Aktivitetet kulturore si “humanitet”

Kultura

Aktivitetet kulturore si “humanitet”

Më: 14 prill 2022 Në ora: 11:58
Ilustrim

Në bazë të analizave sipërfaqësore (sepse analizat e thella janë tepër dëshpëruese) mbi motivin e shqiptarëve të viseve etnike, me theks të veçantë, të Maqedonisë së Veriut, për të themeluar “vatra kulturore”, mund të arrihet fare lehtë te përfundimi: dy janë motivet që “i ngacmonin” shqiptarët që të merren me “aktivitete kulturore” përgjatë kësaj periudhe të tranzicionit postkomunist! E para, t’i gëzohemi lirisë me kulturë që na e injektonin të tjerët dhe, e dyta, t’i ndihmojmë të tjerët për të ardhur më lehtë te buxheti i konsoliduar për kulturën e tyre!

Çka do të kenë sot shqiptarët e këtij vendi pasi të përfundojë decentralizimi i tërësishëm i kulturës, i institucioneve nacionale, i objekteve kulturore? Çka do të përfitojnë nga ky decentralizim zonat shqiptare, komunat të cilat, kryesisht janë rurale dhe pa kurrfarë infrastrukture kulturore!

Çka bënë të tjerët? Formuan shoqata të ndryshme, asociacione, zhvilluan industrinë kreative, zhvilluan platforma digjitale kulturore, formuan institucione dhe zinxhirë institucionesh kulturore digjitale (muze, galeri, festivale letrare etj.) Tërë ky angazhim kishte për qëllim ruajtjen e traditës së bashkëpunimit të një “familje më të madhe” të cilën e ndau politika! Me këtë hap, kultura institucionale po sfidohej nga kultura alternative më e organizuar, më e entuziazmuar, më avangarde dhe më e suksesshme si dhe me financa vetanake që po akumuloheshin nga thithja e fondeve të ndryshme vendore e ndërkombëtare. Natyrisht, fondet ndërkombëtare ishin të kushtëzuara me përfshirje të artistëve e krijuesve nga më shumë komunitete etnike në kuadër të komunës, shtetet, ndërkohë që buxhet më të madh sillte bashkëpunimi ndërkombëtar i “komuniteteve kulturore”! Janë të bollshëm ata krijues e “organizata kulturorë” të shqiptarëve vendorë të cilët shkriheshin nga lezeti duke marrë pjesë nëpër aktivitetet kulturore maqedonase apo ndërkombëtare, duke fituar ndonjë mëditje, ndërkohë që “aktivizimi” i tyre sillte buxhet të majmë për asociacionet kulturore maqedonase! Janë të shumtë nga ata krijues e artistë që shërbenin si lidhje me artistë, krijues a asociacione kulturore shqiptare nga Kosova e Shqipëria dhe, në të tilla raste, i vetmi “aktivitet kulturor” i tyre ishte përkthimi nga maqedonishtja në shqip dhe anasjelltas.

Pati edhe nga ato shoqata kulturore, nga ata krijues e artistë me “dinjitet kombëtar” të cilët, u angazhuan në kulturë vetëm sa për ta marrë atë copë të kekut që u takon shqiptarëve në kulturë! Pa dyshim, ky ishte motivi, duke mos kuptuar asnjëherë se, me këtë qasje prej lëmoshëtari, shqiptarët vetëm sa po ndikonin që qeveritë nacionaliste maqedonase të shpërfaqeshin si “etni humanitare” që ndihmon kulturimin e një pakice tjetër (e cila në Kushtetutë njihet me emrin “20%”) me të cilën bashkëjetojnë! Sot, shqiptarët e Maqedonisë së Veriut kanë tri teatro kombëtare (në Shkup, Tetovë dhe Gostivar) si dhe një njësi teatrale në kuadër të një shtëpie për kulturë (në Kumanovë) dhe, tërë repertori i tyre vjetor është sa i një teatri nacional maqedonas. Është çështje më vete ajo se sa këto teatro shqiptare kanë arritur të krijojnë identitet të tyre kombëtar e kulturor!

Shikuar nga ky prizëm, deri më sot askush nuk e tha një fjalë rreth asaj se sa artistët dhe krijuesit shqiptarë, sa shoqata, asociacionet e “aleancat” kulturore, sa manifestimet e festivalet kulturore shqiptare në Maqedoninë e Veriut, ia dolën që të zhvillohen me identitet e dinjitet, me fuqi të pathyeshme karshi politikave shtetërore për zhvillim kulturor! Kjo fuqi nuk arrihet pa një identitet të fuqishëm kulturor, të cilin e mundëson vetëm jeta institucionale kulturore. Nëse jo shteti, atëherë le të përfundojmë: cila platformë partiake shqiptare e shprehu qartë përcaktimin politik-kombëtar për ta zhvilluar dhe forcuar identitetin kulturor të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut? Fatkeqësisht, nuk ka! Ato pak “suksese partiake” që janë arritur në këtë aspekt më tepër kanë qenë si marrëveshje gojore me “partnerët” qeveritare dhe për këto marrëveshje nuk ka asnjë dokument të shkruar, sepse mungon vizioni konkret në letër në të cilën do të thirrej për një marrëveshje me shkrim që do të ngelet si dokument i dalë nga platforma politike në sferën e kulturës. Gjithnjë nga shqiptarët, në të gjitha sferat është kërkuar pak mirëkuptim, më shumë qasje humane sepse, në të kundërtën, do të shpërthejë nacionalizmi, në rastin konkret, i artistëve dhe krijuesve maqedonas! Madje, as këtë urrejtje nacionale të segmenteve të gjëra maqedonase kundër kulturës shqiptare nuk ditëm kurrë ta kapitalizojmë kulturalisht. /HEJZA/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat