A jemi në fazën e ekzaltimit kombëtar!?

Kultura

A jemi në fazën e ekzaltimit kombëtar!?

Më: 28 dhjetor 2021 Në ora: 11:40
Ilustrim

Sot vetëm të pabesët krenohen me besën, duke abuzuar sa herë që gënjeshtrat i shesin për të vërteta. Ndërkaq neve na kishin thënë se duhet të respektohen njerëzit e fjalës, e besës...njerëzit e idealit...ata që çështjen kombëtare e kanë më të shenjtë se jetën.

Po ku t’i gjejmë këta të fundit, kur realitetin tonë e dominojnë abuzuesit e demokracisë, të cilët në tregun politik nxjerrin për shitje vetëm një prodhim: gënjeshtrën...

Këto karakteristika i veçojnë edhe ata (politikanë) që pretendojnë se “bëjnë” çmos për ta avancuar kulturën shqiptare, duke vënë kukulla e figurantë nëpër vende ku ose bëhet kulturë ose vendoset për kulturën.

Të gjithë jemi dëshmitarë se si, bie fjala, trajtohet kultura nëpër mediume (gazeta, TV, radio e portale), mbi të cilat ka vënë dorë politika ditore, duke i bërë mediume të shou programeve, që deri në maksimum argëtojnë masat e gjëra, të cilat nga ekzaltimet që moti janë jashtë realitetit.

Sa e sa ngjarje të mirëfillta kulturore kalojë pa u shënuar fare, sepse sa e sa herë është thënë se mungojnë njerëzit e specializuar për segmente të ndryshme të kulturës. Sot nuk ka kritikë që merren me librin, teatrin, filmin, muzikën, artin figurativ, arkeologjinë etj. Janë të paktë ata që jetojnë me librin, filmin, muzikën, artin figurativ, arkeologjinë, por janë të shumtë, pothuaj 99 për qind që s’i ndahen ekraneve televizive, duke i përcjellë shou emisionet. Protagonistët e këtyre emisioneve argëtuese janë bërë pjesë e jetës sonë, pa të cilët përditshmëria jonë nuk ka përmbajtje.

Pra, jemi në fazën e një ekzaltimi kombëtar, nga i cili vështirë se do të shkëputemi. Fatkeqësisht, në këtë përditshmëri ekzaltimi, nuk mbetet asnjë sekondë për të shijuar ndonjë vlerë artistike, mbase tani më nuk përcillen as debatet e shumta dhe të njëjta me “analistët” e shumtë, të cilëve, për fatin e tyre të keq, duket se u ka dalë boja.

Tendenca për të zbritur çdo segment që ka të bëjë me identitetin në rrafshin e shou emisioneve argëtuese, është një nga ilaçet më të qëlluara për ta vënë popullin në gjumë me sy të hapur, me qëllim që ata, të pabesët që krenohen me besën, të vazhdojnë ta shesin gënjeshtrën si të vërtetë.

E po tash, ku janë njerëzit e fjalës, e besës dhe idealit, ku janë akademitë e shkencës dhe akademikët, ku janë ata alamet shkrimtarë e artistë, shoqata të shumta qeveritare e joqeveritarë, të cilat me vetë-dëshirë kanë zgjedhur të “lumturohen” në heshtje, duke qëndruar margjinave të ngjarjeve të shumta abuzuese, të cilat kanë filluar ta degradojnë edhe palcën e kulturës shqiptare!

Ju të paktë që angazhoheni dhe sakrifikoheni për t’i shërbyer kulturës, duke nxjerrë në pah vlera të mirëfillta dhe të qëndrueshme, a nuk ju duket vetja si Don Kishotë...!?

Identiteti ynë kombëtar mbrohet dhe avancohet vetëm përmes kulturës si tërësi e arritjeve në fushën e prodhimit dhe në zhvillimin shoqëror e mendor./HEJZA/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat