orën shtatëmbëdhjetë e tridhjetë tek burimi “SaintMichel”. Jam shtatgjatë dhe do të mbështetem tek parmak metroje, duke lexuar “Rilindjen”. Po nuk i përshtatet ky takim programit tuaj ja numri i telefonit, ku do të më keni në çfarëdo ore në mbrëmje dhe më rrallë ditën”. Mirupafshim SébastienGricout. Derisa në vendin dhe në kohën e caktuar po bëhej gati që nga trasta të nxirrte “Rilindjen”, ia pres: zoti Sébastien, ja ku më ke...!

Bisedën nuk e fillojmë, por e vazhdojmë, sikur ta kishim nisur para shumë kohësh!

Të zënë në një ngushticë kohe, midis obligimesh, për ngut, pimë nga një kafe në bistronë e parë. Por, nuk harroj t`ia them se kam kënaqësinë profesionale të bëj një shkrim të shkurtër për të, duke llogaritur, që më parë, në gëzimin që ai shkrim do t`i sjellë lexuesit shqiptar. I erdhi mirë për këtë dhe premtoi se rrëfimin e tij të shkurtër të takimit me botën shqiptare do te hedh në letër dhe se bashkë me një fotos (portret) do e sjell në takimin e parë të ardhshëm. E lexova kallëzimin e tij disa herë dhe vendosa: do e ndjek urtësinë e redaksisë së “rilindjes” dhe tekstin e këtij miku të shqiptarëve do e qes në letër pa asnjë lakim në interpretimin e tij, ngase, do e shihni edhe vetë, ishte i bukur e i pastër në virgjërinë e tij.

- Kam lindur më 14 korrik 1970 (dita e festës kombëtare frënge) në Bordo (Bordeaux). Gjatë verës së vitit 1990, bashkë me dy miq u nisëm për një udhëtim në Kosovë me qëllim që të hyjmë në Shqipëri pa vizë, sepse nuk na e kishte dhënë vizën ambasada shqiptare. Atje në Kosovë kaluam katër net: një në Prishtinë tek një njeri që pati frikë qysh të nesërmen për shkak të fqinjit, natën e dytë kaluam jashtë prapa një hoteli me një djalë shqiptar shtatëmbëdhjetëvjeçar, i cili u fliste si një burrë i pjekur ushtarëve serbë, të cilët vinin rrotull neve gjatë natës së tërë me qentë e tyre. Mandej, Gëzimi (ashtu quhej) na paraqiti me vëllamë e tij, vizituam Prizrenin që m`u pëlqye shumë, dhe flemë tek ata fshehurazi – të nesërmen, unë bashkë me dy miqtë e mi vajtëm për në kufi, ku na mori policia serbe. Para se të na hallakatnin plaçkat tona, gëlltita letrat me adresat e miqve tanë që na kishin pritur. Na këshilluan të iknim larg nga Kosova. Kështu e kaluam natën pranë lumit dhe vazhduam rrugën deri në Rumani ku kemi ende shumë miq. Atje u martua një nga miqtë e mi që ishte në Kosovë me mua. Më tha një ditë ai se donte të fillonte studimet, sepse kishte dy vejte që e kishim mbaruar të dy gjimnazin dhe kalonim kohën vetëm në punë dhe udhëtim. Kështu, ai vendoset të studionte gjuhën rumune në Institutin e Gjuhëve dhe të qytetërimeve Lindore në Paris, ndërsa unë u regjistrova për gjuhën shqipe, sepse më kishin prekur shumë dashamirësia dhe guximi e shqiptarëve të Kosovës, por edhe sepse Shqipëria ishte një vend ku nuk më kishin lejuar të hyja.

 Vitin e dytë e kalova tek një familje shqiptare në Tiranë, ku flisnin vetëm shqip. Udhëtimin e parë e kisha bërë gjatë korrikut 1992. Gjithsej qëndrove tetë muaj në Shqipëri. Fillova hulumtimin mbi historinë e Voskopojë për diplomën e ardhshme. Kjo është një temë që më intereson shumë. “Moscopolea” është për mua një simbol i ballkanikëve që jetojnë bashkë dhe në mirëkuptim të plotë larg nga nacionalizmi që e shkatërroi fytyrën e krahinës ballkanike. Edhe dua të flas për meritat e panjohura të arumunëve në fusha të ndryshme të historisë dhe të kulturës ballkanike. Në ëndrrën time isha në Voskopojë, duke punuar në shtypshkronjën e Akademisë së Re, kështu që pas studimeve e kam si qëllim të krijoj një shtëpi botuese, ku do të botoheshin autorë me vlerë dhe tolerantë të të gjitha vendeve ballkanike që të bëheshin më të njohur në Francë dhe më të afërt të Evropës Perëndimore. Tani shpresoj se do të fitoj për vitin e ardhshëm një post si lektor në Universitetin e Tiranës.

Nga zemra dua të falënderoj ata që na kishin pritur kaq bukur në Kosovë, që më kanë falur shumë. Duke falënderuar atë Gëzimin e Prizrenit, përshëndes të gjithë shqiptarët që luftojnë me një durim kaq shembullor përpara syve të botës.

Ky ishte rrëfimi, i përshkruar, shkronjë për shkronjë, i djaloshit njëzetekatërvjeçar me emrin SébestienGricout (SebestianGrikur) nga Bordoja, tash student i rregullt i vitit të tretë të gjuhës shqipe në Institutin e Gjuhëve dhe të Qytetërimeve Lindore (Inalco) në Paris. Gëlltitja e letrave me adresat e miqve shqiptarë, që të mos bien ato në duart e policisë së egër okupuese, sikur i dha një kah të ri rrugës jetësore dhe ardhmërisë gjithandej të këtij të riu francez me plane e ambicie të mëdha që do t`i realizojë. Me gëlltitjen e letrave (me adresa e numra telefonash) të miqve të rastit shqiptarë, ai sikur gëlltiti mllefin kundër okupatorit dhe dha kushtrimin se do të mësojë gjuhën shqipe dhe se do të studiojë e do të njohë historinë, traditën e lashtë dhe kulturën e pasur të popullit shqiptar.

Sébestien-in e takojmë në (para) premierën e filmit “Larg barbarëve” të regjisores me origjinë shqiptare, Liri Begeja, e takojmë në koncertin e InvaMulës e të TediPapavramit, e takojmë në Sallonin e katërmbëdhjetë të librit, aty ku midis shkrimtarëve të tjerë të mëdhenj francezë, lexuesit parisien i prezantohet edhe shkrimtari shqiptar me famë botërore, IsmailKadaré. Sébastien-in e ri e takojmë gjithandej e kudo që në hapësirat e pakufishme të Parisit ndodh diçka lidhur me popullin shqiptar që ai e ka zgjedhur si të vetin. Këtë djalosh (“jam shtatgjatë”) e takojmë pothuajse çdo ditë, këtu e atje. Përherë me një trastë të madhe sipër supeve, të mbushur gazeta, revista e libra të autorëve shqiptarë që i lexon me pasion, e që një ditë mund t`i kthejë edhe një gjuhën e tij amtare, franceze. Midis librave të tjerët, kjo sikurse kuptohet vetvetiu, janë dy fjalorët e Vedat Kokonës frëngjisht – shqip me rreth 35.000 fjalë dhe me 1.208 faqe dhe shqip-frëngjisht më 25.000 fjalë që e shoqërojnë në çdo rrugë e në çdo çast. Në trastën e tij të madhe, miku ynë i ri, sikur bart peshën e rëndë të fatit të keq dhe brengën e madhe të popullit shqiptar që atij iu shfaq si në ëndërr, befas e papritmas krejt.                                                                                                          

(Paris, dhjetor, 1992)

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat