Jusuf Gërvalla në prizmin e artistit muzikor

Kultura

Jusuf Gërvalla në prizmin e artistit muzikor

Nga: Mr. Shkodran Tolaj Më: 18 janar 2022 Në ora: 11:52
Jusuf Gërvalla

Jusuf Gërvalla, padyshim që paraqet një prej figurave shumëdimensionale në jetën publike shqiptare. Jeta e tij u pre në gjysëm në formën më të trishtë dhe enigmatike por misioni i tij ishte i shenjtë pavarësisht se ëndërra e tij mbeti në gjysëm….. Jusuf Gërvalla poet, gazetar kulture, aktivist illegal dhe një artist shembullor  udhëhiqej nga motoja “Jeto ose vdis” andaj në misionin e tij të shenjtë nuk kishte asgjë që e ndalonte. 

Ai sakrifikoi veten dhe familjen në realizimin e ëndrrës së tij dhe shumë brezave, ëndrrës për një Kosovë të lirë dhe për shqiptarë të bashkuar e përparuar. Jusuf Gërvalla atdhedashurinë e kishte në gjenet e tij sepse vendlindjae tij -Decani kombit shqiptar i ka falur shumë në të gjitha përiudhat heronjë e personalitete të rralla si vet Jusufi. 

Dallimi i tij nga shumë të tjerë është fakti që gjatë rrugëtimit të jetës, shkollimi dhe ngritja ishte e tillë që Jusufi si personalitet ngajnte në një evropian të mirëfilltë me kulturë të lartë dhe mirësi pafund. 

40 vite pas vdekjes së tij ai jeton bashkë me ne. Jusufit dhe bashkëveprimtarëve të tij Kadri Zekës e Bardhosh Gërvallës iu dekohet tash 3 dekada festivali “Flaka e janarit” në Gjilan që ka arritur të rangohet si një nga festivalet më të njohura shqiptare dhe e bukura e këtij festivali është përmbajtja dhe tematika që i orienton brezat e rinjë në njohjen e këtyre tre figurave markante si udhërrëfyes të sakrificës për atdhe. 

Sot shumë shkolla mbajnë emrin e Jusuf Gërvallës dhe këndohen shumë këngë për të nga të cilat vecohet “Për ju qan janari. Meqenëse për Jusuf Gërvallën është shkruar e kënduar, janë bërë poezi e cdo vit mbahen aktivitete dedikuar figurës së tij, për këngët dhe shpirtin e tij prej artisti të madh është shkruar e folur pak, ndonëse shumë këngë të Jusufit janë interpretuar nga artistë të ndryshëm. 

Ajo që vihet re në krijimtarimë e tij muzikore është prezenca e nënës Ajshe e cila paraqet madhështinë dhe qëndresën e gruas së hekurt shqiptare e cila flijohet për familje dhe ngritjen e fëmijëve. Në këtë rast do të vecojmë këngën “Do të kthehem nënë” që është e kompozuar në frymë nostalgjike, në ritmin 6/8 karakteristikë e shumë këngëve arbëreshe, me përcjellje të kitarës që e shoqëronte vazhdimisht. Kënga ka frymën e qytetarisë së mirëfilltë dhe një muzike shumë të avancuar për kohën që reflekton shpirtin e ciltër e të pastër të Jusufin. 

Fuqia e këngës është gërshetimi i tekstit emocional me muzikën ku njëkohësisht shpreh gjendjen e tij emocionale në njërën anë përmes vargjeve “sa shumë më mundon vetmia o nënë” kurse në anën tjetër shprehë dashurinë për nënën të cilën e lut që të jetojë me shpresa duke ndjerë dhembjen e saj e cila e porosiste “Kthehu shpejtë m’ke pas thënë, se brengat më kanë molisur”. Kjo këngë në repertorin e muzikës sonë mbetet ndër më të bukurat dedikuar nënës sepse është autobiografike dhe nëse do të duhej ta kategorizonim si stil, pa mëdyshje do të bënte pjesë në këngët që përkojnë me epokën e romantizmit ku autobiografia është karakteristë dalluese e asaj epoke. 

Në jetën e Jusufit, përvec nënës një rol dhe hapësirë të madhe zë bashkëshortja Suzana që ishte padyshim inspirim në kompozimet e tij. E shkolluar që në fëmijëri për balet në Shkup, Suzana Gërvalla ishte muza e tij dhe mbështetësja kryesore në rrugën artistike gjatë viteve të 70-ta kurse më vonë  bashkëudhëtare në rrugëtimin e vështirë dhe misionin e shenjtë atdhetar. Kështu “Kënga e bilbilit” është ndër këngët më të bukura në fonotekën tonë. E përcjellur nga orkestra e Radiotelevizionit të Prishtinës në strofa ka një qetësi dhe dialogim të vajzës me bandillin kurse refreni ka shpërthime emocionale të bukurisë së vendit e natyrës. Teksti simbolik dhe aftësia interpretative në refren ku ka një moment të ornamentit (zbukurimit me një tip glisandoje në vokal) është për tu admiruar. Sipas të gjitha gjasave “Kënga e bilbilit” është kënga e Jusufit dedikuar të përzgjedhurës së jetës znj. Suzana. Nëna, gruaja por edhe fëmijët gjenden në krijimtarinë e tij. “Këta janë fëmija” është këngë që në aspektin orkestral fillon me një dramaticitet të ndjeshëm por teksti iu dedikohet pjesës më të ciltër të shoqërisë që në tekst paraqiten si ata që ëndërrojnë, ata që turpërohen, ata që janë të padjallëzuar, ata që sjellin shkëlqim, ata që janë dashuria e botës. Kjo këngë padyshim ka motiv dy fëmijët Premtonin dhe Donikën ku Jusuf Gërvalla shpreh në mënyrë globale dashurinë e prindit për fëmijët të cilët jetojnë për buzëqeshjen dhe lumturinë e tyre. “Kta janë fëmija” mbetet një nga perlat e muzikës dhe një nga këngët më të bukura dedikuar fëmijëve. Një këngë krejt e ndryshme nga të gjitha të tjerat dedikuar vendlindjes që e bën Jusuf Gërvallën të vecantë është “Të kam braktisë vendlindje” që sjell nostalgji e mall por në aspektin muzikor këtu Jusufi përzgjedh të përdorë ritëm dhe ngjyra tipike “evergreen” evropian që në vitet 70-ta ishte frymë jashtëzakonisht e popullarizuar  andaj me të drejtë Jusuf Gërvalla mund të quhet krijuesi i parë i këngës dhe baladës moderne.Në të njejtën frymë është kënga “Vena e Spanjës” që na dërgon në ambiente, ritme, ngjyra tipike spanjolle. Teksa dëgjon tekstin dhe muzikës mund të konstatohet lehtë se revolucionari dhe i guximshmi i muzikës moderne shqiptare padiskutim është Jusuf Gërvalla. Një tjetër këngë që vlen të vecohet e që përmban motive lirike që flet për takimin e tij të dashurisë e thurur në ritmin 6/8 është kënga “Maji” në të cilën identifikohen dhe modulacione dhe një ndërtim jashtë kornizave statike të një kënge strofë- refren andaj konsiderohet si një nga baladat më tipike të kirjimtarisë së Jusuf Gërvallës. Kryevepër në krijmtarinë e tij padiskutim mund të konsiderohet “Njeri ku je” ku aftësia kryesore e Jusufit është bashkëdyzimi I një teksti tejet poetik me melodinë. Në analizë të tekstit duket tejet i ngarkuar për ta përshtatur në këngë por gërshetimi i një poezie tipike me përmbajtje të ngarkuar me melodinë në ritmin 6/8 e bën këtë këngë dhe vet tekstin të kapshëm ndonëse kjo dhe shumë këngë tjera janë të destinuara për një kategori publiku elitorë. Nga e gjithë krijimtaria muzikore e Jusuf Gërvallës mund të konstatojmë se ai nuk krijoi art për masën megjithatë si kantautor arriti që të jetë i pranishëm në vitet 70-ta tek një publik i gjerë dhe një numër i madh i spektatorëve që e admironin artin e tij. 

Është e një rëndësie të posacme kirjimtaria e tij për Nexhmije Pagarushën, respektivisht kënga “Kaptina e fundit e romanit” që në viti 1970 u vlerësua me cmim të parë në festivalin “Akordet e Kosovës”. Ky shkrim dhe ilustrimi i një pjese të këngëve të Jusuf Gërvallës vjen si vërtetësi që zëri i tij jehon pas 40 vitesh duke sjellur atë cdoherë të ri dhe vetëm 39 vjecar. Jusuf Gërvalla ishte poet i shkëlqyeshëm që poezinë e fuqizoi me nota muzikore kurse si inetrpret kishte një ëmbëlsi në që rrallë e hasim tek ndonjë interpret tjetër. Jusufi nuk kishte pretendime të tregohej këngëtar i madh. Ai këngën e kishte shpirtërore andaj arti i tij është i natyrshëm, real dhe pa sforcime sikurse nëna, vendlindja, dashuria, fëmijët të cilëve ua ka dekuar këto këngë. Jusuf Gërvalla si kantautor padiskutim hapi një kaptinë të re në muzikën kosovare duke krijuar bazament të këngës dhe interpretimit modern.

Mr. Shkodran Tolaj – drejtor i Ansamblit Nacional të këngëve e valleve popullore shqiptare në R.M.V

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat