Qyqja dhe huti në lugun e gjelbër

Kultura

Qyqja dhe huti në lugun e gjelbër

Nga: Prend Ndoja Më: 22 janar 2022 Në ora: 15:12
Prend Ndoja

Aty rreth burimit të ujit të ftohtë shtrihej një natyrë e gjelbër, aq e bukur sa nuk ka dorë njeriu që mund ta pikturojë magjinë tërheqëse të saj. Bukurinë e saj, pamjen mahnitëse ia ndërtuan nëpër vite e shekuj vetë Dielli, Toka, Uji dhe Ajri. Ndërsa Ylberi ia fali ngjyrat, duke kombinuar një pamje të mrekullueshme që rrallë mund të gjendet në ndonjë vend tjetër. Shushurima e ujit përbënte atë muzikë që shkrihej bukur me peisazhin dhe me këngën e zogjve, duke krijuar një simfoni të harmonishme, që do e kishin zili edhe kompozitorët më të mëdhenj e më të famshëm të planetit. Shkurt, një vend i bekuar, një parajsë e vogël që natyra ua kishte dhuruar banorëve me fat të kësaj zone. Ia kishin vënë emrin Lugu i Gjelbër që kur toka filloi të mbulohet me blerim. Toka e Lugut të Gjelbër ishte shkrirë dhe bërë një që nga lashtësia me fatin dhe jetën e njerëzve të saj. Ajo ua kishte mësuar dhimbjet, gëzimet, hidhërimet, ofshamat, lodhjet e dertet.

Ajo kishte ndjesi dhe shije më vete kur pinte djersën e bujkut në kohërat e nxehta e me thatësirë. Ishte mësuar të puthte shputat e zbathura të këmbëve të banorëve të saj gjatë gjithë stinës së verës. Njerëzit ishin të varfër dhe këpucët i ruanin për stinën e dimrit, atëherë kur bënte ftohtë e drithmat përcilleshin nga këmbët në tërë shtatin. Kurse gjatë verës, si shenjë falënderimi për tokën që u falte ngrohtësi, ata lëviznin këmbëzbathur, duke e patur më fizik kontaktin me atë tokë të dashur me të cilën ishte e lidhur jeta dhe ekzistenza e tyre. E toka, për t’ua shpërblyer këtë dashuri, u falte atyre frutat e ëmbla e të shumëllojshme për tërë verën dhe bereqetin e nevojshëm për stinën e ftohtë të dimrit, kur ata shpesh detyroheshin të mbylleshin në shtëpitë e tyre. Por edhe banorët e kuptonin tokën e tyre, ia kishin mësuar gjuhën e saj të heshtur e të ëmbël. Shpeshherë i kishin dhuruare dhe gjakun e tyre për t’ia ruajtur freskinë e saj. E dinin kohën dhe ditën kur ajo ishte e gatshme dhe ndjente nevojën e parmendës për të hapur brazdat pjellore, hapja e të cilave ishte si krehja delikate mbi flokët e një gruaje të bukur e të dashur. E dinin kohën kur në brazdat duhej hedhur fara dhe kur toka, me ngrohtësinë e saj u jepte farëzave jetë tamam si shtati i njëgruaje të re që rrit embrionin në brendësi të saj e i jep jetë për ta bërë të gatshëm për të përballuar realitetin tokësor.

Ashtu si fëmija që del nga trupi i nënës edhe bimëzat bulëzonin, harliseshin e hidhnin shtat aty mbi tokën e blertë, duke e mbushur Lugun e Gjelbër me jetë të re. Një lidhshmërie tillë i bënte që banoret ta quanin vendin e tyre Memëdhe (Mëm-edhe). Banorët me shpirt të ngrohtë e punëtor i gëzoheshin gjithë kësaj përtërirje të jetës, mbusheshin me haree me forca, dhe u shërbenin bimëzave me atë dëshirë e përkushtim që rrisnin edhe fëmijët e tyre. I vadisnin, i përkëdhelnin me prashitjen e tyre, i ushqenin me plehun e bagëtive të tyre derisa vinte stina e begatë e të korrave. Atëherë banorët i bashkonin forcat dhe bashkërisht mblidhnin frutet e djersës së tyre të shkrirë me bujarinë e tokës pjellore. Me gëzim e me këngë që i thureshin prodhimit të ri, ashtu e bënin më të bukur e më të begatë stinën. Se nuk ka begati më të mirë se ajo kur banorët shkojnë mirë, janë në harmoni e i bëhen krah njëri - tjetrit në ditë të mira e të vështira. E ky gëzim ndihej në çdo vatër, duke i dhënë shkëlqim e bukuri çdo shtëpie e duke e bërë më të ngrohtë e flakadan zjarrin në çdo oxhak. Zërat e gëzuar të fëmijëve që luanin e rriteshin së bashku ishin muzika e përhershme e të gjitha stinëve. Kështu kishte rrjedhur jeta e banorëve aty në Lugun e Gjelbër, ku dukej se orët e zanat e maleve uleshin me qëllim deri aty pranë ujit të freskët për të sjellë bekimin e tyre të përhershëm mbi ato bukuri të rralla, mbi pjellorinë e asaj toke, mbi banorët e qetë që dinin të jetonin në harmoninë e tyre, duke dashur e respektuar njëri-tjetrin, duke dashur natyrën e tokën e tyre. Aty pas viteve '80 të shekullit të kaluar, lëvizjet kombëtare kishin rifilluar prapë që të bashkoheshin drejt udhës së lashtë të kombit.

Udhë ku shumë udhëtarë përjetësisht lanë gjurmë të pashlyeshme. Udhën që e kishin ndërtuar nën dritën e qiririt e kishin pagëzuar “Udha e dritës”.Sepse ata e donin dritën, ashtu siç e donin edhe diturinë, që ata të rriteshin të ditur e me dijet e tyre të sillnin më shumë begati e më shumë stoli në tokën e tyre të bekuar. Një tis mjegulle si një fijollë e zezë kishte filluar të shtrihej luginës së Lugut të Gjelbër. Ardhja e saj po shqetësonte banorët. Ata ishin mësuar me mjegullnaja të tilla që nga kohërat e lashta që ua ngushtonin shikimin dhe horizontin mbi hapsirën e tyre. Nga gojëdhënat e asaj treve thuhet se në kohëra të vështira shpirti i keq gjen hapësirë të lëshojë zërin e tij kobndjellës dhe të krijojë fatkeqësi e lëngatë mes njerëzve. Në mitet dhe legjendat e vjetra mësohej që kur dëgjohej zëri i shpirtit të lig, pritej vdekje në atë trevë. Ndaj në kohën e mjegullave banorët filluan të rrinin syhapur. Gjumin ia kishin falur udhës së dritës. Në dritën e hënës disa ndërtimtarë të së ardhmes, njerëz largpamës, ndërtonin shkallët prej mëndafshi, që rrezja të zbriste pa e thyer xhamin e dritares që në hapat e parë. Sa më rrjedhshëm dhe e qetë të ulej në Lugun e Gjelbër. Më vonë, Kryeplaku i mendjeve të ndritura rrinte në ballë të betejës me egërsirat, kishte ngritur kokën lart, shumë lart, me një sy shqiponje e kontrollonte tërë rajonin. Shalli var rreth qafe i mbështillej si një lak robërie në fytin e tij. Banorët i rrethonte me shumë kujdes nënsqetullat e tij. Trimëria dhe diplomacia e tij evituan shumë vdekje që ishin gatuar për banorët e rajonit të tij. Ndërkohë formoi edhe brigada që udhët të shndriten edhe nëpërmes tytës së pushkës.

HUTI DHE QYQJA...

Përballë përgatitjeve dhe rezistencësdëgjohej nje zë i keq që zhurmonte, ishte pjellë e një trungu të kalbur, që rrënjët i kishte buzë një kënete me ujë të ndenjur e të qelbur. Në mot të lig rreth atijtrungu afroheshin kafshët dhe shpezët më të kobshme. Atë e urrenin të gjithë. Ky trung nuk gjente asnjë mjet tjetër për të shprehur vullnetin e tij përveç zërit të një Huti. A ju ka qëlluar që në netët e errëta të dëgjoni një zë të trishtë e të vetmuar, të vrazhdë e çjerrës që duket sikur e gërvisht natën me thonj? Hu hu! Hu hu! Është një klithmë kobndjellëse që e prish edhe gjumin më të qetë e më të thellë, duke të future në mendime e ëndrra të trishtuara e të frikshme. Por edhe mëngjeseve pranverore, kur sapo kishte filluar të bulojë gjethi i njomë e rrezet e diellit e ftojnë tokën të lëshojë një avull të ngrohtë mbi vesën qe sjell ditën Aty fluturonte Qyqja me klithjet e saj të përvajshme, ky shpend që as zogjtë e vet nuk i rrit në çerdhen e saj por shkon duke i lënë nëpër çerdhet e zogjve të tjerë që t’i rrisin ata. E kë mund të dojë një shpend që nuk do as zogjtë e vet e as çerdhen e saj? Ja pra, që në Lugun e Gjelbër ishin shfaqur Huti dhe Qyqja. E kjo nuk ishte shenjë e mirë, dalloheshin si dy dele të zeza në mes të tufës së deleve.

Banorët e kishin nuhatur fillimin e udhës së Kalvarit. Atje mbi vojsa, përtej shtëpisë së Metës buzë një mali, para shumë vitesh kishin zbritur do korba nga Karpatet. Që nga ardhja e korbave të zinj e të frikshëm, me krra-krratë e urryeshme në Lugun e Gjelbër, Qyqja ishte future në vallen e tyre. Korbat dhe Qyqja e kishin shtrirë trupin anës së luginës si në shtëpinë e tyre dhe mendonin që askush e asnjëherë nuk do t’jua prishte as tymin e duhanit. Zëri i Qyqes ishte bërë vegël muzikore e valles së trishtuar. Kur gryka e gjelbër kishte filluar hapin drejt ditëve pranverore dhe bilbilat thurnin melodi për këngëte mëngjeseve, këngë që e prisninshkrepjen e parë, Qyqja u ishte bashkuar korbave, dilte haptas duke kënduar këngët e tyre prej qetnikësh. Për banorët e luginës së gjelbër ato tingëllonin si muzikë funebre. Qyqja, pas vallëzimit, e shoqëruar edhe me ca korba (qetnikë) të tjerë kishte filluar te klithte në hapësirën e natës, merrte udhën përbri vojsave nga Lugu i Metës, për buzë kishës, duke e ndarë Lugun e Gjelbër përmes. Ashtu vazhdonin udhën gjer te një fole tjetër qetnikësh, fole më e vogël, që ishte lokalizuar buzë lumit të luginës së gjelbër. Zhurma në mesnatë dhe jehona e frymës qetnike ia prishte keqas qetësinë dhe ia brente shpirtin një djaloshi që quhej Sokol. Dhe nuk kishte si të ndodhte ndryshe. Sokoli është emër i dytë dhe simbol i Shqiponjës.

Që simbolikisht është tmerri i korbave. Sokoli ishte në qetësinë e tij kur zëri i Qyqes filloi të dëgjohej. Ai zë i printe valles e zërit të korbave. Nga zëri i çjerrë i qetnikëve dallohej veç zëri i Qyqes, që merrte jehonë gjer në fund të luginës. Për Sokolin ishin humbur kufinjtë e durimit. Ai e kaloi Shtegun e Markut, buzë një stomi. Aty e zuri pozicionin në një bar të njomë. Sa më shumë që ata afroheshin, aq më i fortë e irritues dëgjohej zëri i tyre. Kjo ia acaronte në kulm nervat dhe sedrën Sokolit. Kur u afruan edhe më tepër, Sokoli me një zë të rreptë u tha: Ndal! E pastaj, duke iu drejtuar me guxim e vendosmëri Qyqes tha që ta dëgjonin mirë të gjithë: -Që nga tani e tutje, zë qyqeje mos të dëgjohet më në këto anë. Morët vesh? Përndryshe secili e paguan me kokën e vet. Pas gjëmimit triumfator të zërit të Sokolit ata nuk guxuan as të vallzojnë, as të këndojnë e as të flasin. Të lumtur që kjo përplasje po mbaronte me kaq, ulën kokat dhe u larguan në heshtje. Për shumë kohë nuk u dëgjua zë qyqeje në Lugun e Gjelbër. Sokoli dëgjoi që Qyqja ishte lokalizuar në një rreth më të ngushtë dhe jo me zhurmë të madhe diku buzë lumit. Qyqja kapardisej e pëshpëriste në mes të shumë adhuruesve të vet. Një ditë andej kaloi si rastësisht Sokoli.

Nga që situata në mes tyre ishte e acaruar që nga koha e përplasjes së parë, ata menduan se kishte ardhur momenti të hakmerreshin, pasi e ndjenin veten më të shumtë e më të fortë. Me fjalë të tërthorta ata e fyen dhe e provokuan Sokolin. Por siç dihet, në natyrën e shqiponjës nuk janë as trembja e as tërheqja. Sokoli sypatrembur, shkoi në mesin e tyre dhe iu kërkoi llogari për fyerjet. Ata ishin ulur të gjithë së bashku nën hijen e një kumbulle në bahçen e tyre pranë shtëpisë dhe shijonin pijet nën atmosferën që u kishte sjellë Qyqja. Ngaqë ishin 5-6 vetë e edhe kishin pirë, e ndjenin veten të fortë e trima. Ata muarën guximin e u afruan rreth djaloshit guximtar. Po bëheshin gati të godisnin. Por dihet që shqiponja është mbretëreshë e sulmit dhe e befasisë. Sokoli, me një mllef të madh dhe duke e nuhatur situatën filloi goditjen i pari, duke i çorientuar ata. Vërtet ishin 5-6 vetë, por ishin të gjithë të imtë si zogj bukle, dukeshin si langonj rreth një luani. Përveç Qyqes, që ishte më i gjatë dhe tentonte t’i jepte ndonjë goditje Sokolit. Por ishte pikërisht ai që e pësoi keq. E pas tij të tjerët u bënë si pula të lagura. Si do jetë ndjerë djaloshi i vetëm i Lugut të Gjelbër në ato momente, i vetëm në luftë me korbat e huaj dhe me Qyqen e vendit të tij? Në Lugun e Gjelbër tashmë jeta dhe vdekja takoheshin shpesh, bisedonin si dy ortakë, madje pak më vonë ato garonin së bashku.

Pala e korbave donte ta prishte, madje ta shkatërronte një herë e mirë jetën e qetë të banorëve të Lugut të Gjelbër. Por nga ana tjetër ishte kampi i shqiponjave që nuk mund ta lejonin një gjë të tillë. Vitet kalonin, horizonti i errësirës veç sa zmadhohej. Finalja e garimeve të asaj beteje të përgjakshme ishte nga fundi i viteve ‘90. Në një ditë prilli korbat fluturonin mbi luginë. Nga krahët e tyre të shumtë dukej sikur drita ishte ndaluar. Disa nga banorët ishin Brenda në kështjellën e lutjeve. Luteshin për fitoren në ndeshjen që ishte e hapur me vdekjen. Një furtunë e zezë kërkonte të shtrihej me fshesë në dorë mbi Lugun e Gjelbër. Ditë e kobshme, thonin banorët. Ishte furtunëe fortë, që donte të fshinte dhe të dëbonte të gjithë banorët vendas me përjashtim të Qyqes dhe Hutit që i kishte në shërbim të vet dhe që i mbante në gji, duke i përkundur ëmbël si nëna fëmijën. Sa trishtuese ishte pamja e Lugut të Gjelbër. Nuk dëgjohej më asnjë zë i gjallë përveç zërit të Qyqes dhe i një Huti. Ata i kishin hapur krahët mbi luginë, ishin bërë mbretër mbi hapësirën e zbrazët. Por ditët e mortit ikën e pranvera e mori prapë jetën e saj. Të gjallët sëbashku me disa nga të vdekurit u kthyen në token e tyre. Qyqen prapë e gjetën aty.

Kur në fytyrat e shumë të tjerëve rigonte loti nga humbjet e pjesëtarëve të familjes, lodhja dhe pjekuria e vuajtjeve që kishin përjetuar reflektohej qartë në pamjen e tyre, vendit i vinte era shkrum nga rrënimet dhe djegiet... Krahas tyre qëndronte Qyqja. Ngaqë ai nuk kishte përjetuar vuajtje e as humbje, ishte shëndosh e mirë, ngjante si një derr. Por nga qyqja zhurmëmadhe që nuk pushonte asnjëherë kishte mbetur qyqja e heshtur. Banorët e luginës e shikonin si një kufomë të gjallë. Por Qyqja është qyqe e nuk del nga vetja. Sërish ecte rrugës duke e mbajtur kokën lart. Nuk i rëndohej ndërgjegja nga ato që kishte bërë dhe mendonte se tashmë askush nuk do të merrej me të. Banorët e luginës së gjelbër janë njerëz me virtyte të larta njerëzore. Ata trimërinë e burrërinë i shohin në dritën e faljes e jo të hakmmarrjes ndaj qyqes. Ata janë të vetëdijshëm qe të falësh gabimin apo fajin e tjetrit është hyjnore dhe njerëzore. Por falja nuk do të thotë që fajtori është tjetërsuar apo ka vdekur e aq më pak që gjërat duhen harruar. Aq më tepër kur fajtori nuk e ul kokën përpara mëkateve e gabimeve që ka bërë. Të paktën duhej të falënderonte banorët e luginës që kufomën e gjallë e kishin lënë në jetë.

IKJA E HUTIT

Që nga rrezja e parë e lirisë Huti ishte zhdukur. Nga shkrepëtimat e bubullimat i ranë puplat, iu thyen krahët e fluturimit. Sapo rrezja e parë ra mbi vesën e mëngjesit, Huti u zhduk. Iku atje me turmën nën komandën e të dashurve të tij. Soj i njëjtë i qyqes ishte edhe Huti. Ai zog kobndjellës i natës ishte zollumqar i madh. Ai përveç armatimit gjer në dhëmbë ishte i veshur edhe me uniformë. Mbi turpin që ia kishtembuluar kokën, e vinte "shapkën" gjer mbi vetulla, sa që ishtevështirë t’ia shikoje sytë. E atë e bënte nga mendjemadhësia e fodullëku dhe jo nga zotësia e tij. Ai në të vërtetë, me fakte, ishte vëllavrasës. Banorët e quanin Hutin shpend i keq. Zakonisht përpara Huti këndonte natën mbi kulmin e shtëpisësë tij e kishte ndjelli shum kob që nga ajo shtëpi. Por tani e kishte ndërruar çerdhen. Tërë natën këndonte mbi lisat e varreve të Lugut të Gjelbër. Në vajin e këngës së tij kobzezë ai parathoshte dramën e errët që tërë Dardaninë ta fuste nën mrizin e lisave të varreve. Kjo ishte ëndrra e tij e hershme, që ia ushqenin edhe ata që e kishin veshur me uniformë. Ai kishte krijuar tashmë një përvojë burgjesh. Jargavitej përpara se të gëlltiste ndonjë gjah. E gjahu i tij nuk ishin minjtë e arave me të cilët ushqehet zakonisht huti shpend. Ai donte të gëlltiste një krahinë a shtet të tërë. Nga komanda i kishin premtuar që pas strehimit të popullsisë dardane nën hijen e lisave, çelësin e varrezave do ia dhuronin atij.

-Do të fillojë një jetë e re, - i premtonin.

-Do të vallëzosh lirshëm dhe të argëtohesh me të zgjedhurat e tua. Burrat nga mrizi nuk do t’i dalin zot askujt më. Kjo ishte ëndrra që i premtonin ata dhe që Huti e ushqente i gatshëm për të derdhur gjak që të plotësohej porosia e komandantëve të tij dhe dëshirat e tij gjakatare e kafshërore. Huti ishte edhe gjahtar thëllënzash. Ishte një sykeq dhe lakmiqar. Nën dhunën e tehut të shpatës, në kotecin e tij e ndante gjahun me korbat. Gjahun, ato viktimat e robëruara që me sy nga qielli kërkonin vdekjen si shpëtim. Ndaj edhe ecte ashtu i ngrehosur e mendjemadh rrugëve me shapkën e hedhur mbi sy e me uniformën që e bënte të dukej si një kralevas. Por nuk thuhet kot që shpesh herë ëndrrat e kanë jetëgjatësinë sa vesa e mëngjesit. Mjafton të dalin rrezet e para të diellit e vesa shkrihet si të mos kishte ekzistuar. Pikërisht kur Huti po fluturonte me gëzim mbi hapësirën e Lugut të Gjelbër, filluan ca rreshje të dendura dhe ndërroi moti. Aty për aty mbaroi koha e tij. Shqipet e kërkonin...Por ai kishte humbur pa lënë gjurmë...!Pas shumë viteve, kur tanimë lugina kishte lulëzuar e lire dhe kishte marrë pamjen e saj të gjelbër, një natë te dera e varrezave në luginën e gjelbër, u shfaq Huti. E kishte humbur çelësin e dikurshëm, trokiste me një zë të ulët, që mos ta dëgjonin banorët e luginës. Por dera ishte e mbyllur. Të vdekurit në varrezat e Lugut të Gjelbër e kishin bllokuar derën e hyrjes. E kishin vërejtur që Huti kishte tentuar tinëzisht që të futej brenda i ngordhur. Por ajo tokë nuk denjonte të pranonte as kufomën e tij. Siç nuk i ka denjuar kurrë kufomat e shumta të armiqve. Kishin të drejtë te vdekurit. Gjithkush ka të drejtë ta mbrojë territorin e vet. Jehona e bëmave të njeriut jehon edhe pas vdekejes. Nga emrat që janë brenda atyre dyerve ende kumbon zeri i lavdisë së tyre. Shumë nga ata ia kishin falur jetën lirisë. Ata, tanimë nuk pranonin të hapnin derën, të nënshtroheshinn, të vdisnin për së dyti. Atyre u kujtohej shumë mirë se nën simfoninë e kohës së Hutit as qirinjtë nuk lejohej të ndizeshin. Ishin të ndaluar qirinjtë nga frika se sjellin paqen. Aty për here të parë gazetarët mësuan që edhe të vdekurit në Lugun e Gjelbër kanë kodet e tyre. Kodet e tyre ishte te lidhura me dheun që i mbante ne gjirin e tij. Andaj sipas kodit të tyre ishte që asgjë e ngordhur nuk bën të mbesë mbi tokë. Nga respekti i një kodi të tillë, ia lanë Hutit një copë varr, jashtë portës së varreve, atje larg në një mal ku thonin që dikur kishte vdekur dikush. Sot, kur Sokoli kalon andej nga Lugu i Gjelbër, humbet në kujtime... Ndalet atje lart mbi kodrinën e rrjedhës buzë liqenit, aty ku sot yjet e dritës, nga duart e tyre të arta e veshën me gjelbërim kodrinën, që sot ngjan afer pamjes së Lugut të gjelbër. Nga aty ia lëshon një vështrim atij peisazhi të bukur, që syri e kap shtrirjen gjer te lapidarët e heronjve "Vëllezërve Lleshi". Për një moment i dukej vetja si një Shqiponjë që gjithmonë vështron nga lartësia. Pastaj prap i dukej sikur u ngjante dallëndysheve që në kohërat me acar ikin për në vende të ngrohta. Mendja i thoshte: Lum ata që nuk ikën kurrë nga vendi i tyre. Mbeten emër, mbeten Atdhe. Shikimi i tij ndalej atje larg, te ish shoku i tij Prendi (Heroi Prend Lleshi), tani i skalitur në gur. Me nostalgji e mall e kujton. Shumë kujtime të dikurshme së bashku me të... Sa me fat është Prendi i atdheut, tani monument lirie. Përjetësisht aty përballë me pamjen e Lugut të Gjelbër. Ndërsa unë!? Njëshpend fluturak, me flutarakët e tjerë. Një ditë do të shkrihemi, do të tretemi atje, diku larg..., ndërsa ai Prendi i qëndresës do të jetë aty aq sa të jenë toka dhe qielli përjetësisht me Lugun e Gjelbër. Përpara se të ikë i hedh edhe një vështrim panoramik Lugut të Gjelbër, ku blerimi, lulëzimi e freskia e burimeve janë kthyer ne pamjen e zakontë. Përgjatë historisë shumë erdhën për ta tjetërsuar atë, për t’i larguar banorët vendës e për t’i zëvendësuar me të tjerë që ta shfrytëzonin këtë parajsë të vogël. Por kjo tokë ka rezistuar e të ardhurit e egër kanë ikur sërish me turp. Kurse ajo ka mbetur aty. E paprekur, e pamposhtur. Në mendje i vijnë vargjet nga libri i tij:

Çdo gjë tani është e qetë,

Vetëm gjeli s'mban qetësi,

Nën këtë qiell, yjet, retë,

Mbi këtë tokë një mrekulli.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat