Manipulimet partiake dhe lavdërimet boshe

Kultura

Manipulimet partiake dhe lavdërimet boshe

Nga: Hejza Art Më: 8 nëntor 2021 Në ora: 13:44
Foto ilustrim

Ministria e Kulturës është një prej dikastereve më të ndjeshme ku për çdo vit “thyhen heshtat” në mes të maqedonasve dhe shqiptarëve. Çuditërisht, ndonëse shqiptarët vazhdimisht “plagosen për vdekje”, ata vit për vit ndahen të lumtur se ia kanë dalë “të plagosen në periferi të organeve vitale”! Në mënyrë triumfaliste do të ngrenë pluhur, duke u lavdëruar se ia kanë dalë që të marrin 30, 40, 50, madje dhe 55 për qind nga Buxheti i Ministrisë së Kulturës! Kurse kanë thënë se para fakteve heshtin edhe zotët!

Shqiptarët kurrë nuk kanë arritur ta kuptojnë hilenë, por gjithnjë kanë shprehur kënaqësinë se vit për vit arrijnë që ta shtojnë numrin e botimeve të librave! Pas konfliktit të vitit 2001 numri i librave shqip të financuar nga kjo Ministri ka tejkaluar dyzetëshin dhe vit për vit janë shtuar nga një nga dy botime më tepër! Më vitin 2011 numri i botimeve ka arritur në 87 tituj, ndërsa më 2021 le të themi se arritën të botohen rreth 100 tituj! Dhe, gjithnjë, për çdo vit, shqiptarët e Maqedonisë së Veriut kanë konstatuar se diskriminimi kulturor u bëhet pikërisht se Ministria e Kulturës ndanë buxhet më të madh për librin maqedonas se sa për librin shqip! Pastaj, shtrohen ankesat, pas të cilave lejohet botimi edhe i nja 4-5 titujve dhe sakaq nuk ka më diskriminim kulturor! Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut mirëqenien kulturore e kanë matur me numrin e titujve të botuar pa çka që brenda atyre titujve ka anti-vlera të turpshme edhe për komunitetet më primitive!

Në Maqedoninë e Veriut funksionojnë mbi 60 institucione kulturore, në të cilat punojnë mbi 2100 persona, prej të cilëve, rreth 200 janë shqiptarë, ndërsa rreth 150 pjesëtarë të përkatësive të tjera (turq, romë, boshnjakë, serbë, vllehë, kroatë etj.). Pra, diku rreth 1700 të punësuar nëpër institucionet nacionale kulturore janë maqedonas, të cilët sikur të paguheshin minimalisht nga 350 euro, do të duheshin mbi 7 milion euro në vit! Për shqiptarët e punësuar nëpër këto institucione do të duhej buxhet vjetor prej afër 850 mijë euro! Nga buxheti vjetor prej 3.3 miliardë denarë, apo rreth 55 milion euro për vitin 2021, rreth 16 milionë euro shkojnë për transfere të ndryshme, afër 6 milionë për bllok dotacione, rreth 4 milionë euro investime kapitale, rreth 2 milionë e gjysmë euro për mallra dhe shpenzime të ndryshme, si dhe rreth 32 mijë euro për rroga për personat me kontratë në vepër dhe për kompensime të tjera. Po ashtu, rreth 800 mijë euro shkojnë për përfshirjen e të rinjve në aktivitete kulturore, për përforcimin e integrimeve në EU në rrafshin e kulturës si dhe për programin e ri për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore. Nga buxheti i përgjithshëm, pra, ikin mbi 36 milionë euro, ndërsa shqiptarët marrin mezi rreth 1 milion euro. Pjesa tjetër e buxhetit shkon për aktivitete për realizimin e programit vjetor të kësaj Ministrie. Edhe nga kjo pjesë e buxhetit për realizim të programit, shqiptarët nuk marrin as 10 për qind, kështu që, nga shuma totale shqiptarët nuk marrin më shumë se 3 milionë euro ose rreth 5.5 për qind nga buxheti i përgjithshëm!

Me asnjë marrëveshje deri më sot, as me atë të Ohrit, as me ato gjatë formimit të qeverive, nuk është zbutur diskriminimi shovinist që u bëhet shqiptarëve në rrafshin e kulturës. Ndërsa asnjëherë nuk është analizuar kjo çështje, e cila kryekëput ka anuar kah zbutja e diskriminimit në përfshirjen e shqiptarëve në administratën shtetërore. Taksapaguesit shqiptarë japin më shumë se sa marrin, përfshirë këtu edhe participimin në larjen e borxheve që autoritetet shtetërore i marrin për shtet dhe për shoqëri! Pa eliminimin e këtij diskriminimi, cilado parti që do të rrihte gjoks se ka bërë shumë për komb, në fakt e ka vetëm marketingun idiotik para elektoratit për t’ia grabitur votën! Ndërsa angazhimi në këtë sferë i cilësdo parti është gati se mision i pamundshëm, meqë në programet e tyre nuk gjen qoftë dy fjali për kulturën! Sepse nuk e kuptojnë as peshën, as rëndësinë dhe as rolin e kulturës kombëtare. Partitë tona, edhe për nja 100 vite të ardhshme do të merren me asfaltim, me kanalizime, me ujësjellës, me “ekologji”, sepse këtu janë paratë, tenderët, mundësitë për vjedhje e për pasurime enorm. Akoma nuk e kanë të elaboruar mundësinë e vjedhjes nga kultura, apo janë shumë të vetëdijshëm se këtu mund të përballen me njerëzit e kulturës dhe që në start janë të vetëdijshëm për humbjen e betejës së tyre, e cila nuk shkon përtej angazhimeve “patriotike” për vjedhje!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat