Për kulturën teatrore që na mungon

Kultura

Për kulturën teatrore që na mungon

Më: 6 dhjetor 2021 Në ora: 11:33
Ilustrim

A do t’ia dijë dikush se çfarë po ndodhë me kulturën teatrore shqiptare në Maqedoninë e Veriut! Tashmë i kemi tri teatro-institucione nacionale (Shkup, Tetovë, Gostivar) si dhe një njësi teatrale pranë Shtëpisë së Kulturës në Kumanovë, ndërsa pasiviteti i tyre ka “neutralizuar” tërësisht publikun! Edhe nëse rastësisht shfaqet ndonjë premierë, publik nuk ka, sepse publiku tashmë ka harruar që ekzistojnë diku teatrot shqiptar!

Në Shkup, përkundër vullnetit të mirë, përkundër aktorëve profesionistë e shumë të mirë, nuk ka shfaqje, madje edhe nëse luhet “rastësisht” ndonjë shfaqje, kjo bëhet sa për t’ua shterur pak demagogjinë politikanëve tanë që përbëjnë publikun e premierës. Me kaq, pasi ndahen të gjithë të kënaqur, gjithçka merr fund sa i përket shfaqjes!

Aktorë kemi me bollëk dhe, ndonëse shumica absolute janë të mirë, sikur janë gjunjëzuar e të prangosur para politikave të teatrove tona që aktorët apolitikë i llogarisin si “provincë” që nuk i hy në punë askujt! Po, këta aktorë “provincialë” pse heshtin?! Pse nuk kanë vullnet për të themeluar ndonjë teatër privat, teatër eksperimental! Apo mjaftojnë që e kanë arritur statusin e aktorit! Është provuar se një person madhor nëse lihet i vetmuar në pyll për disa vite me radhë, ai do të harrojë edhe të flasë!

Pse mungojnë iniciativat private? Jo se nuk ka pasur, por kur kanë vrapuar komunë më komunë për të siguruar ndonjë buxhet, sakaq janë refuzuar ngase prapa tyre nuk qëndron partia prej të cilave vijnë kryetarët e komunave!

Këtu pastaj është edhe ajo logjikë se pse partitë tona kombëtare nuk duan t’ia dinë se shoqëria shqiptare, me dy-tre universitete e me po aq fakultete artesh, ka nevojë për teatro alternative! Teatro që do t’i bëjnë konkurrencë teatrove nacionale ekzistuese, duke shtuar kualitet, duke aktivizuar tërë potencialin artistik që e kemi, por, nga ana tjetër, edhe duke e ringjallur atë kulturë teatrale të publiku shqiptar që dikur ishte për t’i marrë lakmi nga çdo qendër!

Deri më sot, nëse do të ishin projekte të programeve të partive tona shqiptare, do të duhej të themelohej teatri për të rinj, teatri për adoleshentë si dhe shkolla e teatrit!

Pse nuk kemi një Shkollë për Teatër, një shkollë sa teorike po aq edhe praktike për ta mësuar zanatin si dhe mjeshtërinë e aktrimit!  Pse nuk kemi një Teatër për Adoleshentë, të cilat në botë ekzistojnë dhe shfrytëzohen për të mbledhur adoleshentë, djem e vajza, për të parë një shfaqje që ngërthen problematika të kësaj moshe dhe, pastaj, aktorë e publik, ulur në rreth, debatojnë mbi lloj-lloj problemesh që kanë, duke hapur tema jashtëzakonisht të fuqishme që mund të shërbejnë tevona si lajtmotiv për tekste teatrale! Pse nuk kemi Teatër për të Rinj, për aktorë që studiojnë dhe për ata që sapo kanë përfunduar dhe dëshirojnë që të imponohen me potencën e tyre aktoriale!

Këto teatro nuk janë “luks”, nuk janë projekte që rëndojnë buxhetin shtetëror! Fundja, le të rëndohet dhe ky buxhet, sepse krijohet nga taksapaguesit që janë publik e që kanë nevojë të madhe për shumë shfaqje teatrale. Këto teatro duhet të jenë fokus i partive tona dhe t’i kenë prioritet në harmonizimin e programeve qeveritare gjatë bisedimeve për krijim të qeverive. I ka apo nuk i ka pala tjetër, popullit shqiptar në Maqedoninë e Veriut, nuk duhet t’i interesojë, sepse i duhen! Sepse i ka edhe Prishtina, i ka edhe Tirana! Është turp për qeverinë “shqiptare” që të mburret se më në fund ia doli të bëjë një parking prej 1000 metra katrorë për 70-80 vetura në një lagje “të shqiptarëve” të Shkupit, në të cilën lagje qarkullojnë mbi 70-80 mijë vetura në ditë nga banorët e saj!/ HEJZA/

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat