M’tha Dani

Kultura

M’tha Dani

Nga: Sabit Abdyl Më: 21 tetor 2021 Në ora: 21:59
Ramadan Musliu

Dani, (Ramadan Musliu 1954-2020)  që në shkrimet e para paralajmëroi se është në ardhje një emër serioz në letrat shqipe. Në shtypin e kohës e lexoja çdo shkrim të tij edhe për faktin se ja njihja mirë zgjuarsinë e potencialin krijues.

Sa herë e takoja edhe përkundër diferencës në moshë ndalesha me Te. Të shtunave bënte prezantimin e librave të rinj në gazetën “Rilindja”.

Vështrimet e tij për librat ishin me ndikim te krijuesit. Sukseset që në rini të hershme nuk e dehen, nuk ja rriten mendjen. Vazhdoi të ishte vetja dhe të begatonte opusin e tij letrar, faqet e gazetave e revistave me shkrime në shtypin e kohës, të cilat zgjonin kërshërinë lexuesit. Më fascinonte mendimi i tij kritik edhe për krijimtarinë e emrave,  të cilët mendohej se janë të pagabueshëm.. 

Sa njeri me takt, qortues e këshillëdhënës ishte Dani po e ndaj me juve një rast timin: Në rininë e hershme timen, i them Danit, shkrimet i shkruaja  në fleta fletoresh dhe kur doja t’i dërgoja ndonjë gazete ashtu siç i shkruaja nuk botoheshin. Kur i censuroja ato nuk vlenin gjë prej gjëje dhe i hidhja.  “Mos i hedh, m’tha, vazhdo shkruaj, lej me një vend se nuk të lypin me hangër, mund të vijë koha i boton”.

Kudo e kurdo me qetësi e elegancë Dani bëri më të mirën për kulturën shqiptare e përtej saj, Pak përpara se të ndërronte jetë përkthimet brilante të tijat të poetëve eminent të botës i postonte në fb për çdo mbrëmje, duke na mundësuar kështu të lexojmë në shqip poezi perla. 

Ai më për qejfi e kishte poezinë, mendoj unë.  Në kohën nën okupim (1989-1999  ai njohu më mirë se askush tjetër rrethanat politike dhe mënyrën e gjetjes së rrugës për të qëndruar. Si themelues i LDK-ës e pluralizmit ai ishte në lidhje të përhershme me aktivitet që zhvilloheshin në kryeqendrën e Kosovës e rajonit të Moravës së Epërme. I gatshëm gjithmonë për punë të dobishme për çështjen shqiptare.

Dani pas çlirimit 1999 vazhdoi angazhimin e tij për shtetin funksional të Kosovës sipas modelit të shteteve me demokraci të konsoliduar, duke marr për bazë edhe vlerat e lashta iliro-dardane të zhvillimit autokton. Ikja e kampionit të urtisë, poezisë, kritikës, publicistikës në krejt gjeografinë shqiptare e jo vetëm, me 22 tetor 2020 më tronditi e njomi  sytë. Si është e mundur, mendova, para disa ditësh kisha folur me te përmes postës elektronike dhe më kishte thënë se  nuk ka ndonjë problem me shëndetin.

Heu, sa shumë humbëm me shuarjen e tij, sa shumë!. Dritë pastë!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat