Kulla shtab, pllaka përkujtimore dhe njeriu skofiar

Kultura

Kulla shtab, pllaka përkujtimore dhe njeriu skofiar

Valdet Hysenaj Nga Valdet Hysenaj Më 9 janar 2022 Në ora: 15:16
Pllaka përkujtimore

Në fshatin Drelaj, me 7 janar 2022, ishin mbledhur shumë njerëz të cilët i dhanë lamtumirën e fundit malsorit rugovas Isuf (Ali) Qorraj, mbi supet e të cilit rënduan 86 vite.

Historia e këtij njeriu i cili hapëroi guximshëm nëpër kohë është një akt shembullor për të gjithë. 

Lindi në vitin 1936, në një familje me tradita patriotike, në Drelaj të Rugovës, fshat ky burrat e të cilit jo rrallë lanë gjurmë në histori, fshat që nxori njerëz që lanë gjurmë në kulturën shqiptare në përgjithësi si Ramiz Kelmendin, figurën emblematike të letërsisë shqipe, mes tyre edhe aktorin Çun Lajqi, (i vëllai) duke mos harruar as babain e tij Rexhën, bashkëluftëtarin e Bajram Currit, njëherit lahutarin me nam të Rugovës dhe dhjetërave të tjerëve si këta.

Image
Isuf (Ali) Qorraj

U rrit me urtësinë e lashtë të stoikëve të kohërave që i jetoi dhe të kohërave që i mësoi dhe dëgjoi… 

Si pasardhës i familjes së Jashar Haxhës, u rrit dhe u edukua me bëmat dhe krismët e pushkëve të lirisë, pikërisht me jehun e pushkës së Jasharit, që për të, gjatë gjithë jetës do të bëhej shkolla dhe edukata e tij.

Sot po trajtojmë një zë të padëgjuar në shoqëri, të ngjashme me historitë e shumë burrave me nam nga Rugova, Peja dhe më gjerë, të cilët, nga modestia i fshehën të gjitha bëmat njerëzore dhe patriotike me modesti dhe buzëqeshje…  

Mësimi i besimit është i pandashëm nga shembulli i jetës, prandaj Isufi gjatë gjithë jetës jetoi me besimin për atdhe, flamur e gjuhë.

Njeri që i mposhti sfidat, duke i kthyer ato gjithherë në rrethana pozitive, duke ripërcaktuar sukseset, përmes guximit dhe këmbëngulësisë, duke qenë frymëzues në përballjen e tij me sëmundjen (nga e cila lëngoi afro 20 vite) në kohën kur jeta e tij ishte aq e vështirë… mënyra se si e kapërceu verbërinë është shembulli më i mirë se si duhet jetuar me dinjitet e krenari. 

Gjithmonë ishte burrë aktiv dhe i vendosur, njeri me vlera të larta njerëzore dhe morale, të cilin as mosha e as gjendja aktuale e tij nuk e ndalnin në kryerjen e punëve dhe obligimeve që i kishte përpara.

Ishte shembull i përsosur i vetëbesimit, duke pasur prore qëndrim shpresëdhënës dhe duke e kombinuar atë me jetesën e qëllimshme, sepse mëtonte se çdokush mund të bëjë jetë të kënaqur. 

Image
Të gjitha goditjet që i hodhi jeta nuk i humbën buzëqeshjen.

Nuk hezitoi kurrë ta donte jetën, me besimin se personi që lufton me vështirësitë e tij, me të gjitha peripecitë që ofron jeta, mund të arrijë të dëshirueshmen kudo e kurdo. Gjithë jetën jetoi i pavarur në vendlindjen e tij. Kishte aftësinë që të punonte me të gjitha mjetet e thjeshta të punës. Shquhej për lartësi dhe aftësitë fizike më të mëdha se njeriu i zakonshëm. 

Zëri i tij, madje edhe në rrethana të ndera ishte plot fuqi, ngase kurdoherë ofronte mjedis miqësor e vëllezëror. 

Identitetin kombëtar e pati mishërim dhe motivim themelor jetësor ,si një njeri i kompletuar dhe i artikuluar, me veprimet e tij ilustroi shkaqet subjektive të gjykimeve objektive, duke bërë një jetë të zakonshme si një dreljan kompleks,  personalitet që qëndroi gjithë jetën në themel të "vetes" si një njeri "i zakonshëm" që ishte në vazhdimësi, në rrugë për të gjetur besimin, shpresën, dashurinë dhe në fund të fundit suksesin dhe lumturinë, për  çka mendojmë se për shumë vendas ishte një udhërrëfyes shpirtëror drejt gjetjes së suksesit të vërtetë.

Në përballje me gjendjen e rëndë gjatë viteve më të brishta në Kosovë, Ai me rezonimin dhe guximin e tij reflektoi pozitivisht në të gjitha kahet. Gjatë luftës së UÇK-së, tregoi maturi e urtësi, u shqua për karakterin e tij të fortë kohërave të trazuara dhe të pasigurta, por edhe aftësinë për t'u ngritur mbi të keqen dhe për t’i ndihmuar të tjerët, në këtë rast veçoj ndihmëm, ushqimin dhe strehimin për qindra të ikur, gra, të moshuar e fëmijë, nga Rrafshi i Dukagjinit dhe më gjerë, madje me heroizëm, gjithnjë si një njeri i zakonshëm me ndjenja atdhetare, humane dhe me virtyte, i patrembur dhe i pafrikësuar për atë që e bënte. 

Në anën tjetër kishte njerëzoren dhe simpatinë për çlirimtarët, sepse atdheut, Rugovës, Drelajve, UÇK-së u dha gjënë më të shtrenjtë, djemtë ushtarë, edhe pse të rinj në moshë, i uniformoi dhe i armatosi për t’i dalë zot atdheut dhe jo vetëm kaq, kullën Kala, ja dorëzoi vullnetarisht Shtabit Rajonal të Rugovës, gjegjësisht komandant Smajl Hajdaraj me bashkëluftëtarë, duke qenë krah tyre edhe vet për çkado që e kërkonte nevoja. Pas lufte, i dhuroi gjithë tokën e Kullës Shtab, Shtabit Rajoanal të Rugovës për rindërtmin e saj, por nuk u ankua që edhe sot e kësaj dite mbetën vetëm rrënojat e kullës, bile u mjaftua me një pllakë përkujtimore… 

Një njeri i zakonshëm, i përkushtuar ndaj kauzës kombëtare, me  aftësi të rralla të ruajtjes së shtëpisë dhe familjes, gjithmonë i hapur dhe i afërt me të gjithë, duke u  përshtatur dhe duke qenë shembull me konceptet përparimtare të kohës të cilën e jetoi.

Nuk duhet të harrojmë ditën e mugët të 11 shtatorit 1998, gjatë ditëve të tmerrshme të luftës, kur mijëra gra, pleq dhe fëmijë të cilët ndiqeshin  nga grupe të zemëruara vrasësish serbë ushtarë e paramilitarë, kishin ikur bjeshkëve të Neçinatit për t’i shpëtuar vdekjes, përmes Bjeshkëve të Strellcit, të cilët shpëtimin e kishin gjetur te Isuf Aliu, të cilët ishin strehuar nga ai, në mënyrë të sigurtë, afro 150 të tillë, edhe pse për shpëtimin e tyre, bashkë me disa të tjerë u përballën me vdekjen … E kujtojmë me pietet për ato ditë të errëta si një njeri të zakonshëm, pa grada ushtarake, pa pozita komanduese, por me zjarrin e pashuar atdhetar në mendje e zemër.

E kujtojmë si një njeri i zakonshëm. Të urtë e të ndershëm, punëtor e besnik, të fjalës dhe të besës, prind të mirë dhe rugovas për mbamendje.

Ai kurrë nuk foli me fjalë të zgjedhura, ai kurrë nuk foli për fjalë dhe tema të mëdha, sepse ai  shquhej si njeri punëtor, njeri me një lloj inteligjence sociale, njeri me përshëndetje mirësjelljeje, njeri që të lë përshtypjen e një njeriu që dëshironte të bënte gjëra me vlerë, citojmë: - njeri i vlerave…

Gjithmonë do ta kujtojmë  kujtojmë si: njeri të urtë, të çmuar, fisnik, bujar, të dashur, të guximshëm, njeri i fjalës, të besës, të punës, … të çmuar dhe të nderuar …

U prehtë në paqe!

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat