Aman, ejani te ne!

Kultura

Aman, ejani te ne!

Nga: Hejza Art Më: 21 maj 2022 Në ora: 11:57
Foto ilustrim

Ka vite që muaji maj është bërë muaj i yrysheve të profesorëve të universiteteve, sidomos të atyre private, nëpër shkollat e mesme për t’i bindur maturantët që të regjistrohen në fakultetet e tyre, duke i joshur me lloj-lloj premtime.

Kjo praktikë, e cila në esencë nuk është aspak e mirë, duhet të marrë fund, ndërkaq propagandën e tyre këto universitete mund dhe duhet ta bëjnë përmes reklamave në mediume dhe rrjetet sociale.

Bindjet e tyre që t’i “joshin” maturantët për t’u regjistruar në këto institucione private, nuk janë bindje falas, por që kushtojnë shumë për buxhetin e mbi 90 për qind të familjeve shqiptare, sepse bëhet fjalë për shuma të majme që nevojiten për t’u regjistruar në një nga drejtimet e ofruara.

Tashmë është e qartë se gjithandej familjet shqiptare, për shkaqe të njohura, po varfërohen edhe më shumë. E gjithë e keqja vije nga shtetet tona, të cilat nuk marrin masa që të ndalojnë këto “imponime” të dhunshme dhe të lihen lirshëm secili ta zgjedhë ata që është më pak e dhimbshme.

Përvoja e deritanishme ka treguar se universitetet private në mënyrë të heshtur e garantojnë mbarimin e fakultetit dhe marrjen e diplomave. Mirëpo, kush mund ta garantojë cilësinë e atyre që diplomojnë!

Mbase, praktika ka treguar se shoqërisë shqiptare i është bërë një dëm i madh pikërisht në saje të këtyre universiteteve, të cilat pranojnë studentë pa ndonjë verifikim paraprak: mjafton të paguash, për fundin mendojnë ata që i marrin lekët.

“Prodhimi” i të diplomuarve në mënyrë serike, ka krijuar “inflacion të akademikëve”. Dhe jo rastësisht lindi edhe ajo barsoleta e famshme: “sikur ta dija se kaq lehtë merret diploma e fakultetit, do ta kisha mbaruar edhe të mesmen”.

Të gjithë e dimë se pse arritëm deri në këtë derexhe që është pasojë e mungesës së mekanizmave kontrolluese rreth përhapjes së diturive profesionale. Një ambienti i këtillë krijon mundësi reali që të përhapet edhe një lloj korrupsioni, pra shit-blerja e notave, dukuri kjo shumë herë e konstatuar.

Nëse vazhdojmë të ftojmë në stilin: “aman, ejani te ne”, atëherë shoqëria shqiptare në një të ardhme të shpejtë do të mbushet me analfabeti funksional, të cilët jo vetëm që do të jenë rrënues të sistemit të arsimit, por edhe devalvues të vlerave kulturore.

Ndërgjegjësimi sa më i shpejtë i faktorëve relevant për ta ndaluar këtë të keqe, bashkë me shtimin e përgjegjësisë për të krijuar një sistem sa më të avancuar të arsimit, duhet të jetë përcaktim i përhershëm i subjekteve që marrin pjesë jo vetëm në qeveri, por edhe në drejtimin e institucioneve private arsimore.

Ne kemi nevojë për kualitet dhe jo për kuantitet...

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat