Kthimi i kobshëm

Kultura

Kthimi i kobshëm

Nga: Biser Mehmeti Më: 24 tetor 2021 Në ora: 19:54
Foto ilustrim

Edhe pse të kapluar nga një mallëngjim i pakufishëm që na i digjte shpirtrat, kishin kaluar në heshtje të thellë shtatë ditë qëkur babai u nis në një rrugë të gjatë e të mbushur me peripeti. Gjatë këtyre ditëve gjithnjë në mendje përfytyronim çastin kur na kishte përqafuar të gjithve me radhë, duke u orvatur ta mposhtte vajin që i ishte mbledhur në sy e në zemër…

Në fund të ditës së shtatë, sapo filloi mbi hapësirë të lëshohet një muzg i dërrmuar, atëherë kur askush nuk priste kthimin e tij, trajta e babait u shfaq në pragun e derës kryesore. Ata që të parët e panë siluetën e tij, klithën të nemitur, duke menduar se para tyre ishte shfaqur hija e tij që paralajmëronte vdekjen e tij të shpejtë. Të gjithëve na kaploi një dyshim i egër sa menduam sikur ai nuk ishte kthyer i gjallë, por i shtrirë në një arkivol të vjetër. Ishte nisur mjaft i ngazëllyer, i mbushur me ëndrra e shpresa të pakufishme, kurse ishte kthyer i mërzitur dhe i dërrmuar. Në fytyrën e tij të fishkur sorollatej një trishtim i heshtur, të cilin ai më kot orvatej ta fshihte. Të gjithë e patëm të qartë se diçka e kobshme kishte ndodhur gjatë rrugëtimit të tij, të cilin nuk kishte arritur ta përfundonte. Kthimi i tij i parakohshëm domosdo që në vete mbante të ngujuar një mynxyrë të llahtarshme. Ne prisnin që ai të kthehej në fund të dimrit ose më së largu në fillim të pranverës...

Nëna e para u theu akullin e heshtjes ndjellakeqe. Me një zë që i dridhej nga frika, e pyeti përse ishte kthyer para kohe. Të gjithë e vështronim në heshtje me sy të zgurdulluar, pa guxuar të nxirrnim një fjalë nga goja. Babai nuk ishte ai që kishte qenë kur ishte nisur. Në shpirt kishte përjetuar një transformim të çuditshëm. I shëmbëllente një hijës së dërrmuar nga një sfilitje e neveritshme. Dukej sikur gjatë rrugës sa kishte qëndruar larg nesh kishte bredhur nëpër një skaj të ferrit, në të cilin kishte lënë peng gjysmën e trupit dhe të jetës... Një mendje e marrë na thoshte se gjysma e trupit të tij tashmë ishte dekompozuar, kështu që edhe gjërat që e rrethonin i shihte me trajtë të përgjysmuar....Në vend që të na e zbërthente enigmën e kthimit të parakohshëm, me sytë që nuk i bënin dritë filloi të kërkonte një shteg të ngushtë që e shpinte te shtrati i tij. Kur u afrua me hapa të mundimshëm, me të shpejtë si një lisi i prerë u lëshua mbi shtratin e vjetër. Të gjithë ia plasëm vajit me zë të heshtur, duke menduar se babai kishte ardhur në shtëpi për të vdekur. Mirëpo, pas pak hetuam se ai zuri të gulçonte nga një ankth i lemeritshëm... Disa çaste e pritëm në krahët e dyshimit dhe të frikës të na e zbulonte misterin që e fshihte në shpirtin e copëtuar. Në vend që të fliste i hapi qepallat e ndryshkura e pastaj zuri të vështronte me admirim hijen e vet që gjendej në murin e nxirë. Dukej sikur kërkonte shpëtim prej saj. Kur erdhi mbrëmja e kallëm kandilin, hija e babait në mur u zhduk. Mirëpo, babai i gjorë ende vazhdonte të vështronte hijen e paqenë dhe dukej sikur pa të nuk mund të jetonte më tutje... Kur fijët e durimit filluan të na këputën, u shtrimë për të fjetur, edhe pse gjumë nuk ishim në gjendje të bënim. Atë natë, që dukej sikur nuk do të përfundonte kurrë, e kaluam duke e ushqyer shpirtin me shpresa se nesër në mëngjes babai do të këndellej e pastaj do t’i zgjidhej gjuha që i ishte lidhur nyje. Edhe kur në horizont u shfaq një mëngjes i dërrmuar, i cili ishte vonuar tepër shumë, babai ende qëndronte me sy të zgurdulluar duke e vështruar hijen e vet të paqenë në mur. Na kaploi bindja se ai ishte shndërruar në një statujë të gjallë, të cilën koha nuk ishte në gjendje ta dekompozonte. Nëna e mjerë përsëri u ul afër shtrati të tij e pastaj më përgjërim iu lut të na i këpuste vargojt e zemrës. Mirëpo, ai ishte plotësisht i pavetëdijshëm ku gjendej. Duket sikur edhe njerëzit që i shihte i dukeshin të panjohur dhe sikur i shihte për herë të parë. As nuk fliste, as nuk shikonte asgjë. Dukej sikur nuk jetonte fare, por ne më kot e gënjenim veten. Edhe kur nëna ia afroi pjatën për të ngrënë mëngjesin, nuk bëri asnjë lëvizje. Vazhdonte të qëndronte i shtangur sikur të ishte shndërruar në gur. Dukej sikur zemra kishte kohë që i ishte ndalur, kurse mendja i ishte ngurtësuar. O Zot, ne po vdisnim nga ndjenjat e kobshme që po na kafshonin nëpër gjithë trupin, kurse babai vazhdonte të qëndronte indiferent!...

Vetëm kur dielli zuri vend në zenit, filloi t’i pulitë ngadalë qepallat e lodhura, sikur të mundohej të zgjohej nga një ankth i tmerrshëm. Në zemrat tona të ngrira nga frika filloi të frynte një puhi e ngrohtë, e cila na sillte një trohë shprese të vdekur. Të gjithë u bëmë sy e veshë për të dëgjuar një fjalë magjike nga goja e tij. Atëherë kur e hapi gojën dhe ne prisnim të fliste diçka të dashur, për çudi, vetëm lëshoi një “Pthu!” e bashkë me ata tinguj doli edhe një grumbull pështyme që u përplas mbi hijën e vet të paqenë në murin e nxirë. Përsëri mbi fytyrën e tij të shkallmuar nga jeta zuri të sorollatet hija e mundimshme e shqetësimit që nuk kishte kufi. Pas pak me vështirësi të madhe mezi arriti ta shkëpuste vështrimin e lodhur nga hija e vet e paqenë, e cila sikur e vështronte me një urrejtje të hapur. Vështrimin e dërrmuar e hodhi jashtë dritares së vogël. Me dashuri të madhe filloi ta vështronte qiellin e copëtuar, në fundin e të cilit shtrihej një fushë e mbushur me mjegulla të thinjura. Në fund të fytyrës së tij u duk sikur zuri të shndrit një shkëndijë gëzimi e lumturie…

-Ja, atje! Në fund të asaj fushe të mbushur me mjegulla kam qenë!- mezi nxori nga goja këto fjalë me zë të mekur dhe i cili dridhej nga një valë e nxehtë emocionesh, të cila nuk ishte në gjendje t’i frenonte dot. - Mirëpo, u ktheva para kohe! Atje mbizotëronte një stinë e njëtrajtshme që kurrë nuk ndërrohej. O Zot! Ishte një stinë e ftohtë që të ngrinte për së gjalli ! Të gjitha gjymtyrët e trupit më janë ngrirë nga të ftohtit...

Dëshironte edhe më tutje të fliste, por gjuha filloi t’i trashet e pastaj t’i lidhet nyje. Ishte mbushur frymë. Mushkëritë filluan të luftonin me ajrin që nuk i hynte brenda. Kraharori me ritme të çrregullta herë i ngritej përpjetë, herë i ulej teposhtë. Kishte kohë që nuk kishte mundur ta mposhte heshtjen ndjellakeqe. Nëna ose dikush tjetër sa çel e mbayll sytë, ia solli një gotë me ujë. Ajo me zë të lemeritshëm, duke menduar se ai po vdiste, e luti që ta merrte gotën me ujë. Mirëpo, ai ende ishte i kredhur në humnerën e ankthit, kështu që nuk e shihte as nënën, as gotën me ujë... Disa çaste e vështruam me dhembshuri si përpëlitej në mes të jetës dhe të vdekjes. Përsëri u lëshua në krahët e heshtjes, e cila si një gjarpër i ngordhur ushqehej me organet e tij të brendshme... Vetëm kur u shfaq një mbrëmje e parakohshme, e cila na dukej sikur kishte zënë të vdista para se të lindte, me mundime të mëdha, babai sërish i hapi qepallat e rënduara nga një trishtim i egër. Me një shikim të vagëlluar zuri ta vështronte i ngazëllyer qiellin e mbushur me yje të fikur...

- Atje kam gjakuar të shkoj, duke kërkuar një jetë më të lumtur për vete e për ju, - mezi foli me zë të çjerrë, duke bërë me gishtin tregues një pikë të paqenë në hapësirë. - Mirëpo, e gabova rrugën dhe nuk munda të arrij atje… Shpresoj që një ditë patjetër do të shkoj atje e pastaj më nuk do të kthehem... Ndoshta atje mund të shkojë vetëm pas vdekjes... Ju lutem, mos u bëni të marrë si unë të niseni në atë rrugë që nuk ka kthim...

Pasi i shqipëtoi këto fjalë, u shtri për të fjetur, ngase ishte tepër i dërrmuar. Megjithatë, qepallat sërish nuk i mbyllte. Në vazhduam të qëndrojmë rreth trupit të tij, thuajase e ruanim një kufomë që do ta varrosnim në mëngjes. Babai vazhdonte të qëndronte i shtrirë në shtrat dhe nuk dihej nëse ishte i gjallë apo i vdekur. Ne e dinim se në imazh e shihte një rrugë të mbushur me kafshë të uritura, të cilat e copëtonin trupin e tij…

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat