Sjellja kulturore dhe marketingu partiak

Kultura

Sjellja kulturore dhe marketingu partiak

Më: 27 janar 2022 Në ora: 10:54
Ilustrim

Sa mund të jetë kulturë (aktivitet kulturor) takimi i një lideri politik, qoftë ai i nivelit të lartë apo lokal, me një krijues, me një artist, me një përfaqësues të denjë të kulturës shqiptare!

Marketing politik do të thotë. shkurt, çdo aktivitet, çdo ndërmarrësi, që shkon në funksion të partisë, e cila synon ngritje apo shtim të elektoratit të vet! Në këtë kontekst, gjithsesi që mund të mbahen në evidencë edhe sjelljet kulturore të liderit apo të funksionarit partiak, të tipit “sot lideri takoi X artistin”, apo “sot kryetari takoi Y aktorin”, apo “filan lideri ka takuar organizatorët e festivalit që u mbajt...”! Çka ka këtu kulturë? Çka ka këtu diçka përmbajtjesore nga programi partiak për kulturë? Ku është këtu nderi që i bëhet artistit, shkrimtarit, piktorit, tenorit, balerinit etj? Është problem më vete pastaj fjalia që tregon arsyen e takimit: sepse lideri na e paska sponsorizuar akcilin aktivitet të artistit? Pse, a mos ishin paratë nga xhepi i liderit partiak?

Këto lloje të takimeve formale e të bezdisshme, asnjë milimetër nuk e bëjnë më të madh as artistin dhe as “liderin”! Në fakt, më tepër manifestohet afiniteti i liderit për t’u tallur me personalitetin a artistit si dhe naiviteti i artistit për t’u bërë mjet manipulimi gjatë një marketingu partiak!

Ngjarje kulturore dhe informacioni që do të duhej të ngjitej në rubrikën e kulturës në çdo media të shkruar apo elektronike, do të ishte gatishmëria e “liderit” për ta organizuar një pritje në formë të ngjarjes kulturor! Nëse “lideri” takon një shkrimtar, le të jetë kjo një ngjarje kulturore e merituar, e shoqëruar me një axhendë ngjarjesh kulturore: me një promovim të krijimit të fundit, me një debat mbi krijimtarinë e shkrimtarit, e shoqëruar me ndonjë ekzekutim nga muzika klasike. Pra, takimi mos të jetë i formatit politik, por të jetë i formatit kulturor, në të cilën ngjarje, shkarazi mund të theksohet edhe ndonjë kontribut i liderit, i komunës, i ministrisë (pse jo, edhe i partisë!) që paska pasur në sukseset e shkrimtarit!

Nëse një funksionar partiak takon një artist nga muzika serioze, kjo nuk përbën asnjë lajm, përveçse që flet për një sjellje kulturore të funksionarit, të cilën e aktivizon apo e shpreh sa herë të ketë nevojë për “vetëmadhërim”, sa herë që të hetojë se nga komuniteti i artistëve me një sjellje të tillë “kulturore” mund të sigurojë qoftë edhe vetëm një votë! Paradoksi arrin kulmin kur liferohet “lajmi” se ky takim qenka realizuar me dëshirë të artistit, me qëllim që t’ia dorëzojë një kopje të veprës si dhe ta falënderojë për përkrahje financiare! Në këtë markting politiko-partiak kemi një rrëshqitje të tmerrshme në “propagandë të zezë”! As në “takimin formal” dhe as në “financim nga subjekti juridik” nuk kemi asgjë kulturë! Kulturë do të ishte sikur “subjekti juridik” me paratë e taksapaguesve shqiptarë, të organizonte një promovim madhështor të veprës (letrare, muzikore teatrale, filmike...) së artistit, të cilin do ta takonte dhe i cili do t’ia shprehte publikisht falënderimet si për sponsorizim ashtu edhe për ngjarjen kulturor për nder të krijimtarisë së tij. Kjo po që është kulturë! Pse jo, le ta quajmë edhe si “marketing politik”, por ama do të jetë me një ngjarje kulturore, e cila, mbi të gjitha, flet për angazhimin partiak në kulturimin e vet, flet për sinqeritetin e funksionarit partiak që e ka në raport me artin, krijimtarinë, kulturën, rrjedhimisht, me artistët e mirëfilltë të kombit.

Si kurrë më parë sot është bërë jetike kulturimi i marketingut partiak! Jo takime me artistë, jo prezantime të “facave partiake” nëpër ngjarje kulturore, jo sponsorizime të ngjarjeve kulturore, por, mbi të gjitha, për ta brumosur sa më shumë kulturimin partiak, duhen sa më shumë ngjarje në shenjë respekti ndaj artistëve të kombit! Takimi i funksionarit partiak, për shembull, me aktorin e madh të Kombit, Reshat Arbanën, do të ishte përpjekje për të manipuluar politikisht mbi figurën e tij, kurse respekt e nder do t’i bëhej sikur të organizohej një recital i tij në mesin e elektoratit ku vepron politikani, apo lideri politik, e që takimi me artistin do të përbënte një “ngjarje sporadike”! /HEJZA/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat