Figura e Adem Demaçit në lupën e poetëve

Kultura

Figura e Adem Demaçit në lupën e poetëve

Nga: Zymer Mehani Më: 2 mars 2022 Në ora: 16:20
Kopertina e librit

Çdonjërit koha i jep vendin e vet, por jo edhe mundësinë për të treguar se çfarë është dhe çfarë mund të bëhet. Te koha nuk ka mashtrime.

Janë faqebardhë të gjithë ata që asnjëherë s’e bartin krimin dhe ligësinë me vete. Të tillët janë të urtët që do të rendin nëpër bardhësitë e shekujve. Sepse ata në duart e tyre mbajnë prore pishtarë për të ndritur njerëzimin. Ata janë fanarë ndriçues në errësitë e shekujve. I tillë është edhe Adem Demaçi, që me qëndresën e tij prej titaniku, me atdhedashurinë dhe guximin e Tij, i tregoi regjimit serb se edhe për Kosovën dhe shqiptarët do të vijë një ditë kur do të shkëputen përfundimisht vargojtë e robërisë dhe kur do të depërtojnë rrezet vezulluese të lirisë së gjakuar me shekuj.

Eruditi UKSHIN HOTI për qëndrestarin Adem Demaçi që bëri epokë, do të shkruajë ndër të tjera se ai ishte histori e gjallë e Lëvizjes Çlirimtare Kombëtare, duke shtuar më pas se figura e tij u shëndërrua në legjendë dhe u tret në shpirtin e gjallë të popullit duke u mishëruar me ëndrrën e tij shekullore, që ishte liria. “Demaçi dhe populli u bënë një”, përfundon Ukshin Hoti.

Është thënë kaherë se altari i madhështisë ndërtohet vetëm në ngritjen mendore të njerëzimit dhe te liria e tij, sepse të gjithë njerëzit u lindën të lirë dhe të fuqishëm për ta ndërtuar jetën.

Për të gjitha këto parime baca Adem Demaçi sakrifikoi gjithçka e çdo gjë, sepse ai e dinte se një popull gjithmonë kurrë s’mund të mbahet i shtypur.

Dëshmorja e Kombit, XHEVË KRASNIQI-LLADROVCI përmes vargut do t’na rikujtojë dhe një herë se Baca Adem Demaçi, ky kolos i kombit tonë, me guximin e tij dhe me qëndresën e rrallë ndaj regjimit u bë flakadan i pashuar i dijes dhe dritës për popullin e tij.

Edhe sot e gjithë ditën sa e sa njerëz vdesin pa pasur mundësi për të treguar se çfarë janë, se në këtë botë shumë popuj ende dergjen në errësirën e shtypësve, të tiranëve e diktatorëve, të hapët apo të fshehtë, të atyre që me mashtrime e dhunë mundohen ta tresin të vërtetën; mundohen që popujve t’u hedhin hi syve. Por, sytë e popullit s’i verbon asgjë, se ata s’verbohen dot. Ata sy shikojnë larg. Janë prore vigjilentë. Janë sytë më të mprehtë. E dallojnë të mirën nga e keqja.

Shkrimtari RUDI BERISHA, i cili është meritor për këtë përmbledhje, në vargjet e tij për Bacën do të thoshte se ai është dritë Dielli për kombin shqiptar dhe me ndriçimin që shpërndan s’do t’i lërë vend errësirës në asnjë cep të atdheut shqiptar. Në çdo takim me Bacën Adem, thotë Rudi Berisha, prej syve të tij vigjilentë pamë lirinë e kësaj dite, por te kjo figurë Rudi Berisha sheh edhe një “shpëtimtar që lundron në barkën nëpër stuhi deti”.

Tirania, diktatura, sëmundjet, skamja e mjerimi; narkotikët, delikuenca, prostitucioni e injoranca janë aleatë të fuqishëm që pengojnë njerëzimin për t’i gëzuar frutet e djersës së vet. E tillë është edhe robëria shekullore që shtypi dhe ndrydhi lirinë tonë kombëtare dhe dëshirat tona për liri, por edhe për mendimin e lirë, për lirinë e fjalës.

Krijuesi SHAQIR FONIQI për Bacën Adem do të thoshte në vargjet e tij se ai është “rojtës i fjalës së lirë dhe hero i fjalës së lirë”... Edhe krijuesi MEXHID MEHMETI na e rikujton momentin kur Baca Adem i hyri grevës së urisë në Pallatin e Shtypit në Prishtinë, ku këtë veprim të tij e përjetëson në vargjet e tij duke shtuar: “Zoti është i vogël karshi dhembjes sonë, Gjarpinjtë e gjakut për kob të vet kanë ngritur kokë Dielli do të lind”. Edhe SHQIPE HASANI figurën e bacës Adem e krahason me Diellin ndriçimplotë.

Njeriu nuk është vetëm njeri, por ai është më shumë shpirt, të cilin natyra e fali për t’u bërë punëtor, piktor, muzikant, poet, mjek e filozof. E bëri punëtor ta fitojë bukën me mund e djersë; e bëri piktor ta pikturojë dashurinë ndaj çdo gjëje të gjallë mbi tokë; e bëri këngëtar e poet për t’i kënduar pikëllimit të zemrave dhe e bëri mjek e filozof për të shëruar shpirtësinë, që pa fjalë, është për njerëzimin. E Bacën Adem e bëri Flakadan lirie. Në vargjet e poetit SHEREMET AJAZI figura e Bacës cilësohet si meteor që për tërë popullin dhuron dritë. Ndërsa MIRVETE ELMAZI-MEHMETI te Baca sheh trinomin Liri-atdhe-Shqipëri.

Të gjithë njerëzit vetëm varri do t’i qetësojë. Ata vetëm koha do t’i nderojë. E gjenitë i pret altari i përjetësisë. Ata janë të mëdhenj, prandaj i përkasin mbarë njerëzimit. Kështu edhe Baca Adem është i tërë njerëzimit e jo vetëm yni, sepse siç shkruan në vargjet e veta poeti IZET HOTI “lulëkuqet janë shpresa” jo vetëm për ne por edhe për të tjerët popuj të robëruar.

Ndërsa poetja GANIMETE JASHARI Bacën e cilëson “Promete shqiptar” si lajmëtar i agut që do të lind patjetër edhe për ne shqiptarët.

Nganjëherë njeriu bëhet tjetër, si nuk dëshiron vetë. Humb mendjen në vijën e jetësimit dhe si anije me vela të grisura lundron përmbi valët, ngado që i bartin erërat. Kurse disa të tjerëve u mbeten ngushëllim vetëm ëndrrat dhe pamundësia për t’u treguar se çfarë janë a çfarë mund të bëhen. Por, te Baca Adem nuk ndodhi kurrë kështu, sepse ky as u bë tjetër, as humbi ndonjëherë mendjen. Përkundrazi, siç thotë poeti NAMIK SELMANI “emri i tij një ditë do të bëhet bronz, merrmer dhe këngë lirie”, sepse ky ishte unikat dhe poeti tjetër, JAHE FIDA me të drejtë do të thotë në poezinë për Bacën, se këtij “peshë i ka fjala dhe puna”. E për poetin VEHIP SADIKU figura e Bacës Adem ishte edhe sot është shembulln frymëzimi, që me trimëri mbrojti të drejtën e popullit të tij.

Poeti IZET SHALA me të drejtë Bacën Adem Demaçi e quan “ truri i kombit” e “hero i gjallë” do ta quajë poetja MEVLYDE MEZINI-SARAÇI. Ndërsa krijuesi ISMET TAHIRAJ do të na e rikujtojë se kurrë “ai rrugës nuk u kthye prapësht” për lirinë e atdheut dhe të popullit të tij, sepse ishte dhe sot është “legjendë e gjallë”, siç do të thotë poetja ABIDE GASHI.

E shpesh njeriu shëmbëlleka me detin! Qenka i ngjashëm me të, që askush s’mund ta njohë, sepse që të dy, si njeriu, ashtu edhe deti, qenkan të thellë, tinëzakë, smirakë dhe nuk dihet se çfarë kanë në guaskën e zemrës! Por Baca Adem ishte “lis i pathyer që mban emër”, siç e përshkruan në vargjet e veta poetja SHERIFE BERISHA-THAÇI.E Baca Adem “na e trasoi rrugën e lirisë” do të shkruajë krijuesi RAGIP SALLOVA. Adem Demaçi kujtohet në mbamendjen e popullit si “lis i pashkulur në histori”thotë në vargjet e veta MAXHUN OSMANI.

Askush s’mund t’i njohka shpirtrat e njerëzve të mbështjellur me përplot mistere! I tillë ishte e dhe Baca Adem “mister i panjohur”, siç e cilëson poetja ELHAME GJYREVCI. Në vargjet e poetit BILALL MALIQI figura e kolosit tonë Adem Demaçi “ në çdo zemër shqiptare ngulmonte idealin e tij”dhe me qëndresën e tij “nuk iu përul kurrë korbit për shqiptari”. Adem Demaçi kishte zemër të madhe, siç thotë RRAHMAN HYSENI Kurse poeti i nderuar FADIL H CURRI na tregon se Baca “u rrit në skamje e varfëri”, por me shumë shokë “si lisi me degë”. E thuhet se bashkimi bën fuqinë dhe si rrjedhojë trimi Adem Demaçi me shumë shokë “atdheun do ta bashkojë”, siç shprehet poeti RAMË SMAJLAJ. Poetja MIRVETE KABASHI-LEKU figurën e Bacës e quan “Flakadan lirie.......mes errësirës, dritë e pashuar”. Dihet fare mirë se rruga nga kaloi Baca Adem nuk ishte e shtruar me lule, por ai “rrugëtoi nëpër shkronjat e gjakosura" do të shkruante RABIJE BYTYÇI, sepse ishte kandil drite”, siç do të thoshte poetiXHEMAJL RUDI,

Meqë Baca kishte kaluar rreth 28 vjet nëpër burgjet e armikut, poeti HYSEN H. YMERI do ta quante “banor burgu” që “fjalën e kishte shigjetë e zërin lule shkëmbi”, siç do të shkruante poeti YLL H. YMERI

Altruizmi i Bacës Adem nuk i shpëtoi as lupës së poetes LINDITË R. BERISHA, e cila do ta quajë “zjarr në shpirt (që) digjej për atdhe”. Ndërsa krijuesi AJET SHALA Bacën e pagëzon “krijues të pavarësisë “së Kosovës..... SHEREMET PROKSHI në vargjet e veta e siguron Bacën se” ne jemi me ty” dhe “nga Homeri mësoi poemën me mijëra vargje”-poemën për lirinë. NEZIR PROKSHI qëndresën e Bacës do të quajë Mbretëria e Shpresës. Shpirti i Bacës Adem përherë ishte i çeliktë sepse “dimra dëboi e ortiqe bore shkriu”, siç na e përshkruan poeti RRAHIM M. SADIKU në poezinë e tij. BAJRAM BALAJ në poezinë e tij për Bacën Adem tregon se pas 28 vjetëve burg, Baca pa vuejtje e lot në popull, porqëndroi i fortë e i padorëzuar.

Baca Adem sakrifikoi për “bardhësi të fisit të tij” do të shkruajë Prof. SHABAN PLLANA. Ndërsa krijuesi MILAZIM F. KADRIU Bacën Adem e cilëson “Flakë vullkani për liri” dhe “Feniksi shqiptar”, siç do ta cilësojë SABIT ZENELI.

Për qëndresën e Bacës Adem dhe guximin e tij “Adem thërrasin malet, Adem thërret toka” do të thoshte poetja KOSOVARE PAJAZITI. Sepse Baca ishte “legjendë nëpër dekada”. Ai ishte Promete dhe, siç thotë prof. ZYMER MEHANI “është fare e kotë dhe krejt humbje kohe se s’mund ta mbajmë hapin...” me qëndrestarin që bëri epokë, për “Flakadanin e lirisë” siç do ta quajë krijuesi HAMDI ALIU në vargjet e veta.

Ashtu si e çmojnë poetët e kësaj përmbledhjeje, autori i librit po edhe mbarë populli Adem Demaçi ishte dhe mbeti Flamurtari, Udhërrëfyesi dhe Sinonimi i përhershëm dhe emblematik i luftës dhe të të gjitha përpjekjeve të tjera çlirimtare dhe patriotike të kombit dhe atdheut tonë të përbashkët. Dhe, njëri ndër akterët dhe protagonistët me të rëndësishëm dhe kryesor të shtetit dhe pavarësisë së gjithëmbarshme të Republikës së Kosovës dhe rrugëtimit drejtë Bashkimit Kombëtar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat