“Parisi kot” - libër shumë origjinal

Kultura

“Parisi kot” - libër shumë origjinal

Nga: Nikolla Sudar Më: 7 prill 2022 Në ora: 20:32
Ballina e librit

Për mua ai është risi, jo vetëm për krijimtarinë tuaj, por edhe për letrat e sotme shqipe.  Nga fillimi e deri në fund vepra ka thyer kornizat e ngurta e stereotipa të një romani, me ata parametrat e njohur klasikë.

Sipas meje, në të kemi një shkrirje organike të prozës poetike, me esenë, shpesh të gërshetuar me një metaforë tepër fine, jashtëzakonisht specifike, të cilat kanë dhënë një rezultante të mahnitshme dhe që e bëjnë lexuesin ta lexojë me një frymë.

Mos e merrni për superlativ vlerësimin tim, sepse ai është rezultat i një analize të mirëfilltë nga ana ime, ndonëse për fatin tim të keq nuk e di se si është pritur nga lexuesi shqipfolës ky libër i rrallë.

Bindja ime është se libri juaj, i arrirë në formë dhe përmbajtje, patjetër kërkon nivel intelektual për ta kuptuar dhe shijuar. Me këtë nuk dua të them se nuk mund të asimilohet nga masa e gjerë e lexuesve. Përkundrazi, por ama kërkon një përqendrim të veçantë dhe patjetër një nivel mesatar e sipër për të kuptuar mesazhin e mrekullueshëm që transmeton.

Nga thellësitë  e shekujve kemi trashëguar atë thesar që të gjithë e quajmë mençuria popullore. Në këtë thesar bën pjesë edhe fjala e urtë: “I nginjuni nuk e beson të uriturin”.  Libri juaj më ka bërë të meditoj thellë, sepse në të kam gjetur vetveten,  jo në ato përmasa si Ndreci, por në mjaft përjetime, të cilat kanë lënë mbresa të pashlyeshme në jetën dhe formimin tim. Më ka bërë shumë përshtypje konsiderata juaj e jashtëzakonshme për gjeniun e letrave shqipe, të pazëvendësueshmin Kadare. Nuk ka mbetur që ta vlerësoj unë, një njeri i zakonshëm atë kolos, por u lumturova pa masë kur pena juaj e shquar e lakon me kaq respekt e dashuri këtë figurë të madhe të letërsisë mbarëkombëtare dhe botërore.

Madhështia e znj. Branka, e kësaj personalitete të shquar të kulturës franceze dhe ballkanike qëndron edhe në faktin se ajo qe e para në Paris që me përzemërsinë e saj karakteristike, i hapi derën çiftit të mrekullueshëm Kadare, në vitin ‘90, kur iu desh të bënin atë hap vigan kundër diktaturës. Jashtëzakonisht më bëhet qejfi që edhe sot e kësaj ditë ata mbajnë raporte  për t’i pasur zili cilado sferë shoqërore, duke shtuar këtu edhe miqësinë e sinqertë midis jush.

Siç jeni i informuar, hobi im është përkthimi, se sa ia kam arritur atë le ta gjykojnë lexuesit. Ndihem shumë i nderuar për vlerësimin e lartë të bërë nga znj. E. Kadare edhe nga ju për përkthimin e librit të mrekullueshëm të znj. Branka, “Biseda në Paris”. Me shaka, znj. Elena i thashë: “Vlerësimi juaj i përkthimit të këtij libri për mua është baras me çmimin Nobel”.

Gjithashtu do të ndihesha shumë i nderuar nëse gjeni kohë të lexoni librin tim “Copëza jete” (në të do të gjeni edhe artikullin tim në mbrojtje të gjeniut të letrave, z. Kadare), të cilin po ia bashkëngjis këtij mesazhi, mbase pakëz të tejzgjatur, por që shpresoj se nuk do të ma merrni për të keq.

Ju uroj shëndet dhe të gjitha të mirat Juve, familjes suaj dhe zonjës së madhe Branka Bogavac. Paçi gjithnjë suksese në krijimtarinë tuaj të vyer.                        

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat