Ta shohësh tragjiken me sytë e “tjetrit”

Kultura

Ta shohësh tragjiken me sytë e “tjetrit”

Nga: Liridon Mulaj Më: 15 nëntor 2021 Në ora: 16:39
Gani Mehmetaj

Mbi romanin “Zogjtë e qyqes”, të autorit Gani Mehmetaj, fitues i Çmimit “Kadare” 2021

Dallimet racore kanë qenë shkaqet thelbësore të konflikteve dhe luftërave, përgjatë gjithë historisë. Lufta për territore është pasuar nga lufta për shpopullim, e më pas për ri-popullim si një proces artificial që zëvëndëson një realitet etnik me një tjetër.  Në shumë raste, kanë arritur ta realizojnë këtë proces deri në atë masë sa zëvëndësimet të jenë fizike dhe politike, por asnjehrë tërësisht asimiluese. Tendenca e shpopullimit është në thelb qëllimi i parë i një pushtuesi, i cili do ta këmbente paqen me luftën nëse kjo zhvendosje do të kryhej vullnetarisht. Pra, të supozojmë sikur një popull do të pranonte të linte tokën e tij në këmbim të faljes së jetës. Pushtuesi do ua kursente jetën, e me këtë rast dhe barutin e armëve të tij. Kjo nuk ka ndodhur plotësisht. Pjesërisht po, dhe jo shumë larg kohës sonë. Në tërë këtë mizëri elementesh të drejtpërdrejtë luftarakë si ushtarë, armë dhe vrasje, është populli ai që dyzohet ‘për të mbetur në këmbë’. Duke ndjekur ligjesitë e jetës, shpall në mbijetesë se lufta është e panevojshme dhe njerëzit pavarësisht përkatësisë racore, gjuhësore dhe ideologjike janë njësoj.

Politika qaset ndryshe, dhe kjo është ajo cka sjell imponim dhe indoktrinim duke prevaluar mbi mendimin e popullit dhe njëkohësisht duke i fshehur pas turmës, qëllimet e vërteta. Çmohet se një vend pushtues nuk ia ka dalë të kontrollojë fuqinë e tij shkatërruese, dhe se përgjegjës në mënyrë të tërthortë është dhe populli, prej fëmijës së sapolindur e deri tek më i moshuari; populli shkruan historinë e vendit të tij, qoftë me reagim apo me neutralitet, mosveprim ky që penalizon viktimën. Jo më kot u ndala në rolin e popullit në një konflikt. Kjo parantezë që nis me luftën dhe zhvendosjen, vijon me dokumentimin e saj i cili rreh në dy kahje të ndryshme: manipulimin që i shërben ‘xhelatit’, dhe vërtetesinë që i shërben viktimës.

Një formë dokumentimi e historisë është edhe letërsia, madje shkrimtarët shpesh i kanë cilësuar si kronikanë të një kohe të caktuar, edhe kur shkrimtari ka qënë bashkëkohës, edhe kur ka qenë kërkues dhe rrëmues i një periudhe të ndryshme nga ajo e ciklit të jetës së tij. Në rastin e parë kemi të bëjmë mirëfilli me një kronikan, dhe pikërisht këtij lloj kronikani ia kam kushtuar këtë shkrim të sotëm. Gani Mehmetaj, është autori i romanit “Zogjtë e qyqes” një roman-kronikë e një epopeje të gjatë dhe të dhimbshme të një marrëdhënieje të ndërlikuar mes popujsh, i cili fatkeqësisht u mbyll me konflikt të armatosur duke lënë pas mijëra viktima dhe një situatë të paqartë gjeopolitike, që vazhdon dhe sot.

Por, le te mbetemi tek romani dhe subjekti i tij. Nis me përshkrimin e një udhëtimi paksa mister dhe të paqartë, të cilin autori qëllimisht e vendos në hyrje të romanit, duke na ballafaquar që në nisje me një formë levizjeje demografike – e qëllimtë dhe e stimuluar për arsye të cilat dalëngadalë i sendërton, duke na i zbuluar hap pas hapi në vazhdim. Subjekti nis me zhvendosjen e serbëve drejt trojeve shqiptare, si fushatë e nxitur nga udhëheqja komuniste serbe, pjesë e një plani zëvëndësimi etnik të shqiptarëve tashmë të ikur në Turqi, me serbë të ardhur. Personazhi kryesor i romanit është një djalosh serb i cili rrëfen në vetën e parë krejt këtë pelegrinazh e më pas krejt marrëdhënien e konfliktit, në nisje dhe në mbyllje.

Rrëfimi dhe qasja e subjektit bëhet mbi baza empatie duke marrë rolin e tjetrit, pra një spostim i vetvetes nga një personazh “viktimë” në një personazh “xhelat”, duke përmbysur rendin e subjekteve romanore të shkruara në periudhën e pasluftës. Dhe jo pa qëllim përcaktimin xhelat e mbështjell në thonjëza, pasi personazhi është një djalosh i cili në zanafillë nuk i kupton dallimet racore dhe më pas kur mjedisi përreth ia zbulon, ai nuk i pranon ato. Sepse pulson qashtër, duke vënë shenjën e barazisë njerëzore pa e shkelur dot këndvështrimin humanist, të papërlyer me dogma dhe doktrina anti-njerëzore. Por, dhe në rastin e personazhit i cili qëndron jashtë frymës së urrejtjes racore, ai mbetet pjesë e së tërës që lëviz në një kah dhe kontribuon në thellimin e këtyre dallimeve, të cilat përshkallëzohen deri në luftë.

Image

Subjekti rrëfen me ngjyra të gjalla jetën e banorëve serbë të zhvendosur tashmë në shtëpitë e shqiptarëve të ikur, por të detyruar që territorin ta ndajnë me të tjerë shqiptarë të zonës.

Dallimet, ndasia dhe urrejtja janë lajtmotivi i këtij romani dëshmues, që kumton zanafillën e një bashkëjetese të komplikuar, e cila ia ndërsyn njeriun njeriut, pa një shkak të vërtetë.  Më pas ngjarjet rrjedhin në një rend kronologjik, ku devijimet mes shqiptarëve dhe serbëve nuk mungojnë, si në rastin e shqiptarit Dukagjin i cili bie në dashuri me Nadën, një vajzë serbe, dhe martohen duke krisur jo pak barrierat e ndarjes së thellë mbi baza urrejtjeje.

Jeta e gjithsecilit prej nesh përbën një histori në vetvete, edhe nëse kjo histori është e papërfillshme në raport me boshtin qendror të historisë botërore. Ndryshe ndodh me personzhet tanë, jeta e të cilëve është një histori në vetvete, e izoluar por që rrethanat gjeo-historike në të cilën kryhet e shndërrojnë atë në një nga faqet më të errëta të atij boshti që përmenda më lart.

Romani “Zogjtë e qyqes” i Gani Mehmetaj, e dokumenton këtë faqe të errët, parë nga këndvështrimi i “tjetrit” duke na dëshmuar se edhe mes një populli të indoktrinuar me dhunë dhe terror, gjenden ‘njësi’ të humanizmit që mund të jenë zanafilla e rinisjes së një periudhe të re bashkëjetese, larg së shkuarës tragjike e cila dashje pa dashje na përndjek duke diktuar të tashmen. /Gazeta Liberale

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat