Duke kujtuar shkrimtarin vizionar

Kultura

Duke kujtuar shkrimtarin vizionar

Nga: Vlash Prendi Më: 3 dhjetor 2021 Në ora: 17:56
Hasan Hasani

Kёtё fillim dhjetori Rruga e Kombit ka nje gjallëri të veҫantё, lëvizje të shumta drejt Dardanisë së lashtë. Sapo kalojmë qytetin e Rrëshenit, na shoqërojnë flokët e bardh të dëborës dimërore, madje edhe temperaturat kanë rënë nën zero. Moti parashikohej i ftohtë dhe me reshje dëbore, por sapo kaluam Morinën, si për t’ju pergjigjur dëshirës sonë, bora pushoi dhe dielli rreziti gjithë Rrafshin e Dukagjinit, prandaj edhe misioni ynë do të realizohej me suksese. Unë, poeti dhe studiuesi Llesh Ndoi dhe poeti dhe publicisti Mark Gjergji, udhëtojmë drejt Rrafshit të Dukagjinit për të marrë pjesë në ceremoninë përkujtimore të 1 vjetorit të ndarjes nga jeta të një prej figurave më të shquara të letersisë mbarëkombëtarë shqiptare, poetit dhe shkrimtarit të njohur Hasan Hasani – Përkola.

Shkrimtari Hasan Hasani është një nga shkrimtarët më të njohur në trojet mbarëkombëtare shqiptare. Studiues, poet, shkrimtar, krijues erudit, me firmën e të cilit sot janë në qarkullim plot 76 vepra të fushave dhe disiplinave të ndryshme letrare, njeri me vlera të paçmuara shoqërore dhe kombëtare. Përsonalitet me kulturë të gjërë dhe dije shkencore, vazhdues i denjë i veprës së të mirënjohurve Ramiz Kelmendi, Nazmi Rrahmani, Esad Mekuli, Azem Shkreli apo Ali Podrimja, kritik ndaj problemeve që e shqetësojnë shoqërinë dhe vlerësues ndaj veprave patriotike. Lindi më 16 janar tё vitit 1947, në fshatin Shqiponjë, në Dushkajë të Gjakovës në Rrafshin e Dukagjinit, siç pohon dhe vetë, me prejardhje nga fisi Përkolaj nga fshati Domgjon i Mirditës. Pasi përfundoi studimet në vendlindje dhe normalen në qytetin e Gjakovës, vijoi studimet në Universitetin e Prishtinës, në degën e gjuhës dhe letërsisë shqipe. Që në bangat e Universitetit, u mor me krijimtari letrare dhe publicistike, ndërsa poezitë e para i pati botuar aty nga viti 1965, në revistën letrare “Jeta e re”. Më vonë, Hasani ndërmori bashkëpunim me shumë organe shtypi që botoheshin aso kohë në Kosovë. Qe bashkëpunëtor i rregullt i gazetës “Bota e re”, ku botoi shumë artikuj publicistikë dhe sidomos krijime letrare. Në vitin 1976 e shohim redaktor në gazetën “Fjala”, ku dha një kontribut të paçmuar në redaktime dhe krijimtari letrare. Për një periudhë rreth 10 vjeçare punoi në revistën “Pionieri”, ku lindi talenti i tij për të shkruar edhe për fëmijë. Të shumta ishin krijimet e tij të botuara në këto organe shtypi, përmes të cilave pasqyronte ndjenjat patriotike, dashurinë për atdheun, synimin për unitet kombëtar dhe urrejtjen kundër pushtuesve shovinistë serbё. Kosova ka qenë vend traditash shekullore, vend i banorëve me virtyte të larta njerёzore, vendi i njerëzve me vlera, ku vepronte e drejta zakonore, besa, fjala e mbajtur, bujaria, mikpritja, kuvendi, respekti, e drejta dhe vlera njerëzore, që më vonë u bënë motive dhe subjekte të veprave letrare të Hasan Hasanit.

Vite më parë më pati rënë në dorë libri i tij i parë me poezi “Krojet e bardha”, botuar nga shtëpia botuese “Naim Frashëri”, një libër i vogël, por që mbante një peshë të madhe poetike. Më ka pëlqyer që atëherë poezia e tij, sepse në Kosovën tonë kreshnike po lindte një brez poetësh tё talentuar si Hasan Hasani, Esad Mekuli, Azem Shkreli, Ali Podrimja, Rrahman Dedaj, Din Mehmeti, Agim Vinca, Flora Brovina, Latif Berisha, Jakup Cёraja që po përpiqeshin të hidhnin themelet e letrësisë së re, duke luftuar pa kompromis me pushtuesit serb. Megjithëse krijimtaria e tyre ishte e censuruar, ata ia dolën me sukses, që përmes veprave të tyre të edukojnë brezat. Më vonë, autori botoi edhe libra të tjerë, ku dallohen “Dallgët e Vërrinit” – 1969, njё vёllim poetik mjaft i kontestuar qe i hoqi autorit tё drejtёn e botimit pёr njё kohё tё gjatё. Pastaj erdhёn veprat: “Më bekoi pa gjuhë” – 1971, “Suferinë” – 1967, “Muza shqiptare”, 1997, “Qërpikë me lot” – 1999, “Tek uji i zi” – 2009, “Kodi i gjakut” - triologji, “Leksikon i shkrimtarëve shqiptarë” – 1994, “Kohë të egra”, - 2006, si dhe veprat studimore “Të anatemuar”, - 2005, “Faqe libri” – 2007, “Metafora e dhembjes” – 2012, dhe shumë vepra të tjera, përmes të cilave na përshkruan jetën e vështirë në Kosovë dhe luftën e popullit kosovar për liri, pavarësi, dhe përparim shoqëror.

Image

tillë krijues ishte shkrimtari Hasan Hasani – Përkola, i cili u nda nga jeta me 30 dhjetor të vitit të kaluar, duke lënë të papërfunduar një nga veprat monumentale për Mirditën qe e pati titulluar “Mirditiada”. Edhe ky ishte motiv kuptimplotë që ne po udhëtonim drejt Jabllanicës, ku prehen eshtrat e të poetit të madh Hasan Hasani. Vizita tek varri i tij, ishte tejet emocionante.Shumë vepra, shumë kujtime, biseda, vlerësime la mes nesh poeti i mirënjohur.

Të pranishëm familjarë të poetit, bashkëfshatarë të tij, miq dhe kolegë të shkrimtarit si dhe shkrimtarë dhe artistë, përfaqësues të Shoqatës së shkrimtarëvë “Penat e Dushkajës”, anëtar aktiv i së cilës ishte edhe poeti. Në këtë eveniment të rëndësishëm merrnin pjesë Blerim Hasanaj, perfaqësues i familjes së shkrimtarit, kryetari i Shoqatës shkrimtari Skënder Hoxha, poeti dhe studiuesi Llesh Ndoi, Shkrimtari i njohur Nazmi Rrahmani, studiuesi Demë Topalli, shkrimtari Jonuz Fetahaj, poeti Gjokë Sokoli, studiuesi Dan Halilaj, publicisti Mark Gjergji, poeti Xhaferr Kita, piktori Demush Avdimetaj, poeti Mal Haziri, fotografi Shkelzen Rexha, veprimtari i njohur, farmacisti Gjon Gega, Ardian Hasanaj etj. U fol për jetën dhe veprën e poetit, i cili la një trashëgimi të konsiderueshme veprash letrare dhe studimore, trashegim për brezat e ardhshëm.

Pas këtij momenti mjaft emocionues, veprimtaria u zhvendos në ambientet e restorant “Antika” në qytetin historik të Gjakovës, ku u mbajt Ora Përkujtimore dhe u promovua vepra e fundit lënë në dorëshkrim “Mirditiada”, realisht e papërfunduar e poetit dhe studiuesit Hasan Hasani – Përkola. Vepra u pergatit dhe u botua nën kujdesin e poetit dhe studiuesit tashmë të njohur Llesh Ndoi. Ështё pikёrisht kjo vepёr madhore qe finalizoi krijimtarinë e tij për Mirditën , qe “Mirditiada”, të cilën autori e la në dorëshkrim. Duhet theksuar se poeti e nisi kryeveprën e tij, në kushte tepër të vështira, sepse u prek nga sëmundja e shek. Covid 19 dhe për këtë arsye vepra mbeti e papërfunduar, sepse në fillim të dhejtorit 2020, poeti i madh ndahet nga jeta. Këtë tragjedi autori e kishte parandjerë, sepse e kishte shprehur jo rrallë me mikun e tij të dashur Llesh Ndoj, mes të cilave ishte shprehur: “…sikur të më fali Zoti edhe një vit jetë, do të kisha botuar një vepër mjaft të bukur për vendlindjen e të parëve të mi, për Mirditën, por është e pamundur. Sëmundja po më lodh gjithnjë e më shumë…”. Megjithse në kushte të vështira, ai kishte punuar shumë, kishte derdhur talentin e tij në këtë libër, për këtë vend të dashur për të cilin ndjehej mjaft krenar.

Duhet theksuar se tek poema “Mirditiada”, autori kërkon të rrokë shumë tema, sepse ishte i etur për t’u shprehur, për të pasqyruar përmes vargjeve krenarinë për trojet e të parëve, krenarinё pёr Mirditёn, prandaj në këtë vepër sundon tema historike, e cila është trajtuar me një kumbim thellësisht aktual. Evokon autori periudhën e lavdishme të Gjergj Kastriotit, të Pren Kolës, të Gjergj Fishtës, deri tek burrat e sotëm mirditorë, që shqetësohen për fatet e atdheut dhe tё shoqërisë së sotme. Dhe në këtë fond, figura të tilla shquhen me një shkëlqim të veҫantë, sepse bukurinë morale të burrave të shquar të Mirditës, poeti e ka zbuluar me forcën e arsyes, të karakterit popullor dhe njerëzor, sepse ata mishërojnë vetitë dhe traditat e të parëve. Qoftë karakteret e personazheve, qoftë përshkrimet e vendeve historike të kësaj krahine shkëlqejnë nga forca fisnike dhe morale, sepse tablotë e paraqitura kanë përfytyrime vigane dhe natyra zbulohet me apsektet e saj më të ashpra, por më të bukura, ku poeti na jep shumë tablo të detajuara të mjedisit dhe zakoneve, përshkruar me emocion shumë situate të ndjera më emocionalisht, përzier me një farë dramaticiteti të lehtë. Në këtë poemë është i pranishëm edhe konflikti, një konflikt i brendshëm artistik që ekziston mes poetit dhe vendlindjes së të parëve të tij, të cilat autori nuk i ka njohur më parë, por ky konflikt moral zgjidhet ëmbël, pasi poetit i jepet mundësia që ti vizitojë këta vended he të krenohet me bukurinë dhe lavdinë e trojeve të të parëve, prandaj poeti derdh në art shpirtin e tij krijuesë ndjenjat njerzore.

Për të karakterizuar personazhet historikë dhe realë, autori përdor mënyrën e zbulimit të karaktereve të qënësishme të tyre. Ata përshkruhen si njerëz trima, atdhetarë, me tipare burrërore, mikpritës dhe me vlera tradicionale dhe shoqërore. Ka lexuar për figurat historike, por njeh realisht edhe Llesh Ndoin, Mark Gjergjin dhe Ndue Preҫin që e shoqërojnë kudo nëpër krahinë. I vetëdijshëm se nuk i mungon frymëzimi, por forcat po e tradhëtojnë, autori shpesh bie në pesimizëm dhe nuk beson se mund t’ia dalë deri në fund kësaj sipërmarrje artistike, ashtu siҫ ndodhi në të vërtetë…I paharruari Hasan Hasani – Përkola është një poet lirik. Poezia e tij është një ndërthurje artistike brengash dhe këngësh që shprehin me vrull djaloshar shpirtin e shqetësuar të poetit, i cili e don shumë jetën, megjithse ajo i fali pak ҫaste gëzimi dhe lumturie. Beson poeti te perëndia dhe kërkon të përshkruajë rrugën plot shqetësim të dymbëdhjetë apostujve që shoqëruan me besnikëri Jezusin deri në momentet e fundit të martirizimit. Pikërisht tek këta figura historiko – mitologjike, poeti gjen veҫori të përbashkëta me burrat e zgjuar që përfaqësonin të dymbëdhjetë bajrakët e Mirditës. Por lirizmi i tij nuk është gjithnjë i qëndrueshëm, sepse diku ai është i qetë, pastaj dallgëzon si deti me valë, urren padrejtësitë dhe robërinë, rrëmbehet dhe thërret për tu dalë Zot trojeve tona, pastaj bën apel të shijojmë bukurinë dhe begatinë e natyrës shqiptare. Këta ndryshime bëjnë që të njohim një poet ku pasqyrohet një shpirt i shqetësuar, por i pasur, një zemër tepër njerëzore që aspiron për besim dhe shpresë edhe kur është në kushte të vështira. Në trajtimin e kësaj tematike, poeti Hasan Hasani zë një vend nderi në historinë e letërsisë shqiptare.Në këtë pikëpamje poeti ynë është original në zgjedhjen dhe trajtimin e temave, por nuk është spontan në shtjellimin e ideve, sepse godet artistikisht aty ku duhet. Është mjeshtër në parashikimin e motiveve, sepse gjithnjë është i frymëzuar kur vjen fjala për vendlindjen dhe atdheun, është mjeshtër në përdorimin e vargut dhe shprehjen e ideve të qënësishme. Kjo duket edhe në këta vargje me mjaft peshë emocionale. Poezia e Hasan Hasanit është e këndshme dhe me vlera artistike dhe kur trajton tema historike, pra Hasani mbetet poet i vlerave të rralla, edhe kur shkruan për figura të mëdha të kombit tonë. Me figurën e Gjergj Kastriotit janë edukuar breza, prandaj tek përshkrimi i kësaj figure historike, shohim një poet që zotëron gjuhën dhe stilin në mënyrë dinamike.

Në këtë aktivitet me vlera folën poetë, shkrimtarë dhe studiues, të cilët vlerësuan në maksimum veprën e poetit Hasan Hasani, veprimtarinë letrare rreth 55 vjeҫare të poetit si dhe u ndalën në momentet më të rëndësishme të jetës së tij. Shkrimtari i njohur Skënder Hoxha, njeherit kryetar i Klubit Letrar “Penat e Dushkajës” i përshëndeti të pranishmit me një poezi të bukur, ku evokonte vlerat e veprës se poetit të shquar dhe momente pikante nga jeta e tij, pastaj e mori fjalën poeti Gjokë Sokoli, i cili u ndal në momentet kryesore të jetës së shkrimtarit hasan Hasani. Më tej përshëndet poeti dhe studiuesi Llesh Ndoi, i cili u angazhua në përgatitjen dhe botimin e librit. Ndër të tjera ai theksoi: ...Ishte “foshnja” e shtatëdhjetë e gjashtë, a shtatëdhjetë e shtatë në radhë, por midis frymës së Mirditёs e shkrimtarit tone tё madh, ishte krijuar një lidhje, një kimi, një dashuri e veçantë. Ai e priste atë si të ishte e para lindje dhe përjetonte në vetvete emocionet e “Krojeve të bardha”, botuar kur ishte akoma adoleshent! E dha edhe frymën e fundit pa i mbyllë sytë dhe me shikimin drejt “foshnjës” së tij më tё re, akoma të palindur e të brishtë, me Shpresën se Zoti do ta ndjente lutjen e tij, për t’i dhënë jetë plotësisht, por edhe me urimin që gjithsesi ajo të mund të jetonte…

Kjo është pra rrethana, që ma bën të vështirë punën për t’i dhënë asaj jetë, pasi ajo është e brishtë e delikate dhe njëkohësisht mbart shumë dhimbje e dashuri. Mbart gjithë dashurinë që shkrimtari i ndjerë kishte për Mirditën dhe gjithë dhimbjen time që autori nuk arriti ta nxirrte atë të plotë në jetë! Ma kishte shpalosur projektin dhe e kishte shkruar me dorën e tij se kjo vepër do të përbëhej nga 15.100 vargje, të ndarë në nga 12 këngë për çdo bajrak, me nga 100 vargje kënga (12x12x100), plus prologu dhe epilogu. Shkrimtari nuk i ndante 12 bajrakët e Mirditës, me 12 Apostujt e Krishtit dhe e shihte Mirditën si Vatikanin real të Ballkanit, ndaj e gjithë persiatja e tij poetike, ndonëse e sapo nisur, këtë lidhje synonte të nxirrte në dritë. Nuk ia arriti, pavarësisht dëshirës e lutjeve të tij dhe jo vetëm! Duke qenë prej pak vitesh një dashamirës, lexues e bashkëpunues me shkrimtarin e paharruar, më bie barra që të bëj të gjitha përpjekjet që kjo “foshnje e parakohëshme dhe delikate” të jetojë! Ani, ashtu e brishtë, siç është, por… të jetojë! Duke qenë se e kam ndjekur “ngjizjen” e kësaj vepre, që kur ishte thjesht një projekt në mendjen e shkrimtarit, e ndjej si detyrim ta bëj këtë. Pavarësisht se ishte planifikuar në përmasa të mëdha me 15100 vargje edhe në kaq sa janë lёnë të shkruara prej autorit, nxirret konkluzion i qartë për atë që ai ndjente për Mirditën e mirditorët dhe vepra lexohet e përcjell mjaft mirë mesazhet e tij. Ai u ndal edhe në disa moment interesante komunikimi me poeti, kur ai nuk ndjehej mirë nga gjendja shëndetësore. Përshëndetja e tij u prit me interes nga pjesmarrësit. Në vazhdim përshëndeti shkrimtari i njohur Nazmi Rrahmani, i cili solli plot emocion grimca nga jeta dhe marrëdhëniet shoqërore me shkrimtarin Hasan Hasani, miqësinë gati 50 vjeҫare me poetin, duke vënë në dukje burrërinë, heshtjen, bujarinë, korrektesën, zgjuarsinë dhe sinqeritetin qe e karakterizonte këtë personalitet të kulturës dhe letersisë shqipe. Shkrimtari Jonuz Fetahaj solli kujtime studentore emocionale së bashku me poetin Hasan Hasani dhe shkrimtarin e njohur Daut Demaku në periudhën e rinisë së hershme. Madje ai theksoi se shkrimtari i njohur pati menduar disa herë të hiqte dorë nga shkrimet, por kur njohu vendlindjen e të parëve u zgjua pasioni i tij për të shkruar për Mirditën, punë qe u kurorëzua me 5 vepra. Studiuesi Din Halilaj u ndal tek fakti interesant i parashikimit të vdekjes nga poeti. Është interesant fakti se në shumë moment si në veprën “Monolog me Malin”, ashtu edhe tek vepra e fundit “Mirditiada”, ai e parandjeu vdekjen. Përshendeti edhe poeti Xhaferr Kita, farmacisti i njohur Gjon Gega me origjinë nga Domgjoni i Mirditës, Labinot Berisha pershendeti në emer të studiuesit të njohur Anton Nikë Berisha dhe Shefqet Brahimi, i cili shprehu shqetësimin se eshtrat e prof. Hasanit duhet të prehen në varrezat e figurave të shquara të Kosovës, por amaneti i tij ka qënë qe Ai të varrosej nën hijen e lisit ku kishte shkruar poezinë e parë, në Jabllanicën e tij të dashur. Të pranishmit i përshendeti edhe Blerim Hasani, djali i shkrimtarit të njohur, i cili pasi falenderoi të pranishmit, tha se po pergatit një catalog me veprat e shkrimtarit Hasan Hasani – Përkola. Ndërsa fotografi i talentuar Shkelzen Rexha kërkontë të fiksonte në celulid ҫastet emocionale të këtij aktiviteti, qe do tё kujtohet pёr tё mos u harruar kurrё.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat