“Dhimbja e një dashurie mërgimi”, një novelë tronditëse

Kultura

“Dhimbja e një dashurie mërgimi”, një novelë tronditëse

Nga: Albert Z. ZHOLI Më: 23 janar 2022 Në ora: 19:24
Foto ilustrim

Rrëfimi tronditës i kësaj novelëze që keni në dorë, është një përjetim real nga jeta. Ai pasqyron dramën dhe fatin e zymtë të shumë shqiptarëve që sot punojnë e jetojnë në mërgim, larg Atdheut. Nga këta është edhe personazhi i novelës, Egla, vajza e pafat që e shtyn jetën në Itali, e vetmuar, me një fëmijë të vogël, ndarë e braktisur nga i shoqi italian. Shprehja “e shtyn jetën” është më e përshtatshmja në këtë rast, sepse ajo lloj jete në mërgim, nuk jetohet, por vetëm shtyhet, me dhimbje, me stërmundime e poshtërime, të rëndon mbi shpinë si Guri i Sizifit. Shumë interesant dhe origjinal është në rrëfimin e tij edhe vetë autori, i cili, edhe ai është emigrant në Greqi.

Takimi, kontakti mes tij dhe Eglës, është i rastësishëm, nëpërmjet FB, por që aty, nis fija e gjatë e këtij rrëfimi, shpaloset hap pas hapi drama e Eglës së dërrmuar e të vemtuar, por edhe karakteri i virtytshëm, njerëzor i Eneas për t’iu gjendur asaj pranë njerëzisht. Në fakt, edhe Enea është jo më pak i vrarë nga jeta, nga kurbeti. Edhe ai vetë është një mërgimtar i vetmuar, si Egla, e shtyn jetën me qenin e vet, me të cilin del, shëtit, bisedon, qan hallet, fle dhe zgjohet. Pikërisht kjo gjëndje, këto rrethana të përbashkëta, e bëjnë Enean solidar me Eglën e mbetur në udhëkyq të jetës.

Enea mëson se Egla është edhe e sëmurë, dhe me rrezik për jetën.  Ajo i flet shpesh atij në FB, dhe qan për fatin e saj, por sidomos për vajzën e vogël, që mund të mbetet një ditë edhe pa nënë! Ndërkohë Enea i rri pranë, ndan dhimbjen dhe lotin bashkë me të, e veç kësaj, ushtron edhe pasionin e tij të tregimtarit, duke hedhur mbresat e thella nga jeta e Eglës. Lloj-lloj idesh i shkojnë ndër mend: si t’ia bëjë që ta ndihmojë këtë vajzë fatkeqe të dalë nga pesimizmi dhe gjëndja e pashpresë? Po sikur, vajzën e vogël të saj, ta marrë ai e ta adoptojë si fëmijën e vet?

Po sikur... Por nuk ka kohë të mjaftueshme për t’u menduar, për të hamendësuar. Egla nuk priti dot më shumë. Ajo pa pritur vdiq! Atëherë, Enea bën shërbimin e fundit ndaj saj: udhëton për në Shqipëri, në fshatin e Eglës, dhe i bën homazhe te varri! Ndenji gjatë e bisedoi me Eglën mbi varr, derdhi lot dhe mezi e bëri rrugën e mundimshme të kthimit në shtëpi. Të nesërmen, filloi sërish të njëjtin rit: ushqeu qenin, e nxori shëtitje, u interesua për ndonjë punë, dhe në fund u ngrys para kompjuterit. Por tani Egla nuk jetonte më. Vetmi! Të vjen ndërmend ajo shprehja e vjetër shqiptare, për shumë nga kurbetçinjtë e dikurshëm, të harruar: “I hëngri kurbeti...”! 

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat