Adoleshentët në kërkim të motiveve

Kultura

Adoleshentët në kërkim të motiveve

Nga: Fran Gjoka Më: 23 tetor 2021 Në ora: 11:51
Fran Gjoka

Jeta në shkollat shqiptare rrjedh dhe gjallëron përditë. Krahas përkushtimit të drejtuesve, mësuesve dhe nxënësve për zbatimin e programeve dhe përvetësimin e dijeve, herë-herë ndodh diçka që qortohet nga mësuesit. Disa nga adoleshentët vijnë të papërgatitur në mësim, të tjerë kanë ardhur pa bërë detyrat ose kanë “harruar” fletoret në shtëpi, dikush nuk është i vëmendshëm dhe gjatë orës së mësimit hedh vështrimin ëndërrimtar nga dritarja, dikush godet me një shuk letre shokun në krah të tij, një tjetër shkarravit mbi tavolinë emrin e sportistit apo këngëtarit të famshëm që ka për zemër etj. Pas mësimit këta nxënës adoleshentë, gjithnjë të zhurmshëm dhe të hareshëm, duan edhe të luajnë pakëz, të argëtohen, të bëjnë edhe ndonjë shaka, të tregojnë një anekdotë. Por, diku ndodh edhe ndonjë grindje apo sherr i mprehtë, një zënkë që nis si me shaka dhe shndërrohet padashur në një konflikt të rëndë dhe të rrezikshëm. Madje ndonjëri nga jashtë oborrit të shkollës, kërkon të bëj të fortin, ai dëshiron të dallohet nga të tjerët, të shfaqet origjinal në fjalët dhe në veprimet e tij. Ai kërkon të zbulojë rrugët që i duken të drejta për të qenë sa më interesant në jetë, të tërheqë vëmendjen e të tjerëve drejt tij.

Pa këto zhurma të hareshme nuk mund të kuptohet dot jeta e adoleshentëve. Nëse do t`i kthehemi realiteteve të shkollës, pas emrit të çdo nxënësi, pas numrit rendor në regjistër, pas çdo note, është një nxënës adoleshentë me botën e tij shpirtërore në formim, i brishtë, që ka nevojë të orientohet, të nxitet e të mësojë, paçka se ai për veten e tij thotë se “ i di të gjitha dhe s`ka asgjë për të mësuar”. Por ai ndihet keq kur ndien indiferentizëm ndaj tij, kur nuk e përfillin dhe nuk tregojnë interes për të. Ai ndihet keq kur nuk di se ç`të bëj, kur nuk ka motive në jetë. Në kësi rastesh për adoleshentët, një ditë nuk ndryshon nga një ditë tjetër, një muaj nuk ndryshon nga një muaj tjetër: “Ah, gjithnjë të njëjtat gjëra! Sa e mërzitshme është kjo jetë!”

Nxënësit adoleshentë fillojnë e bëhen melankolikë, mbyllen në vetvete, bien në pesimizëm e gjer në dëshpërim të thellë. Dhe ky është çasti më i rrezikshëm, sepse ata përpiqen të gjejnë ngushëllim dhe zgjidhje, duke hedhur vështrimin nga rruga, që i tërheq si “gjarpër i keq”.

Lexo po deshe hartimet e çiltra të disa prej këtyre adoleshentëve. Aty ata rrëfehen, aty shprehin diçka nga zjarri i shqetësimeve që i djeg përbrenda shpirtit, aty sheh se si ata përpiqen e përpëliten pa mundur të gjejnë gjithnjë rrugët më të drejta të jetës.

Shkolla, jo vetë parandalon të keqen, por ajo edukon dhe motivon jetën e nxënësve të saj.

Nuk them se këta adoleshentë duhet të mbahen për dore. Jo. Këtë, ata nuk e pranojnë, ndihen të fyer, por gjithsesi, ata duhen orientuar, duhen ndihmuar të kapërcejnë gjendjen stresante dhe të rënduar psikologjike. Ata duhen shkundur, duhen vënë në lëvizje, duhen hedhur në veprim. Në shkollë është vendi ku duhet të edukohen ndjenja dhe të nxiten ëndrra të bukura, është vend ku hedh shtat personaliteti i adoleshentit, ku ai orientohet drejt së bukurës dhe së mirës, së drejtës dhe progresives. Shkolla ka rolin e saj të padiskutueshëm dhe parësor në ndryshimin e gjendjeve dhe përsosjen e realitetit ku jetojmë. Është forca e arsimit dhe e kulturës që shpërndan mjegullën dhe errësirën, prapambetjen dhe injorancën, që i kundërvihet së keqes dhe ligësisë, që mbron të drejtat e adoleshentëve nga dhuna dhe arbitrariteti…Duke u ndodhur përballë vështirësive, duke ngritur nivelin e punës së saj, shkolla të përdorë edhe ajo “armët” e reja të kohës moderne për të qenë e aftë të fitojë mbi sfidat, dukuritë negative, të ndikojë së bashku me shoqërinë dhe shtetin dhe të “ndërhyjnë’ bashkërisht që t`i shpëtojnë adoleshentët nga e keqja, të vihet në krye të veprimeve të fuqishme humanitare. Shkolla s`ka vetëm detyrë t`i qortojë ata, por edhe t`u tregojë atyre rrugën e duhur, rrugën e dijes dhe të zhvillimit, t`u tregojë se “jeta nuk është fushë me lule”, por se ajo që në dukje shfaqet si një “lumë i qetë”, në fakt është një “lumë i rrëmbyeshëm”, i cili përballohet duke e mësuar mirë notin, duke u orientuar, duke iu shmangur vërshimeve që të rrëmbejnë, “gjeneratoreve” që të përthithin brenda tyre…

Talenti nuk zhvillohet vetvetiu.

E përbashkët është se, të gjithë kemi qenë dikur nxënës dhe si të tillë nëpër vite bëjmë vlerësime dhe shfaqim opinione për mësuesit tanë. Ata qëndrojnë në mendimet dhe përfytyrimet tona si njerëz të afërt, kujtimet për ta na bëjnë që të ndjehemi mirë, na bëjnë që të na vërshojnë emocione dhe mbresa të shumta, teksa malli dhe buzagazi na rrëshqet ëmbël në fytyrat dhe në sytë tanë. Nuk e di pse ndodh kjo me mësuesit? Mbase , sepse të gjithë kemi marrë diçka prej tyre në formimin tonë, në shprehitë dhe zakonet tona, diçka që fillon që nga mënyra se si përshëndetemi, sesi respektojmë dhe duam njëri-tjetrin dhe jetën, nga mënyra se si nisim dhe zhvillojmë një bisedë si zgjidhim një problem, si futemi në botën e mrekullueshme dhe të mistershme të dijes…

Janë mësuesit të parët, që kapin prirjet e nxënësve dhe kujdesen vazhdimisht që ato të nxiten dhe të zhvillohen më tej. Se talenti nuk zhvillohen vetvetiu, por kërkon një mjedis përkrahës ashtu si fara, e cila që të shndërrohet në bimë, kërkon kushte të caktuara klimateriko-tokësore, kërkon shërbim, ngrohtësi e përkujdesje.

Të vihen në lëvizje energjitë krijuese të adoleshentëve.

Jo vetëm muaji i letërsisë, por edhe çdo orë tjetër e mësimit duhet të bëhen nxitje për ata nxënës, të cilët shfaqin prirje dhe ide krijuese. Të vihen në lëvizje energjitë krijuese të adoleshentëve. Ato ekzistojnë, janë të fshehura dhe të strukura brenda tyre, ato duhet të zgjohen, të vihen në lëvizje, të trokitet në to: “-Hej, djalosh, zgjohu! Mos fli gjumë! Jeta është e bukur, shiko, hap sytë, hidhu edhe ti në vrullet dhe dallgët e jetës, lëviz, përpiqu, mundohu, përleshu me të keqen, kapërce majën dhe ec përpara, vazhdo ngjitjen , ke maja të tjera përpara për të kaluar. Tek përballimi i këtyre vështirësive, te kapërcimi i tyre qëndron bukuria e jetës. Kështu, aftësitë, talentet e adoleshentëve nuk kalojnë si hije, pa u ndjerë dhe pa u vënë re, pa mundur të tregojnë aftësitë dhe talentin e tyre…Këtu , mësuesi është kultivuesi, është regjisori më i mirë dhe më i talentuar. Janë të shumta fushat ku mund të veprohet, ku mund t`u hapen horizonte adoleshentëve dhe jeta e tyre të motivohet, të marrë vlerë dhe kuptim.

Natyrisht jo paternalizëm, jo diktim i ideve, por nxitje , krijim i një atmosfere dhe kushteve të përshtatshme që adoleshentët të zgjedhin vetë më të mirën, më interesanten dhe më të bukurën për ta dhe të veprojnë. Atyre nuk mund t`u mohohet zhvillimi i natyrshëm i jetës. Nuk u duhet “vrarë” fëmijëria dhe rinia, ata duhet ta jetojnë jetën natyrshëm, pa sforco e mundim, nuk duhet t`u diktohet se çfarë duhet të bëjnë dhe çfarë s`duhet të bëjnë, por t`u tregohet e mira dhe e keqja, e bukura dhe e shëmtuara nëpërmjet veprimeve, ndodhive, debateve, ballafaqimeve… Ata duhen nxitur , duhen hedhur në veprim me forcën e fjalës, të ideve, të mendimit të mençur. Në kujtesën e nxënësve mbahet mend mësuesi që i nxiti, që u ngjalli besim, që u hapi horizonte të reja për një drejtim të caktuar, zbuloi dhe nxiti pasionin që ata mbanin të fshehur në shpirt e zemër, ata kanë mall dhe respekt, sepse i dedikojnë mësuesit të tyre deri edhe të ardhmen…

Ja sesi si shprehet një nxënëse për mësuesin e saj të letërsisë:”Të zhvillosh orën e mësimit të letërsisë, do të thotë të udhëtosh në botën e rikrijuar nga ne me petkun e fantazisë .Të fluturosh në lartësitë më të mëdha marramëndëse, të jeshë i lumtur, të ndjesh freskinë e ujërave të lumenjve, të luleve të bukura, të kapesh realen. Nuk është vetëm një ëndërr, është thjeshtë një orë e nxitur nga mësuesi që shfrytëzon thellësitë e moshët sonë për të na strukur në gjirin e letërsisë e në tërë suktat e shehta të mrekullueshme të saj. Dhe, të gjitha këto, do të doja t’i mblidhja, t’i lidhja në fjongo dhe t’ia dhuroja mësuesit tim”.

Dhe në qëndër ka qënë dhe mbetet figura e nderuar e mësuesit, e këtij udhërrëfyesi të shkëlqyer të dijes dhe përparimit. Prandaj dhe mësuesi mbetet gjatë gjithë jetës, i fiksuar në mëndjen dhe kujtesën e nxënësve.

Me aftësi, takt e durim, mësuesit dijnë “t`i marrin” fëmijët dhe nxënësit e tyre ashtu si janë dhe punojnë pa rreshtur e pa u lodhur për skalitjen e mendjes së tyre, për pajisjen me dije të thella mbi botën dhe shoqërinë njerëzore.

Mësuesi dhe roli i tij i pazëvendësueshëm.

Ndaj shkollës jemi të ndjeshëm dhe i detyrohemi të gjithë, prandaj t’i afrohemi shkollës, jo vetëm kur na therret drejtori apo mësuesi kujdestar për fëmijën që është mbetës, rrezikohet të përjashtohet për shkak të mungesave të shumta, por të jemi atje sa herë që shkolla ka probleme dhe gjera për të zgjidhur. Sikurse, drejtoria e shkollës, mësuesit i kanë të gjitha hapësirat e nevojshme që t`u drejtohen hapur dhe pa droje prindërve të nxënësve, specialistëve , njerëzve të artit e të kulturës, biznesmenëve. Ata ndihen të nderuar dhe të obliguar, kur drejtoria e shkollës, apo dhe vetë nxënësit i ftojnë për takime dhe bashkëbisedime dhe kërkojnë ndihmën e tyre. Duke ndihmuar shkollën, ndihmojmë fëmijët ,të sotmen dhe të ardhmen e tyre.

Shumë mësues kanë qenë të suksesshëm, sepse me taktin, kulturën pedagogjike dhe horizontin e gjerë kanë arritur të zgjojnë ide, energji, pasione dhe dëshira tek adoleshentët. Ata e kanë bërë këtë duke u treguar të durueshëm e zemërgjërë, duke u qëndruar pranë nxënësve, ashtu si fëmijëve te tyre, duke zbuluar hap pas hapi prirjet e nxënësve, duke i nxitur ata, duke i ndihmuar që të motivojnë jetën e tyre, duke u “mjekuar” gjendjet stresante e, sidomos duke zgjuar te nxënësit adoleshentë shpresa dhe besime të reja për jetën dhe të ardhmen. Mësuesi i mirë ka rastin që me nxënësit adoleshentë, të tregojë edhe ai vetvetën, aftësitë dhe përgatitjet e tija, jo vetëm profesionale, por edhe ato pedagogjike, sociale e psikologjike. Ka më shumë vlerë një mësues, që është edhe psikolog e sociolog çdo orë dhe çdo ditë mësimore me nxënësit, sesa disa tema social-psikologjike që programohen herëpashere në planet e drejtorisë apo të mësuesit kujdestar.

Mësuesi i mirë dhe me përgatitje të plotë, është një aset, një vlerë e jashtëzakonshme e shoqërisë, sikurse një mësues i papërgatitur, është një antivlerë. Kjo ndodh sepse mësuesi është pasqyrë për nxënësin, është një model që ai e imiton në jetë, edhe dijet dhe kulturën e tij, edhe pamjen dhe zakonet e huqet e tij. Nuk them se ndodh si me ujin që merr formën e shishes, por gjithsesi nxënësi adoleshentë merr shumë nga mësuesi i tij, sikurse dhe nga shokët, por dhe nga prindërit dhe shoqëria në tërësi.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat