Shekulli XIX është përcaktuar si “shekull i artë” i kulturës ruse, e mes këtij thesari të një nga xhevairet më të ndritura është emri dhe vepra e Fjodor Mihajlloviç Dostojevskit. Ai është një fenomen i rrallë në letërsinë botërore të dy shekujve të fundit. Emri i tij ngjan sot një legjende të epokës moderne. Luftëtar i paepur për të mposhtur vështirësitë e panumërta të jetës, një talent gjenial që me forcën e artit të tij mundi të zhbirojë thellësitë dhe misteret e botës njerëzore në një mënyrë origjinale e të papërsëritshme. Rruga krijuese e artit të Dostojevskit ka qenë e komplikuar dhe kontradiktore. Në veprën e tij letrare ai shprehu simpatinë e thellë për dhimbjet dhe vuajtjet njerëzore duke lënë modele të pavdekshme në panteonin e artit botëror.
Peripecietë e jetës.
I lindur në familjen e një mjeku ushtarak në 30 tetor 1821, Fjodor Dostojevski, si rrallë ndonjë shkrimtar tjetër në historinë e letërsisë botërore do të provonte peripecitë, mundimet e panumërta dhe eksperiencën e rralw që do t’i afronte shkolla e ashpër e jetës. Shumë gjurmë të fëmijërisë e adoleshencës së vështirë janë mishëruar në universin letrar të tij. Dostojevskët rridhnin nga një fis i vjetër lituanez dhe dalloheshin, siç përmenden në dokumentat gjyqësore të kohës, si njerëz gjaknxehtë, të pushtetshëm e të pashtruar në pasionet dhe dëshirat e tyre të zjarrta. Babai i shkrimtarit të ardhshëm, Mihaili, pasi braktisi seminarin, ku duhej të përgatitej si prift arratiset nga shtëpia e prindërve dhe megjithëse ende shumë i ri hyn në Akademinë mjekësore - kirurgjikale të Moskës. Ky profesion humanitar pak i përshtatej natyrës inatçore dhe prej njeriu të pashoqërueshëm tek i cili sipas dëshmive të të afërmëve të tij shpesh kishte shpërthime të papritura nervozizmi dhe zemërimi të papërmbajtur. Megjithë këto cilësi të karakterit si dhe kopracia që e karakterizonte e shoqëruar me formën e rëndë të alkolizmit që do ta mundonte, ai dallohet për një vullnet të paepur në përmbushje të detyrës. Për shumë vjet ai provoi duke nisur me spitalet e prapavijës në betejat e Borodinos shkollën e rëndë të sakrificave njerëzore; kreu operacione dhe preu gjymtyrë ushtarësh të plagosur dhe përmes gjakut e infeksioneve përjetoi vuajtjet dhe dhimbjen e viktimave të panumurta. Me mbarimin e fushatës ushtarake ai e kishte humbur optimizmin për jetën dhe pothuajse nuk qeshte kurrë. Pas çmobilizimit nga ushtria në vitin 1821 vendoset së bashku me gruan e tij të re dhe fëmijën e parë Mihailin,vëllain e madh të shkrimtarit të ardhshëm në spitalin moskovit për të varfërit kryeqytetas. Dsa muaj më vonë në apartamentin që ndodhej në lagjen e vjetër e të mjerë të Moskës në familjen e Dostojevskëve do të lind fëmija i dytë Fjodori, që do ta bëntë të famshëm emrin e kësaj familjeje. Fëmijëria e tij do të ishte e errët dhe e trishtuar . Karakteri prej despoti i të atit do ta bëjnë edhe më të zymtë fëmijërinë e tij. Rrallë herë Dostojevski në jetën e tij ka dëshirë të flas dhe e kujtojë këtë periudhë të jetës së vet të trishtuar me ndonjë nga miqtë e tij të zemrës. Por ajo ka lënë gjurmë të thella edhe në dorëshkrimet e veprave, siç është dorëshkrimi i veprës Adoleshenti: “Ka fëmijë, që vrasin mendjen për familjen e vet shumë herët, që poshtërohen nga mungesa e repektit të baballarëve të vet…, por kryesorja është se që në fëmijëri fillojnë të kuptojnë kaosin dhe rastësisn e parimeve të gjithë jetës së tyre…” Si për ta zbutur vrazhdësinë dhe karakterin tiranik të mjekut të spitaleve të zymta të Moskës, fati e kishte sjellw që të ketë për grua një vajzë me shpirt të pastër e natyrë optimiste, Maria Neçajevën, nënën e shkrimtarit. Ajo me butësinë dhe pasionin e saj u bë mësuesja e parë për fëmijtë e vet. Ndikimi i saj më shumë se tek fëmijtë e tjerë ka qenë tek Fjodori, ndoshta edhe tharmi i tij poetik e ka fillesën aty. Ajo e donte shumë poezinë, lexonte Zhukovskin, Pushkinin, lexonte shumë romane të kohës, pëlqente muzikën, luante në kitarë, etj. Dostojevski fliste me një pasion të zjartë për nënën e tij dhe, studjuesit e veprës mendojnë që natyra e saj e trishtuar ta ketë frymëzuar shkrimtarin në modelimin e figurave të urta e të dashura femërore që vuajnë mizorinë e rrethanave ekzistenciale dhe janë të paracaktaura nga fati tragjik. Madhështia e artit të Dostojevskit buron prej fuqisë së tij artistike, por edhe vuajtjeve dhe sfidave të mëdha të jetës së
Dostojevski jetoi në një kohë të zymtë dhe provoi të gjitha mundimet më të llahtarshme të fatit njerëzor, të cilat nuk e kërrusën dhe nuk e mposhtën vullnetin e çeliktë të tij madje ato e ndihmuan për ta eksploruar individin dhe misteret e tij në të gjitha thellësitë e veta. Ai predikoi në cdo krijim të vetin humanizmin, dashurinë, bukurinë dhe ëmbëlsinë e jetës. Bukuria dhe fuqia e artit të Dostojevskit triumfoi mbi vdekjen, brengat dhe fatkeqësitë e jetës. Provoi një fëmijëri të rëndë me privacione të panumërta; vdekja e nënës nga tuberkulozi, por edhe nga despotizmi i të shoqit, kur shkrimtari i ardhshëm nuk i kishte mbushur ende 15 vjeç, do t’i trazonin e do t’i helmonin më tepër vitet e fëmijërisë e rinisë. Pak vite më vonë vdekja e mistershme e të atit, që u gjend pa jetë në afërsi të çifligut të vet, e siç flitej u vra prej bujkrobërve si një “shpërblim” për sjelljet e ashpra e të dhunshme e tronditën në mënyrë të papërfytyrueshme rininë dhe të ardhmen e Dostojevskit.
Ëndërra dhe rebelim, internimi
Prova edhe më të rënda do të do ta ndjekin rininë e tij. Vitet 30-40, që pasuan lëvizjen dekabriste ishin vite të zjarrta, ku revolta ndaj regjimit carist ishte përqëndruar tek socializmi utopik i Furiesë. Dostojevski si një njeri me prirje të thella humaniste, që kërkon të ndihmojë njerëzit e poshtëruar e të fyer filloi të frekuentonte takimet me Petrashevskin që nga pranvera e 1847-s. Aty diskutohej për të drejtën e bujkrobërisë, reformat në drejtësi, për fjalën e lirë etj. Petrashevski ishte një veprimtar i shquar i lëvizjes së viteve 40, orator i mrekullueshëm, një pasues i filozofisë utopiste të Furiesë. Filozofi francez e përcaktonte rendin ekzistues si regjim padrejtësie dhe mjerimi dhe si i tillë përbënte një kërcënim për njerëzimin. Nisur nga këto ide Petrashevski e përcaktonte regjimin ekzistues sit të dënuar me vdekje. Hyrja në këtë rreth do të shërbente si prolog i jetës dramatike që do të pasojë për Dostojevskin. Në shoqërinë e këtij rrethi ai gëzonte simpati e respekt të veçantë. Mes tyre kishte intelektualë shkencëtarë e shkrimtarë të rinj. Një pjesë ishin vazhdues të atyre “luftëtarëve të çeliktë” të Dekabrizmit. Në këto vite Dostojevski pati edhe plane për një roman mbi heronjtë e kësaj epoke. Arrestimi dhe dënimi nga regjimi carist për subversion dhe organizim atentati ndaj carit nuk do të vonojë për veprimtarët e rrethit furjerist të Petrashevskit, ku u përfshi edhe Dostojevski. Pasojnë tmerre pafund; gjyqi ushtarak, burgu Aleksejevsk, komisioni hetimor që zgjati katër muaj. Dostojevski i ri i mbrojti me dinjitet bindjet e tij, por ajo që të habit më shumë është fakti se në përgjigjen me shkrim ndaj pyetjeve të hetuesve ai me shumë fisnikëri u përpoq të shmang nga akuza shokët e vet, duke marrë përgjegjësi për një sërë veprimesh që të çonin drejt trikëmbëshit. Skena e sheshit Semjonovsk, ku do të zhvillohej ekzekutimi është dekori i një drame të madhe e të pashembullt. Është e pamundur të rindërtohet ajo skenë makabre, ku mbi të akuzuarit qëndronte shpata e zezë e vdekjes. Përshkrimi që i bën studjuesi rus Leonid Grosman përmes hulumtimit të detajuar të dokumentave të kohës është rrënqethës. Karrocat me të burgosurit mbrijnë në shesh, trekëmbëshi nxin në sheshin e ngrirë të “ vendit të paradave” të dhjetorit. Jepet dënimi i pamëshirshëm me vdekje. Drama e rëndë psikologjike e fizike, pritja e gjatë dhe e llahtarshme e vdekjes e të dënuarëve të lidhur në shtylla dhe skuadra e pushkatimit gati për të tërhequr këmbzën e armëve të mbushura shoqërohet nga “oshëtima therëse e trompetave”. Papritur nën qetësinnë e vdekjes armët ulen. Vjen falja , pasi ke provuar minuta, sekonda të tëra tmerri para ekzekurtorëve . Ishte falje, mëshirë, ironi e hidhur e fatit njerëzor, kur mes të ftohtit të egër me zinxhirë të rëndë si gjerdanë të vdekjes, prisnin fundin?! Në vend të dënimit me vdekje Madhëria e Tij, pasi u heq të gjitha të drejtat e pronësisë i dërgon në punë të detyrueshme. Dëgjohet zëri në ajër: Toger –inxhinieri në lirim Fjodor Dostojevski…me punë të detyrueshme për katër vjet e më pas ushtar i thjeshtë… Kovaçët me hekurat e rëndë zvendësojnë prangat për rrugën e gjatë të internimit drejt Siberisë.

Besimi i Dostojevskit tek talenti i vet dhe ndërgjegjja e tij krijuese edhe në këto caste të rënda tronditëse janë të pashembullt në historinë e letërsisë botërore: “ Po, unë sot kam qenë fare pranë vdekjes tre çerek ore, jetova me një mendim të tillë, përjetova momentin e fundit dhe tani edhe një herë e rifillova jetën!…Por, në rast se nuk do të më lejojnë të shkruaj, unë do të shuhem. Më mirë 15 vjet burg, por me penë në dorë!” Ky gjeni, si një kalorës legjendar, provoi sfidën e tmerrshme të vdekjes, duke i pranuar të gjitha vuajtjet, mundimet e brengat e jetës si pjesë e fatit ekzistencial të njeriut.
Gjurmët e përjetësisë në artin botëror
Madhështia e artit të Dostojevskit buron prej fuqisë së tij artistike , por edhe vuajtjeve dhe sfidave të mëdha të jetës së tij. Universi letrar që ai krijoi është madhështor e i papërsëritshëm. Me forcën e gjenialitetit që zotëronte ai zbuloi psikologjinë e njeriut bashkëkohor rus në shekullin e zymtë të autoritarizmit carist. Vepra e tij është e gjerë e komplekse si prozator, eseist, publicist, filozof e mendimtar shoqëror. Në masivin qendror të veprës së tij përfshihen jo vetëm kryeveprat e njohura klasike Krim e ndëshkim, Idioti, Vëllezërit Karamazov, por edhe dhjetra novela ku eksplorohet në mënyrë origjinale si tek asnjë autor i mëparshëm fati i individit si qenie ekzistenciale nërrethanat e jetës.

Filozofia e ekzistencializmit dostojevskian është paralajmërues i kzistencializmit të shekullit XX ( Kamy, Sartër). Siç shprehej në lidhje me artin e tij ai përpiqet të portretizojë të gjitha “thellësitë e shpirtit njerëzor” . I pajisur me talentin e tij të madh e të jashtëzakonshëm nuk do ta pengonin as vuajtjet, as skëterra e vdekjes për të realizuar misionin e tij të profetit, filozofit dhe mendimtarit që paralajmëroi ekzistencializmin modern në letërsi. Tek romani Krim e ndëshkim ideja e Raskolnikovit, një student të varfër, që provon të ndreq padrejtësitë shoqërore përmes një krimi, dështon sepse ngrihet kundër besimit tek zoti. Ekzistenca e individit është një mundësi e hapur përmes së cilës ai gjen lirinë, por ai mban përgjegjësi për çdo zgjedhje që bën në jetë
Përmasat e figurës së Dostojevskit janë të tilla që bota letrare e ka përcaktuar prej kohësh si një figurat më të shquara të letërsisë botërore. Jeta e tij është një roman i vërtetë , me shumë dritëhije, luftë dhe sfida të pashembullta; fëmijëri dhe rini e rëndë, plot pasione dhe zhgënjime, por edhe triumfe e suksese. Ineteresi i tij për traditën letrare europiane e atë ruse ishte mjaft i madh, ai që në rini lexoi me pasion krahas autorëve rus korifejtë europianë; Shekspirin, Balzakun, Shilerin, Hygoin, Floberin, etj. Në 1843, në moshën 22 vjeçare përkthen romanin Evgjeni Grande të Balzakut dhe pak vite më vonë, në 1846 boton novelën Njerëz të varfër, që ai e quan roman. Pas gëzimit dehës të dy miqëve të tij shkrimtarë Grigorieviçi dhe Nekrasovit të cilët u mahnitën me tragjizmin e fuqishëm të jetës së përditshme që kishte modeluar shkrimtari i ri gjer atëher i panjohur, vrapuan për tek Hierarku i letrave ruse të kohës Bjelinski, i cili kur u njoh me këtë vepër në dorëshkrim të një talenti fillestar e përcaktoi atë si “romanin e parë social” në letërsinë ruse.

Vizita në shtëpinë e Bjelinskit dhe lëvdatat e tij për romanin e joshën Dostojeskin në fjalët e tij kritiku e vlerëson shumë artin e shkrimtarit të ri gjer atëhere të panjohur: “Ja si i shërben artisti të vërtetës!....qëndrojini besnik asaj dhe të bëheni shkrimtar i madh!...” Kjo ishin një inkurajim për Dostojevskin që do të mbeten në kujtesë për tërë jetën dhe do ta shpërthejnë llavën e zjarrtë që zien në shpirtin e artistit të ri drejt artit të madh… “Në jetën time unë përjetova momentin solemn. Një kthesë kryesorepër të gjithë jetën, kishte filluar diçka krejtësisht e re, por e tillë, saqë nuk kasha qenë në gjendje ta supozoja atëhere, madje as ë ëndërrat e mia më të zjarrta” Për Dostojevskin po fillonte një jetë e re krijuese e ashpër dhe madhështore që së shpejti do ta trondiste botën letrare ruse. Ai do të bënte në heshtje siç bëjnë gjenitë betimin përpara altarit të letërsisë ruse dhe në mirëkuptim dhe dashuri të sinqertë me shkrimtarët e atdheut të tij do ta lartësonte artin me fuqinë e pashtershme të fjalës . Edhe paas 30 vjetësh autori i “romanit shoqëror” rus do ta kujtoë këtë moment: “Kjo ka qenë minuta më e mrekullueshme në të gjithë jetën time. Gjatë dënimit me punë të detyruar, shpirtërisht forcohesha, duke e kujtuar atë”. Dostojevski kishte besim të madh e të palëkundur në talentin e vet dhe asnjëherë nuk e fshihte krenarinë për suksesin e romanit të tij të parë. Në këtë vrull që e ka përfshirë drejt krijimit ai është përherë i palodhur dhe i shkruan të vëllait Mihailit “ Në gjendjen që jam, monotonia është vdekje”
Me të vetmen armë që zotëron artin e tij dhe aftësinë gjeniale të shpirtit të tij për të zhbiruar botën me të gjitha dritëhijet e veta, ai mundi të zbulojë me mprehtësi dhe thellësi të paimagjinueshme, jo vetëm në romanet e mëdha (Krim e ndëshkim, Idioti, Vëllezërit Karamazov, por edhe në novelat në dukje të vogla, temat e mëdha të kohës që rrezëllinin në shpirtin njerëzor të epokës. Le të kujtojmë këtu mes tyre një nga më brilantet e artit dostojevskian Krotkaja ( E ndrojtura), një novelë e mrekullueshme që zbërthen në mënyrë origjinale temën ekzistenciale. Ajo kapërcen në formë e vet të rrëfimit dhe eksplorimit të dritëhijeve të botës shpirtërore modelet aristike të kohës dhe paralajmëron ekzistencializmin modern. Stili i Dostojevskit në këtë novelë është fantastik, mjeshtër i kompozicionit të ndërlikuar, eksplorues i thellë qw vihet në një kërkim të mundimshëm dhe të vështirë të së vërtetës, e cila sidoqoftë mbetet e paarritshme dhe e shenjtë. Në faqet e një novele pasqyrohet një tragjedi e jetës njerëzore, dëshpërimi i njeriut të vetmuar, që ka humbur gjthçka dhe bluan në vetvete dramën e tij. Përmes monologut të protagonistit në pak fjalë shprehet mrekullisht e gjithë vuajtja e tij: … “..tërë jetën time kam përshpëritur në heshtje dhe tragjedi të tëra kam përjetuar në veten time në heshtje”
Dostojevski mbetet një zbulues i hollë i natyrës së ndërlikuar të njeriut dhe ekzistencës njerëzore, një artist i madh i fjalës artistike dhe mendimit që me veprën e tij na duroi disa nga modelet më të përsosura të letërsisë moderne, të cilat si pasuri e njerëzimit, do t’u rezistojnë shekujve.