Më zbret ëndrrës çdo natë, Kosovë

Kultura

Më zbret ëndrrës çdo natë, Kosovë

Nga: Naxhije Gashani Më: 27 nëntor 2021 Në ora: 20:22
Naxhije Gashani

Ëndrrës më zbret çdo natë

Kosovë

Shpërfaqur pelhurës së bardhë sikur lulet e pajës së nanës

 

petalet herë-herë të bien

bëhesh tamam tablo vjeshte portret i etur pranverash

 

të marr në sy e ikim tutje lugnajës së zanave

të blertën ta vë si përkrenare e frymën e paqtë e shtyej t'i jep udhë syve tu

 

rrimë e s'trandemi nën hije ahesh të futura legjendash

të lus të bëhesh uji i pijshëm pa ngjyrë e të ujitësh shpirtërat e malluar largësie

 

ëndrra zgjatet fiton përmasën e pothuajse tre copash të ndara jete

shtrirë shtigjeve ku bie e ikën hija

sikur nëpër kinema nën projektorë dritash

vetëmse aktorët luajnë atë dramë

fundin e së cilës e mbajë përfundi qepallash të mbushura

mall

 

Diku ëndrrës i bie udha edhe kah porta ime

troket aty tek lisi që bën hije andej e këndej tokës së bacës

 

më shfaqet nana

dhe e ecura e babës nën ombrellën e një meditacioni që çon larg atje

mes kapitullit të librit lexuar së fundmi

 

Ëndrra shtrinë krahët edhe në natën tjetër

aty ku mbetëm së ndezuri fanarët

e udhëve

sërish më zbret mu në zemrën e gjumit

e prek qetas shpirtin sikur dorë nane

 

zgjohem kur agu bie qiejve të syve

e përzë ëndrrën deri në natën tjetër

e ti Kosovë merr krah e më zbret

syve

tërë ditën e lume ngre ombrellën

e kujtimeve

shikimit tim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat