Rrëfim për hënën e vendlindjes dhe njerëzit që ke pranë

Kultura

Rrëfim për hënën e vendlindjes dhe njerëzit që ke pranë

Nga: Ndue Dedaj Më: 18 prill 2022 Në ora: 09:20
Kopertina e librit

Panajot Boli qysh në fillimet e krijimtarisë së tij letrare, dyzet vite më parë, ka sjellë hënën e vendlindjes dhe metaforën e Bistricës në poezi e tregime dhe realitetin e saj jetësor në shkrimet publicistike. Ai është një autor që shkruan në dy gjuhë, shqip dhe greqisht. Prej tij kam dëgjuar për herë të parë për gezetën e minoritetit grek në Shqipëri “Llaiko Vima”, kur ishim bashkë studentë në Shkodër dhe ai i shkruante kësaj gazete.

Kohë më parë më erdhi me postë libri i tij i fundit “Sonte hëna”, me tregime dhe skica, që ishte një befasi. Jo se nuk e njihja narrativën e tij, ashtu si dhe poezinë, por një tufë tregimesh të mbledhura bashkë të bëjnë ta krijosh më të plotë mendimin për prozën e shkriftë, tërheqëse dhe komunikuese të Bolit. I lexova me kënaqësi dhe i shijova tregimet e këtij libri të shkruar me dashuri në çdo germë. Diku madje gjeta dhe veten si “personazh” mes miqve të tjerë bashkuniversitarë, si Ligori, Gëzimi, Ridvani, Zana, Banushi etj., teksa Panajoti i ishte rikthyer kujtesës së dyzet viteve më parë, kur ai do të njihte Veriun nga afër deri në Theth. Një tjetër stacion interesant për nga prurja e rrëfimeve të tij është Librazhdi ku autori do të shërbente si mësues në fillimet e veta në këtë profesion. Pastaj, natyrisht, që pjesën më të madhe të tregimeve e zë vendlindja, që ai e ka poetizuar me fisnikëri. Hëna në këto rrëfimë është një metaforë e gjetur, që të ndriçon dhe ty si lexues kudo që ndodhesh, ashtu si në Jugun magjepës nga e vështron autori. Meritë e këtij krijuesi është se ai nuk kërkon asgjë artificiale në prozën e tij, por ndjehet mirë kur rrëfen ndodhi të “vogla” nga përdishmëria njerëzore e provincës, duke krijuar një përjetim të bukur te lexuesi. Është një rrëfim mjeshtëror, me fraza të shkurtëra, fabula jetësore të arrira artistikisht dhe thuajse gjithëhere përmes një humori të këndshëm, veti e karakterit dhe e stilit të tij. Portreti i gjyshit është skalitur me origjinalitet në dy tregime (ashtu si dhe në ndonjë poezi), një “roman” gjithë muzë ku nipi e gjyshi marrin e japin mes tyre, njëri i qeshur e tjetri disi i vërenjtur, kur po ndaheshin dy botë, dy kohë.

Disa nga tregimet që të mbetën në mendje janë “Usta Dani”, “Fli, zogëza ime, fli”, “Trëndafili i bardhë”, “Motra e shokut”, “Tulla” që dallohen për fabulën, detajet, lirizmin, apo “Kazanët e rakisë”, “Prralli i moçëm dhe deputeti”, “Diversanti” etj., për sarkazmën e fortë, talljen me dukuri të së djeshmes dhe të sotmes. Autori është i dhënë pas temave bashkëkohore, por ai trajton ndonjëherë dhe motive nga e kaluara e largët, si në tregimin epik “Haraç i hidhur”.

Një veçori e stilit të tregimtarit poet, apo poetit tregimtar është tërheqja ndaj groteskes, ironikes, me anë të së cilës fshikullon vese dhe sjellje të qortueshme, pa bërë moral e aq më tepër pa rënë në moralizim.

Përmes tufës së skicave në libër sillen motive lirike, shpesh si proza poetike, ndër to dhe “Sonte hëna”, që poetizojnë vendlindjen e autorit dhë fëmijërinë e tij, apo vizatime e pikturime me penelata të shpejta nga jeta prej mësuesi e autorit, por dhe katër skica nga blloku i shënimeve për “pranverën e ngrirë” të vitit 1997 etj. Ai tregon se si e pa hënën të dilte për të larë me magjinë e saj fshatin e tij, këtë “kështjellë” që quhet Velahovë, e cila “nisi të m’i ç’mështjellë kujtimet...”

“Fqinja ime e çuditshme” është njëra nga skicat letrare më të spikatura të Panajot Bolit, që do të kishte hije të përfshihej në librat shkollorë, për të treguar se mirësia, fisnikëria dhe dashuria njerëzore nuk njeh kombësi, shtete, kufij dhe sidomos kurrëfarë dasije etnike. Protagonisti i skicës është një diplomat grek, që në vegjëlinë e tij koleksiononte, në një album vetjak, flamujt e shteteve dhe ishte “munduar” jo pak derisa kishte gjetur në një çokollatë flamurin Shqipërisë (që ishte dhe “fqinja e çuditshme”) me të cilin tashmë niste albumi: Albania, Argjentina etj. dhe ku jo rastësisht ai djaloshi nga Pogoni i Greqisë vjen diplomat mes shqiptarëve, si për ta shijuar deri në fund magjinë. Skicë interesante është dhe ajo më titull “Një italiane mbi bunker”.

Autori në këtë libër të sinqertë, me humor fin, sjell një varg rrëfimesh plot mendim e ndjesi të bukura për njerëzit që e rrethojnë e tërthorazi dhe për vete, por pa thënë asnjëherë “unë”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat