Tridhjetë vite fantazmë e gjallë

Kultura

Tridhjetë vite fantazmë e gjallë

Nga: Gëzim Muçolli Më: 18 janar 2022 Në ora: 12:35
Gëzim Muçolli

… prap janari shqiptar më ngrin shikimin
endem sot i paemër rrugëve të vetmisë
ose humb i shtrirë përmbys
në monologun e përçartjes
vetëm kur më del përpara pasqyra
hetoj dhe pyes kush jam
s’di si  a jam ende gjallë
në ecjen timë hapat e mi janë
numrim i mbrapsht i orës së rërës
moti duket se kam vdekur
e vetëm natën e bind veten se
jam gjallë mes ëndrrash dhe trishtimit
zgjohem pa frymë pa shpirt
ata prap i shoh në endërr
edhe kur shtërngoi armën nën jastëk
prap ata i shoh në dhomën time
kur mbyllë veshët
më jehon kitara e Jusufit
zëri i Bardhoshit
e mes tyre edhe në terr
shoh sytë e Kadri Zekës
më mbeti si dritë verbuese
shkëlqimi i fotografisë së tyre
bijtë e Nënës Ajshe
me vëllaun Kadri
… 
e shkurtër ishte lavdia ,
në kthimin nga Untergrupenbah
më kujtohet duartrokitja  e kolegëve
puthja e shefit në përqafimin
solemn
mirnjohja e  drejtorisë
promovimi në zanat
pak ishte të më quanin 007
isha agjent i sigurimit shtetror
numrin e licencës me dekret
ma zbritën proporcionalisht
me veprën e kryer
e numri i të vrarëve
ishte ngrirur për tre
tash shijova shikimin
vëllazëror
më folën në gjuhë sllave
më thane se isha hero
rroftë vëllazërim-bashkimi
eh sa shumë u pi atë ditë
që u ktheva nga detyra
e u këndua  internacionalisht
kishin vdekur tre shqiptarë
…zilinë në sytë e kolegëve
që më së shumti më rrahën shpatullat
e pash prapa syzave me kornizë
të zezë si të intelektualëve
drejtori publikisht më
përcolli
falenderimin e shokëve
të federatës
kryetarit të shtetit
kryetarit të partisë
kryetarit të lidhjes socialiste
të popullit punues
të Jugosllavisë
e shumë prijësve
në emër të popullit
gati nuk po bindesha
se isha heroi i tyre
heroi Jugosllavisë
mes gotave të shlivovica-s
avujve të rakisë  serbe
sa më përkdhelnin shikimet
ziliqare të kolegëve
ata më quajtën me fat
agjent i privilegjuar në rol
se ti e flet gjuhën e atyre të treve
që shteti ua caktoi
mbylljen e dosjeve
fundin e kapitullit të rrezikimit
të Jugosllavisë
nuk do të kishte më të tjerë
nuk do të kishte më guxim
shqiptarët s’do të kërkonin
Republikë
ma çfarë Republike
ata duhet të kënaqen me
“pokrajinën”
kanë drejta më shumë se
republikat tjera
përfaqësim në Federatë
përfaqësim në Republikën
e Serbisë
kanë kushtetutën socialiste
kanë autonomi
-do ti vrajë buka e marshallit
më pat folur mes dhëmbësh shefi
ah sa gaboi marshalli
i pat mashtrue se do tua jepte
Republikën kosovarëve
mos harro kurrë
sa punoi për shtet
pararojë e revolucionit
shefi ynë i atëhershëm
e ruajti vëllazërimin e popujve
edhe bashkimin
shoku Aleksandër
hero i popullit jugosllav
hero i Shqipërisë komuniste
ah sa tmerr ishte ’66-ta
kur ia fshinë emrin me gomë
e përcollën në shtëpi
ah Marshall sa i ligë
u tregove atëherë
për hatër të shqiptarëve e quajte
deformim
punën heroike të shokut
Rankoviq
ah Tito na i preve këmbët
pikërisht kur ai
duhej të ta zinte vendin
se ai i  njihte mirë shqiptarët
i doli hakut atyre
kur ua dha "vesikat" për Turqi
u tha mos të harrojnë pse ishin muslimanë
e kur të treten shkretëtirës së Anadollisë
mos të harrojnë rrethin e kuq të gjakut
rreth shkollave  në netët e janarit
kur iu thonim të vraponin këmbëzbathur
e rrëzoheshin mbi akull
me gjymtyrë të dërmuara prej
pendrekëve
te stanicat e milicisë urdhëri ishte
o pushkën o shpirtin  o arnaut
ah me gjak ua shtruam rrugën
për në Turqi
e disa hoxhallarve tonë  besnik në detyrë
u thamë lëvdoni dhe rreni në popull
se atje bëhet kungulli e bostani
sa kerri i drunit
ata folën siq duhet
me ta i zgjatëm duart
i futëm veshët nëpër xhami
në oda pleqësh,dasma e në të pame
partia duhej të dinte çdo gjë
UDB ishte syri e veshi i partisë
…e sa i zgjaste shefi këto llafe
e dinim mirë kohën e artë
edhe pse ishim të rinj
e tashmë u kthye ajo
pararoja e shtetit
shoku Ranko kurr nuk
ndejti kot
hija e tij s’u tret nga këto mure
zyresh e laboratoresh
moti e pata kuptuar që
ishim si hije, mbretëri e errësirës
territ dhe tmerrit
..,ah qe ku po vjen shoku i Partisë
komunist i vjetër
revolucionesh
ka më së shumti dekorata
sa ngadalë flet
kur më shtërngon dorën
e më puth tri herë
më pyet si prindi
shpëtove kollaj o bir
se shqiptarët nuk na duan më
nuk na frigohen e nuk na binden
nejse,sa e gjatë ishte nata
sa e trashë ishte bora
sa i gjatë ishte akulli nën
 strehët e shtëpive
a ishte e idhtë  birra gjermane
a pate problem heroi im
sa orë prite nën hije
edhe pse ishte mbrëmje e terr
a gjete hijen më të mire
a të pritën gati sipas procedures
hijet tona të tjera
a të pa kush se gjermanët
oh  të poshtër janë ata
të gjithë janë si policë
a të ndihmuan vëllezërit e tu të gjuhës
që me vite endën rrjeta marimënge
mbi sofra buke e mikpritjeje
në banesa mërgimtarësh
markat e dinari shtruan gjakun e prishur
në tradhëti të reja
ah heroi im gati harrova
biri im
pyetje teknike
a tu dridh dora a u ligshtove
se tre ishin dosjet
që mbylle
se edhe ti i thua vetit
shqiptar
mirë,mirë e kam ditur unë
kur zgjodha emrin tënd
besniku ynë
tani revolucioni jugosllav
flen i qetë
shqiptarët do ta kuptojnë
frikën do ta hajnë me bukë
pas lajmeve
në TV e Prishtinës
se pati qërim hesapesh
ndër emigrantë
të fala zonjës kur të kthehesh
mos i harro parfumet
e as  dhuratat për fëmijët
se ti ishe babai në udhëtim zyrtar…

….eh sa kohë ka kaluar
nuk desha të kujtoj atë natë
po s’ më lëjnë as sot
shqiptarët përvjet e kanë nderuar
kujtimin e asaj nate
e ata tre u bënë heronj
ua dija emrat,ua dija ditlindjet
numrin e këpucëve
çdo gjë e kam mbajtur në mend
atë natë kur historia u thye
dhe u përmbys mbi gjakun
e kuq mbi borën e acartë
ata ranë e u ngritën përjetë
në kushtrimin e tyre për liri
e unë me hapin e dreqit
po ikja atë natë
nga ata
nga vetvetja
nga populli im
unë agjenti me numër të vogël
me liçencë
për të vrarë shqiptarë
pse po ndodh kështu në
vuajtjet e shpirtit
qe tridhjet vjet ata lartësohen
si heronj atdhetarie
e rapsodët pyesin  përherë
kur këndojnë një këngë
hej kush e vrau jusuf  gërvallën
e unë heroi jugosllav
nëpër hirin e perandorisë serbe
endem qysh moti i vdekur
fantazmë e gjallë
e thonë se kur të vdes
nuk do të më tretë kurrë
dheu shqiptar.

*Lavdi heronjve të kombit Vëllezërve Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe shokut të tyre të idealit Kadri Zekës.

17 Janar  2012
Padova (Itali).

P.s.
Para 10 vitesh ,me rastin e 30 vjetorit të atentatit ndaj vëllezërve Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zekës, e kam shkruar këtë poezi.
Ende nuk u gjet e nuk u vu para drejtësisë ai që kreu vrasjen e trefishtë në Untergruppenbach të Gjermanisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat