Përfituan artistët që ishin afër pushtetit

Kultura

Përfituan artistët që ishin afër pushtetit

Nga: Hejza Art Më: 26 tetor 2021 Në ora: 12:32
Burhan Ahmeti

Burhan Ahmeti është grafist dhe piktor. Është lindur në vitin 1978 në Gostivar. Diplomoi në Fakultetin e Arteve të Bukura në Universitetin e Tetovës në drejtimin e grafikës, te klasa e Prof. Fatmir Krypa. Studimet master i kreu në Fakultetin e Arteve në Prishtinë, kurse në vitin 2016 përfundoi ciklin e tretë të studimeve, ku e mbrojti disertacionin e doktoraturës në Universitetin Ndërkombëtar në Novi Pazar te mentori Prof. Dr. Fehim Huskoviç. Ahmeti ka organizuar shumë ekspozita personale në vende të ndryshme të botës, si në Nju Jork, Paris, Berlin, Dizhon, Sofje, Cyrih, Prishtinë, Shkup etj. Ka marr pjesë në më shumë se 150 ekspozita ndërkombëtare, anuale, bienale dhe trienale të artit si dhe pjesëmarrës në mbi 80 koloni arti dhe simpoziume ndërkombëtare të artit në Kinë, Argjentinë, SHBA, Arktik, Angli, Kore të Jugut, Lituani, Belorusi, Rumani, Francë, Gjermani, Turqi, Egjipt, Spanjë, Itali, Zvicër, Bullgari, Greqi, Azerbejxhan etj. Ai njihet edhe si organizator dhe kurator i shumë ekspozitave, kolonive dhe simpoziumeve ndërkombëtare të arit në Maqedoni, Kosovë, Turqi dhe Egjipt. Veprimtaria e tij artistike është e shpërblyer me shumë çmime me karakter ndërkombëtar dhe lokal. Disa nga veprat e tij tanimë janë pjesë e koleksioneve të muzeve të ndryshme nëpër botë dhe e koleksionistëve privat.

HEJZA: Ngjyra të tollovitura në pëlhurë, pak dritë, pak hije! Është ky stacioni i fundit i pikturimit modern?

AHMETI: Artin modern duhet ta shohim në një kontekst të gjerë historik, shoqëror dhe filozofik, duke e hedhur poshtë dëshpërimin dhe nihilizmin që po e përshkojnë këtë epokë. Mendoj se si rezultat i kësaj është edhe reflektimi i tillë i artistëve modern, ku shihet sikur herë janë humbur e herë lulëzojnë në stacionin e fundit, duke u përsëritur me artin e tyre dhe si të vetmen rrugëdalje e shohin kthimin mbrapa. Sot, mënyra e të bërit art dhe përdorimi i ngjyrave, është e ndarë midis teorisë moderne dhe asaj "tradicionale", ku në mënyrë karakteristike theksojnë konceptet e hapësirës së ngjyrave, kuadrin e ngjyrës, vlerës dhe ngjyrës së sajuar.

HEJZA: Çdo stil në art ka filozofinë dhe epokën e vet të emërtuar! Në ç’epoka mund ta kërkojmë artin e sotshëm konteporan! Çka po pikturohet sot në botë? Çfarë piktura po pëlqehen e çfarë po ekspozohen?

AHMETI: Arti i sotëm krijohet nga artistë të ndikuar nga një jetë e larmishme si nga ana kulturore po ashtu dhe nga ajo teknologjike. Ky art është një kombinim dinamik i koncepteve, materialeve, metodave dhe subjekteve që vazhdojnë sfidën e kufijve që zhvillohej në shekullin e 20 -të. Ky art i larmishëm sot mendoj se ka mungesë të një parimi uniform, organizues dhe ideologjik. Arti bashkëkohor është një lloj fragmenti i dialogut kulturor që ka të bëjë me korniza më të mëdha kontekstuale si: identiteti personal dhe kulturor, kombi, familja apo komuniteti.

Arti konteporan është vazhdimësi në një rrugë qorre, ku artistët bashkëkohorë kombinojnë gjithçka nga e reja dhe e vjetra, duke përdorur të kaluarën si një mënyrë për të kuptuar të tashmen. Pra, ato krijojnë një art që shikon drejt së ardhmes me elemente nga e kaluara. Më atraktivë janë ata krijues figurativë që përdorin ndonjë teknikë apo metodë specifike gjatë realizimit të një vepre arti. Kur një vepër arti mbartë në vete një emocion, nëse është e përkryer teknikisht dhe estetikisht dhe nëse atë emocion e përçon te shikuesit (artdashësit), mund të themi se është pëlqyer te shumica. Rol të rëndësishëm në këtë aspekt luan edhe vetë autori i veprës, nëse në atë rreth ku jeton artisti, shumica e njohin krijimtarinë e tij, dhe nëse është komunikativ e i dashur me publikun, atëherë edhe kjo ndikon këtu te ne. Kryesisht si motive më të pëlqyera janë portreti, peizazhi, ato vepra arti me tematika religjioze apo abstrakte.

HEJZA: A kemi shkollë autoktone të artit pamor, jo vetëm si disiplinë akademike! A kemi artistë të mëdhenj për të cilët duhet të investojë shoqëria jonë? Sa investojmë ne për të nxjerrë sot një Zef Kolombi, Kolë Idromeno, Guri Madhi, Ibrahim Kodra, Adem Kastrati, Omer Kaleshi, Ismet Jonuzi etj.

AHMETI: Për dallim nga Shqipëria dhe Kosova, shqiptarët në Maqedoninë e Veriut nuk kanë një lice artistik në gjuhën shqipe. Është më se e nevojshme, pasi ka shumë të talentuar që regjistrohen krejtësisht në drejtime tjera si: në mjekësi, gjimnaz apo ekonomi dhe po të njëjtët përmes kurseve të artit i bëjnë përgatitjet për provimin pranues në ndonjë akademi arti. Pastaj në akademi të arteve ka rënie të cilësisë dhe pastaj vështirësinë më të madhe e kanë mësimdhënësit (profesorët) pasi gjatë vitit të parë duhet të merren me gjërat bazike, duke ua mësuar perspektivën, proporcionet apo vendosjen e një kompozicioni etj.

Edhe një problem tjetër i rëndësishëm është arsimi bazë ku në kurrikulat e artit figurativ që nga arsimi parashkollor, fillor dhe i mesëm, nuk ka një strategji dhe lidhshmëri të programeve mësimore. Shumë tema mësimore përsëriten gjatë disa viteve dhe bëhen monotone. Që nëpër shkolla fillore e të mesme, nxënësit të udhëhequr nga mësimdhënësit e lëndës së artit figurative, duhet të bëjnë sa më shumë vizita të ekspozitave nëpër muze apo galeri pasi që në atë mënyrë do iu ngritët vetëdija dhe interesimi i nxënësve për artin, kulturën dhe trashëgiminë tonë kulturore. Ata pastaj më me lehtësi do mësojnë të identifikojnë vlera estetike dhe njerëzore në një vepër arti, duke e kuptuar ndikimin e artit në këtë shoqëri dhe do kenë një bazë të shëndoshë duke i zhvilluar aftësitë e tyre artistike përmes gjykimit estetik, mendimit kritik, dhe përmes krijimeve artistike konkrete.

Shqiptarët në përgjithësi janë të talentuar për art, mirëpo sa bëjmë ne dhe sa investojmë sot për të nxjerrë në dritë artistë të rinj, të cilët do lenë gjurmë në histori. Çdo shkollë duhet të ketë kabinetin e artit figurative të dizajnuar me shije, duke krijuar një atmosferë të ngrohtë dhe artistike për krijim. Një kënd biblioteke me libra arti si dhe për çdo drejtim të artit mjete pune. Gjithashtu duhet të stimulohen të rinjtë e talentuar, duke i njohur me veprimtarinë artistike të artistëve shqiptarë më të njohur e më të suksesshëm, të vizitohen studiot e tyre, t’u jepet mundësia që të komunikojnë me piktorë, skulptorë, grafistë, arkitektë, disenjatorë. Pra, në këtë mënyrë e kemi kryer një punë të rëndësishme, një investim të sigurt për shoqërinë tonë, për të rinj të talentuar, studentët e artit apo artistët e sapodiplomuar.

HEJZA: Ekspozitat sezonale të punimeve artistike a do të ndikonin në krijimin e një tradite për blerjen e këtyre veprave nga shkollat tona, nga dikasteret qeveritare, nga ndërmarrjet tona, nga kazermat, nga institucionet nacionale, nga individë-koleksionistë të ndryshëm!

AHMETI: Te shqiptarët e Maqedonisë së Veriut tradita e blerjes së veprave të artit ka filluar disi më vonë krahas Shqipërisë apo Kosovës. Para viteve të 90-ta deri në vitin 2000 ishin shumë pak artistë aktiv me veprimtaritë e tyre artistike dhe që çelnin ekspozita. Me hapjen Akademisë së Arteve në Universitetin e Tetovës në vitin 1994, filloi një epokë e re këtu. Në atë periudhë shumica e popullatës shqiptare në Maqedoni nuk kishte njohuri për shumë drejtime apo teknika të artit. Pra, falë kësaj akademie, dhe falë kontributit të shumë profesorëve nga Kosova, filluan të diplomojnë gjeneratat e para në drejtime të ndryshme të artit si në pikturë, skulpturë, grafikë dhe dizajn grafik. Filloi që të ndryshon dhe mentaliteti, në muret e shtëpive filluan të vendosen vepra arti, të organizohen ekspozita grupore dhe individuale si dhe filloi dhe një traditë e re e shit-blerjes së veprave të artit. Deri vonë në Maqedoni nuk ishte i qartë qëllimi i një ekspozite personale apo grupore, shumica e artdashësve pyesnin me skepticizëm se a shiteshin ato vepra arti të ekspozuara, duke u habitur kur përgjigjja ishte “po”, kuptohet.

Interesimi për blerje të veprave të artit dita ditës shkonte në rritje, bliheshin vepra arti qoftë nga biznesmenë, politikanë apo funksionarë të ndryshëm. Me avancimin e pozitës shqiptare në pushtet, filluan edhe blerjet e pikturave, grafikave, fotografive artistike nëpër institucione të ndryshme të udhëhequra nga shqiptarë. Mirëpo jo çdo artistë përfitoi nga këto mundësi, pasi dihet se çdoherë cili artistë ka qenë më afër pushtetit apo politikës, ai ka përfituar. Edhe pse shumë artistëve tjerë nuk iu dha kjo mundësi. Gjithashtu kishte një periudhë kur muzetë e vendit blinin vepra arti, mirëpo edhe në rastet e tilla përfituan vetëm ata artistë që kishin lidhje me pushtetin. Mirëpo, përpos këtyre mundësive të lartpërmendura, krijuesit figurativë që ishin më aktivë në jetën kulturore kishin edhe alternativa tjera për shitje, sepse u shtua edhe numri i biznesmenëve, artdashësve tjerë, intelektualëve dhe koleksionistëve. Viteve të fundit kriza ekonomike globale e bëri të veten, pandemia gjithashtu i mbylli edhe ato pak dyer të hapura që i kishin artistët, stagnoi ai ritëm i mirë i sapo filluar, duke mbetur me shpresë se në një të ardhme të afërt do ringjallet gjithçka.

HEJZA: Pse një piktor produktiv shqiptar që jeton jashtë atdheut mund të jetë me famë botërore, kurse në vendin e origjinës së vet mund të njihet nga tre-katër persona të të njëjtës fushë! I ka fajet “atdheu” apo piktura!

AHMETI:Artistët shqiptarë me famë botërore janë kryesisht ata artistë që u edukuan në vendlindje, u rritën dhe u zhvilluan pastaj emigruan nëpër botë, duke krijuar një art me emocione të thella të vuajtjeve të ndryshme ndër vite dhe duke e gërshetuar atë me përvojën e shkollave tjera që u njohën atje. Për fat të keq, telentet e rinj këtu te ne nuk trajtohen mirë, nuk iu jepet rëndësi e duhur dhe nuk përkrahen sa duhet. Andaj detyrohen si rrugëdalje t’ua mësyjnë kryeqendrave botërore, pasi atje më lehtë mund të depërtohet me artin e tyre, t’ju vlerësohet më drejtë dhe mundësitë për të shitur apo për ta promovuar artin e tyre janë shumë më të mëdha.

Falë internetit, shumë artistë të rinj e të talentuar që janë kreativ dhe inovativ me artin e tyre, edhe nëse nuk kanë shumë mundësi financiare, ata mund të depërtojnë me shumë lehtësi vetëm nëse pak dinë se si ta menaxhojnë dhe promovojnë artin e tyre nëpër botë.

Shteti luan një rol kyç për afirmimin e artit dhe vlerave kulturore të një artisti vizual, mirëpo sa bën për to është pikëpyetje. Jo rastësisht viteve të fundit artistët shqiptarë në përgjithësi po lulëzojnë dhe shkëlqejnë nëpër botë, kurse në vendlindjet e tyre as që i njeh dikush, përpos të afërmve të tyre. Pra, kushtet, mundësitë, infrastruktura dhe politikat kulturore të shteteve perëndimore janë faktorë i rëndësishëm për ato suksese. Nga përvoja ime, çdoherë kur kam dalë jashtë shtetit me ekspozita personale apo grupore, jam ndier i plotësuar si artist, sepse jam vlerësuar me shumë sinqeritet, nuk ta bënte qejfin asnjëri atje, por ta thoshin të vërtetën sa i përket krijimtarisë artistike. Vendi ynë është një fidanishte intelektualësh dhe talentesh arti që fatkeqësisht nuk trajtohen mirë për shkak të anomalive të shumta politike në vend. Kështu, ato talente detyrohen që të sakrifikojnë shumë në mërgim dhe të japin frutat larg atdheut. Për këtë komunitet artistësh duhet të këtë një qasje më serioze, më njerëzore, më konkrete, më të sinqertë nga pushteti dhe jo thjeshtë vetëm fjalë.

HEJZA: Po të ishit pushtet, cili do të ishte raporti i juaj ndaj kulturës e në veçanti, ndaj artit figurativ! Shqiptarët tashmë kanë provuar të drejtohen edhe prej persona nga sfera e artit figurativ por edhe nga letërsia. Çka i dhanë nga kultura pushtetit e çka nga pushteti kulturës?

AHMETI: Për komunitetin e artistëve është shumë e rëndësishme që udhëheqësit e një pushteti të jenë përkrahës dhe bashkëpunues me ta. Një pushtetar kurrë nuk duhet të jetë si bartës kryesor i aktiviteteve kulturore dhe artistike të një vendi, por me rëndësi është që ai duhet ta rregullojë sistemit kulturor dhe politikat kulturore të një vendi. Ndërsa si prijës kryesor të aktiviteteve nga sfera e artit figurative, muzika, teatri e letërsia, duhet të jenë vetë krijuesit figurativë, institucionet, organizatat kulturore dhe të gjithë ata persona që kanë një vizion kreativ.

Nëse nëpër ato dikastere angazhohen persona adekuat që e kanë dëshmuar profesionalizmin e tyre në profesione, atëherë padyshim se do të ketë sukses. Në raste kur institucionet e kulturës drejtohen nga profesionistë rezultatet janë më konkrete, mirëpo pati raste kur po të njëjtat institucione ndikoheshin më shumë nga politika, atëherë rezultatet ishin më të zbehta bashkë me pritshmëritë nga ana e artistëve. Duke i afruar pushtetarët që të jenë pjesëmarrës aktiv nëpër evenimente kulturore, ekspozita, ata do e kuptojnë rëndësinë, peshën dhe kostot reale të këtyre aktiviteteve dhe do jenë më shumë përkrahës herëve tjera.

Mendoj se qeveritarët duhet ta rishqyrtojnë modelin aktual të financimit të institucioneve nacionale, artistëve dhe të projekteve të interesit nacional, duke e avancuar ndarjen e buxhetit për kulturë. Një sistem i ri i financimit do duhet të tejkalojë programin vjetor. Duhet të krijohen fonde të veçanta për drejtimet e ndryshme në sferën e kulturës, të cilat do të kenë autonomi dhe mandat të përkufizuar dhe më afatgjatë, duke pasur përgjegjësi të plotë për selektimin e projekteve nga fusha e artit pamor. Kultura dhe arti çdo here e japin dyfishin e asaj që ua jep pushteti. Një fjalë e urtë popullore thotë: “Sa para, aq muzikë”. Te ne pushteti artit dhe kulturës i jep shumë pak para, por artistët ua kthejnë me shumë art. Paramendoni sikur të përkraheshim mjaftueshëm, aktivitetet kulturore sa profesionale do bëheshin, improvizime nuk do të kishte, vetëm cilësia dhe profesionalizmi do vinin në shprehje. Mbetemi me shpresë se kjo ëndërr e kamotshme e çdo artisti, një ditë do të bëhet realitet edhe këtu te ne.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat