Ata që dinë të lexojnë e nuk kuptojnë!

Kultura

Ata që dinë të lexojnë e nuk kuptojnë!

Nga: Hejza Art Më: 13 maj 2022 Në ora: 09:37
Foto ilustrim

Analfabetët funksional realisht i kemi kudo: në shkolla, në fakultete, në politikë, midis profesorëve universitar, të atyre të shkollave të mesme, midis arsimtarëve të shkollave fillore. I kemi edhe në administratën shtetërore, në institucionet kulturore, midis aktorëve, midis “shkrimtarëve”, “analistëve”, gjithandej. Një armatë e tërë, për të cilën askush nuk çan kokën.

Po kush janë analfabetët funksional. Janë ata që nuk kanë aftësi për t’i kuptuar dhe zbatuar njohuritë e marra përmes leximit. Me fjalë të tjera, dinë të lexojnë, por nuk kuptojnë se çfarë kanë lexuar.

Rreziku nga këta të fundit, analfabetët funksional ose modern, shikuar realisht, është më i madh se sa nga analfabetët klasik. Dhe tash mund të kuptojmë se përse mbi shoqërinë shqiptare ka pllakosur zymtësia.

Kjo gjendje erdhi si pasojë e keqpërdorimit të vlerave demokratike, i cili keqpërdorim prodhoi vetëm anarkinë si kod të papërgjegjësisë. Ky lloj analfabetizmi jo vetëm që ka shtrirje të gjerë, por është bërë produkt i një makinerie pa zot, ku të gjithë mendojnë se kanë të drejtë, se janë pikërisht ata që i kanë munguar shoqërisë shqiptare, prandaj lehtësia e “shpërthimit” të tyre drejt faktorizimit ka bërë që tashmë analfabeti funksional të bëhet edhe model i njeriut të suksesshëm.

Realiteti i këtillë dukshëm u reflektua edhe në lëmin e kulturës, ku sot, në rrafshin e vlerave, kemi një mishmash të vërtetë. Kështu, për shembull, kemi më shumë shkrimtarë se lexues, me shumë aktorë në skenë se publik në sallë, orë letrare të mëhallëve, “piktorë” që mendojnë se janë piktorë, promovime, në të cilat pesha e koktejeve mbyt peshën e veprës që promovohet e kështu me radhë. Ndaj, ç’mund të presim më shumë nga analfabetët funksionalë se sa përpjekje që përfundojnë si dështime.

Shkak i gjithë kësaj u bë degradimi i arsimit shqiptar, duke e shndërruar atë, pra arsimin, në vegël për përdorim të caktuar. Fatkeqësisht, arsimi shqiptar po e humb identitetin e vet dhe që moti është përjashtuar nga idealet e atyre mësuesve që tërë jetën e shkrinë për të nxjerrë breza sa më të arsimuar. Situata është alarmante në të gjitha nivelet, duke filluar që nga niveli parashkollor e deri te ai sipëror, ku studentët pothuaj nuk i nënshtrohen asnjë filtri. Të gjithë pranohen e regjistrohen, pavarësisht suksesit. Të thonë: paguaj dhe ec. Të tjerat dihen, por fatkeqësisht kalojnë në heshtje...

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat