Revista “Shqiptari” kushtuar zt. Nehat Islami

Kultura

Revista “Shqiptari” kushtuar zt. Nehat Islami

Nga: Baki Ymeri Më: 3 dhjetor 2021 Në ora: 21:51
Kopertina

Nehat Islami ka diplomuar në Fakultetin Juridik të Universitetit të Zagrebit në vitin 1966. Karrierën e tij gazetareske e filloi në “Rilindja” e vetmja gazetë ditore e asaj kohe që botohej në shqip në Kosovë. Një vit më vonë ai u transferua në redaksinë e RTP (Radio Televizioni i Prishtinës). Nga viti 1974 deri në vitin 1979 ai ishte korrespondent i gazetës së Lindjes së Mesme në Bejrut. Pas kthimit në Prishtinë emërohet redaktor i Politikës së Jashtme. Në atë pozitë qëndroi deri në mesin e vitit 1990 kur “Rilindja” u ndalua nga autoritetet serbe. Nga viti 1999 deri në vitin 2002, ai ishte menaxher i projektit të Institutit për Raportim të Luftës dhe Paqes – zyrë në Prishtinë. Që nga viti 2005, ai drejton Zyrën e Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës.

Nga korrespondenca me zotërinë e tij, kuptojmë se në vtin 1971 ka realizuar disa reportazhe ne Bukuresht, me koloninë shqiptare. Në emision janë biseda me Viktor Eftimiun, me të mbesat e Asdrenit, me tre nga këngëtarët e grupit të parë që kanë ushtruar dhe kënduar Hymnin Kombëtar me Asdrenin dhe me kompozitorin rumun. Ka edhe shumë personalitete shqiptare të asaj kohe, të cilët më nuk janë të gjallë. Zoti Nehat është autor i një reportazhi me titull „Profecia për Kuvajtin dhe Kosovën”. Fillimisht ai përmend faktin se shkrimtarja dhe gazetarja e shquar kuvajtiane Lejla el Osman, mbeti mike e përhershme e Kosovës. Fjala është për shpalosje kujtimesh për traumat e dy popujve tanë dhe paradigmën e mosdorëzimit para së keqesj. Po ia japim fjalën:

Fryu era e shkretëtirës dhe ma solli në freskun e Gërmisë muzën e gazetarit që ta përkujtoj për së gjalli zonjën e veçantë të Kuvajtit, Lejla el Osman, shkrimtare e shquar, autore e gjashte romaneve dhe po aq veprave të tjera letrare. Nga veprat e saj u xhiruan filma dhe seri televizive, kurse romani i saj “Vesmia del nga uji” (Wasmiya takhruju min al-Bahr) – që tani së shpejti del në shqip në përkthim të Shemsi Ajvazit – është shpallur ndër 100 romanet më të mira në letërsinë arabe. Kjo pjesë e biografisë së saj u përket kritikëve të letërsisë, kurse për mikeshën e Kosovës që nga vitet ’70-të, kur për herë të parë ishte tek ne e ftuar nga Shoqata e atëhershme e Shkrimtarëve të Kosovës, mund të them se është një paradigmë e intelektuales së guximshme në këtë botë të trazuar.   

Lejla u lind në Kuvajt, më 1948. Familja e saj si shumë të tjera u bë shumë e pasur, veçmas pas pavarësisë nga britanikët, më 1961. Ajo krenohej se Kuvajti ishte vendi i parë i Gjirit me kushtetutë e demokraci parlamentare, me një zhvillim të shpejtë të kulturës që e bënë Kuvajtin të dallohej me gazeta e revista të njohura si “al-Arabi”, që ia kushtoi Kosovës një reportazh më 1982 që bëri jehonë të madhe. Kuptohet, pas zbulimit të naftës, Kuvajti u bë ndër shtetet më të pasura në botë, por Lejla nuk ndryshoi. Nuk e rrëmbeu shkëlqimi i ardhur nga nëntoka e atdheut. Ajo vazhdoi të punonte në gazetari e të merrej me letërsi, si me atë njeriun tjetër në rruzull që po vuante.   

Kur u takuam për herë të parë në Prishtinë, ne ishim më të varfrit në ish-Jugosllavi, kurse Lejla ndonëse milionere, sillej si ne, nuk shiste asnjë salltanet, por shndriste me mendjen dhe vëzhgimet e saj.    “Kuvajti dhe Kosova janë si dy vëllezër të vegjël. Njëri është i pasur, kurse tjetri shumë i bukur. Kosova dhe njerëzit e saj bujarë janë vëllai i dytë. Ruajeni!”.   

Kjo fjali më është ngulitur, gjersa Lejla me bashkëshortin palestinez Velid Ab Bakër (që vjet iu botua në shqip romani “Penjtë“ në përkthim të Abdulla Hamitit), unë dhe miku im Muhamed Mufaku me bashkëshortet tona deshëm të pinim një kafe në një restorant të vogël që gjendej mu aty ku sot shtrihet ”Vila Germia”. Por aty ishte ndezur një dasmë. Kur kuptoi se kishim mysafirë, i zoti i dasmës na ftoi të hynim brenda, ndonëse nuk njiheshim më parë.    Atë ditë Lejla e nxori në shesh shpirtin e poetes së vërtetë. Vallëzoi dhe këndoi këngët e saj bashkë me dasmorët. Në ndarje brohoriti: “Edhe unë jam kosovare”.  

Që nga atëherë ajo e mban në zemër Kosovën, duke u paraqitur me shkrime dhe forma të tjera për të vërtetën e “vëllait të vet” tjetër. U gëzua shumë kur “Rilindja” ia botoi një libër me tregime “Mbrenda është një botë tjetër”, më 1986. Për dhembjet e Kosovës shkroi që nga viti 1981, duke e ngritur zërin e shkrimtares, gazetares dhe humanistes.   

Me Lejlën, për së dyti u takuam rastësisht në Irak, në dhjetor të vitit 1987. Ishte gati fundi i luftës tetëvjeçare midis Irakut dhe Iranit. Ajo luftë aq e përgjakshme filloi me sulmin irakian, por përfundoi me gjysmë milioni të vrarë dhe dyfish më shumë të plagosur nga të dyja palët. Dëmet materiale të të dyja shteteve fqinje u llogaritën nga 400 miliardë dollarë për secilën palë, por qëllimi i Sadam Hyseinit, për ta luajtur kufirin në tokë dhe det, nuk u arrit. Lufta e tij vetëm sa e forcoi pushtetin e Homeinit në krye të Iranit.   

Qeveria irakiane kishte ftuar mbi 2.000 gazetarë të huaj nga mbarë bota për të vizituar Irakun “në pupa”, që gëzonte mbështetjen e të gjithë arabëve dhe shteteve perëndimore. Ai ka qenë udhëtimi im më i veçantë në jetë. Qeveria kishte sajuar një tren të gjatë nga dy kilometra dhe disa lokomotiva, e në mes vagonë të fjetjes për të gjithë, dhe vagonë-restorante. Kishin mbledhur kompozicione nga shume shtete të Evropës. Treni u nis nga Mosuli, veriu i Irakut, për të përfunduar pas disa ditësh në Basra, në kufi me Iranin ku ende zhvilloheshin luftime.   

Lejla ishte gazetarja më e njohur në atë grup. Aq shumë u gëzuam që të dy për atë takim të papandehur. Ajo më prezantonte si “vëlla të saj nga Kosova”. Gazetarët botërorë dinin për Kosovën dhe gjakderdhjet e popullit të saj nga sundimi i një Sadami ballkanik që kishte marrë pushtet të pakufizuar edhe mbi Kosovën. Autoritetet irakiane kishin kujdes të veçante ndaj Lejles që të mos kishte asnjë vërejtje, pasi që atdheu i saj Kuvajti e kishte ndihmuar Irakun në luftë kundër Iranit me 65 miliardë dollarë.   

Derisa po udhëtonim me atë tren drejt Qerbelase, më kujtohet se Lejla shprehu shqetësimin e saj edhe për fatin e mundshëm të atdheut të saj.   “Këtij nuk i zihet besë. E ka mpirë baroti”, tha e shqetësuar.   Nuk u mbushën as tre vjet nga ai udhëtim i përbashkët, kur më 2 gusht 1990 mbi 500 mijë ushtarë irakianë filluan invadimin në Kuvajtin fqinj, për ta gëlltitur të tërin bashkë me pasuritë e tij përrallore. Mbi 400 mijë kuvajtianë ikën nga vendi për të kërkuar shpëtim kudo në botë. Lejla ngeli me forcat e rezistencës të cilat filluan aktivitetet guerile, pasi armata dhe policia e Kuvajtit u mposht që në ditët e para. Sadam Huseini e shpalli Kuvajtin si distriktin e tij të 19-të, duke u përpjekur ta shlyejë çdo gjurmë të një shteti që para invadimit ishte lakmia e botës.   

Për së treti sërish u takuam papritmas para dyerve të mëdha të Pallatit të OKB-së në Gjenevë. Ishte vjeshtë e thellë e vitit 1990. Flaka Surroi dhe unë gjendeshim në sesionin vjetor të Komisionit për të Drejtat e Njeriut, të dërguar nga Këshilli Kosovar për të Drejtat e Njeriut, për të kërkuar ndihmë duke sensibilizuar opinionin ndërkombëtar mbi gjendjen e padurueshme në Kosovë.   

Lotët që na pikuan pa kontroll, na kthyen sërish në Gërmi, kur ajo pati shprehur profecinë për “dy vëllezër të vegjël”, të cilët i ndoqi gati i njëjti fat i okupimit, vrasjeve dhe dëbimit të popullsisë, por edhe neve, si Kuvajtit, na ndihmuan aleatët botërorë në krye me SHBA-në. “Dever dynja”.   

Përfundimi i këtij invadimi dihet. Shtetet e Bashkuara të Amerikës me gjysmë milioni ushtarë të vet dhe 200 mijë ushtarë të 34 vendeve aleate iu vërsulën më 16 janar 1991 forcave të Sadamit në Kuvajt, nga toka dhe qielli dhe pas një muaj e gjysmë luftimesh të rrepta, e dëbuan nga kishte ardhur. Aq shumë e urrente Sadam Hyseini Kuvajtin, saqë duke u tërhequr ua vuri flaken qindra burimeve të naftës, të cilat mezi u fikën pas disa muaj përpjekjesh.   

Së bashku me forcat irakiane, nga Kuvajti më 1991 u detyruan të largohen edhe disa mijëra palestinezë të punësuar si ekspertë dhe punëtorë krahu. I dëboi qeveria vendore, pasi Arafati qëndroi në anën e Sadam Huseit. Ndër të larguarit ishte edhe bashkëshorti i Lejlës, vetëm pse ishte palestinez. Ajo e përjetoi rëndë këtë, por midis dashurisë ndaj atdheut dhe bashkëshortit, e zgjodhi të parin. Lejla sot jeton në Kuvajt, si gjithherë duke mos fluturuar mbi dallgët e dollarëve, por duke shkruar për jetën e njeriut që pasuri të parë e ka lirinë, së pari në qenien e vet.   

SHKURTIMISHT PËR BUKURESHTIN

Bukureshti sipas Lasgush Poradecit:Lëvizja shqiptare për të fituar lirinë dhe kombëtarësinë e humbur mori fill në qindjvjetorin e shekullit nëntëmbëdhjetë brënda kollonive të mërgimit, dyke patur si udhëheqëse më të vendosur dhe më të madhe atë të Rumanisë me kryeqendër Bukureshtin. Në Bukuresht u themeluan shoqëri dhe shtypëshkronja dhe gazeta dhe shkolla dhe kisha dhe xhamija më e parë shqiptare ndër gjithë popujt ballkanikë të robërisë”. Kolonia e Bukureshtit, sipas tij, „jo vetëm që e fitoi famën e saj të pavdekur si veteranja e veteraneve me një vepërim politik të shumëanshëm, po veçanërisht dhe sipër së gjithash, ajo u shqua si pishtar i vërtetë i përhapjes kulturore jashtë dhe brënda Shqipërisë. Ajo shtypi librat e Naim Frashërit dhe të Asdrenit, që përflaknë të rinj e pleq me zjarrin e përvëluar të atdhedashurisë. Ajo e përmbajti në gjirin e saj dhe përtej, shpirtin e kombit të etur për liri dyke e nxitur pa pushim në punë vetëtherrorije, dyke i rrëfyer me njëmijë shëmbëlla udhën e shenjtë që shpinte për në jetën e pavarur të shtetit shqiptar të ardhshëm”. (Baki Ymeri)

Post Scriptum: Këto janë disa fragmente nga revista „Shqiptari” kushtuar Zt. Nehat Islami dhe familjes së tij. Redaksia falënderon përzemërsisht vajzat e tij në Amerikë për kujdesin dhe kontributin simbolik monetar, që kjo revistë (më e vjetra e Diasporës Shqiptare), ta shohë edhe më tej dritën e botimit.

Image

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat