Akademia mbarëkombëtare e shkencave dhe e arteve

Kultura

Akademia mbarëkombëtare e shkencave dhe e arteve

Më: 20 tetor 2021 Në ora: 11:11
Foto ilustrim

Në vitin 2019, si një nevojë imediate, u bë publike nisma për krijimin e një Akademie të përbashkët të Shkencave dhe të Arteve të Shqipërisë e të Kosovës,për të cilën akademik Rexhep Qosja pati propozuar që të quhej Akademia Mbarëkombëtare e Shkencave dhe e Arteve. Si shumë nisma ta tjera (shqiptare), edhe kjo mbeti vetëm si një ide, fatkeqësisht e harruar. Kjo Akademi me përbërjen e saj, me krijimtarinë e saj shkencore, gjuhësore, historike, letrare, artistike si dhe me autoritetin e saj moral, do të bëhej institucion me rol të veçantë në jetën tonë shoqërore, kulturore, politike, arsimore, ekonomike.

Si e tillë ajo do të ushtronte ndikim të fuqishëm në parandalimin e shpërfytyrimeve dhe kundërvlerave të shumta që dukshëm e dëmtojnë kombin tonë! Akademik Qosja vlerësonte se ajo do të krijohej prej akademikëve të akademive të tanishme të Shqipërisë dhe të Kosovës, që do të kërkonin të bëheshin anëtarë të saj dhe prej krijuesve të tjerë të shquar të shkencave dhe të arteve nga Shqipëria, nga Kosova, nga trojet e tjera me shumicë shqiptare në Ballkan dhe nga diaspora.

“Akademia në fjalë do të luante rol jashtëzakonisht të rëndësishëm për organizimin, për mbarëvajtjen e bashkërendimin, për politikën e planifikimin, për strategjinë e zhvillimit të shkencave dhe arteve shqiptare në rrafsh mbarëkombëtar, për rendimin e punëve kërkimore-shkencore dhe për publikimin e rezultateve të atyre kërkimeve shkencore. Ajo do ta bënte të mundshëm shfrytëzimin e burimeve dhe të mundësive shkencore, profesionale dhe materiale vendore e ndërkombëtare për zhvillimin e të gjitha shkencave me interes për shqiptarët dhe shtetet shqiptare”, do të shprehet atëbotë akademik Rexhep Qosja.

Debati rreth kësaj nisme me rëndësi të veçantë patjetër se duhet të ringjallet, nëse për asgjë tjetër, atëherë për t’i treguar botës se është pikërisht gjuha elementi ynë bashkues, përkatësisht thelbi i gjitha segmenteve tjera që e bëjnë një popull të dallueshëm prej popujve tjerë. Përse kjo heshtje për një nismë me peshë historike? Përse kjo heshtje e inteligjencies shqiptare gjithandej ku jeton? Përse ky mohim i bashkimit shpirtëror? Përse kjo indiferencë përballë një nisme që është më shumë se e natyrshme, por mbi të gjitha e domosdoshme! /HEJZA/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat