Dy historitë me presidentin kinez Mao Ce Dun

Kultura

Dy historitë me presidentin kinez Mao Ce Dun

Nga: Ramiz Lushaj Më: 6 qershor 2022 Në ora: 09:17
Mao Ce Dun

Shpesh e kujtoj një histori të hershme, të viteve ’90, atëherit kur gazetari çam i gazetës kombëtare periodike “Kosova”, që asokohe botohej në Tiranë nga Shoqata me të njejtin emër, shkruante shenime nga salla e gjyqit rreth seancave gjyqësore ndaj Nexhmije Hoxhës në Gjykatën e Kryeqytetit, ku në një rast, qysh në titull të faqes së fundit, e ironizonte keqaz edhe Mao Ce Dunin, ish Presidentin e Kinës (1954-‘76).

Në seancën gjyqësore të rradhës, korrespondenti zyrtar në Tiranë i gazetës përditore “Zhemin Zhibao” (ma e madhja gazetë në Kinë, organ i PKK) ia mbrrini në sallën e gjyqit me gazetën “Kosova” në dorë. Ishte tejet i revoltuar, duke iu drejtue ashpër gazetarit të njohur, me të folme në shqip:

            -Ju e keni shkruar këtë shkrim, ku flisni keq për Presidentin Tim…

            -Po…-i tha gazetari i Tiranës, i gazetës “Kosova”.

            -Me këtë stilograf e keni shkruar…- e ripyeti për siguri, për ma shumë saktësi.

             Gazetari çam, i përndjekur politik, ia pohoi se me atë stilograf e kishte shkruar atë shkrim për Mao Ce Dunin, Presidentin e Kinës.

            -Mundet të ma jepni pak stilografin tuaj - iu lut gazetari kinez.

            Dhe…Ç’ndodhi?!

            Ai, gazetari kinez i “Zhemin Zhibao”-s ia theu në dy copë stilografin, duke i thënë:

            - Me këtë stilograf keni bërë gabim që keni shkruar për Mao Ce Dunin Tim. Nëse do të ndodh përseri…!

Kjo, historia e dytë, ka ndodhur bash aty, tek Rruga e Kavajës, në fillimvitet ’90, ishte një firmë botuese shqiptaro-kineze (shtypshkronjë), me një pronar kinez dhe me dy inxhinierë të njohur të tipografisë shqiptare. Edhe makinisti i shtypshkrimit ishte kinez, i besuari i aksionierit kryesor, bashkëkombas i tij.

Një gazetë e Tiranës, periodike, e majtë, e drejtuar nga një gazetar i njohur për “luftën poetike” ndaj Presidentit Berisha, kishte botuar formatmadh në faqe të parë ballinore një karikaturë (me tejkalime etike) të Presidentit të Shqipërisë.

Ai, makinisti kinez, tue i shtypë kopjet e para të saj për provë shtypshkrimi print, përgjatë kontrollit të cilësisë së shtypshkrimit, e sy-sheh karikaturën…

 -Ky është Presidenti i Shqipërisë, Presidenti i Juaj, edhe i imi se punoj në Shqipëri. Një botim me karikaturë të tillë të Presidentit nuk do ta shtypja as në vendin tim, po të ishte për Presidentin e Kinës.

Personeli shqiptar, përmes përkthyesit, i banë me dije se “Gazeta është e paguar për t’u shtypur në tirazhin e caktuar”, por askush nuk ia mbushte dot mendjen makinistit kinez të shtypshkronjës. Atij nuk i interesonte aspak fakti i pagesës monetare të gazetës, nuk joshej sadoqë të ishte shuma e lekëve, përballë ndërgjegjes, ideologjisë e traditës së tij politike kineze.

Dhe gazeta nuk u shtyp aty, se nuk e lejoi makinisti i shtypshkronjës, po diku tjetër, në një tjetër shtypshkronjë me pronar të vetëm shqiptar.

I përcolla këta dy shembuj kinez, por mund të sjellë të tillë shembuj historik e aktual edhe nga SHBA, edhe nga shtete të Ballkanit Perëndimor, por çështja/mesazhi përçohet edhe me këto dy histori kinezo-shqiptare.

PRESIDENTI META DHE TË TJERËT

M’u rikujtuan këto dy ngjarje të përjetueme prej meje, teksa masmedia të ndryshme, televizione, edhe kombëtare, gazeta, edhe të përditshme, portale gjithfarëshe gjithkund, i bajnë jehonë një akuze të një vrasësi me pagesë, i penduar i drejtësisë shqiptare, teksa lëshon akuza të pa provuara ndaj kreut aktual të shtetit, Presidentit Ilir Meta, si “i përfshirë (in)direkt në vrasjen e një pushtetari lokal në Laç (Kurbin)! Nuk është e para herë që sulmohet kësisoj, me këto mjete e akuzime, Ilir Meta, pasi ka ndodh edhe kur ishte kryeparlamentar i Shqipërisë, ka ndodh para se të bëhej President, po ndodh dhe tani që po ikën nga Presidenca e, me sa duket, po e rimerr postin politik të mëparshëm, të një partie që nuk e kam votue ndonjiherë dhe nuk kam ndonjë dëshirë të jem antarë i saj.

Çështja është dhe mbetet tek dy dukuri/fakte që ndodhin në historinë tonë të shtetit të ri shqiptar (!) E para, se me çdo kusht, mjet e mënyrë, duam ti bajmë “kriminelë” (ti kriminalizojmë) drejtuesit e shtetit shqiptar (të djathtë apo të majtë, nga Ahmet Zogu tek Sali Berisha e, tashti dhe Ilir Meta) duke iu adresuar/shigjetuar/paketuar akuza të pa provuara institucionalisht nga sistemi i drejtësisë shqiptare apo ndërkombëtare e ma së shumti të një natyre politike e mediatike. Kjo, kryesisht me praktikën e dizinformimit publik “fol shumë për me mbetë pak” dhe për diskriminimin politik e popullor të figurave të larta të shtetit shqiptar.

Dikur, nja 98 vjet ma herët, Ahmet Zogu u akuzua nga klane politike të kohës së atëherit në Shqipëri e jashtë saj, për vrasjen e dy turistëve e biznesmenëve amerikanë Robert Coleman dhe George De Long në Mamuras të Kurbinit të sotëm, ku në këto fajësime ndihmoi dhe politika e kundërshtarëve të Zogut, siç ishte në kohën Noliane në pushtet, por gjërat shkuan drejt qartësimit dhe Zogu rikthehet në pushtet, më 24 dhjetor 1924, me Triumfin e Legalietit, me bekimin amerikan e perëndimor.

E dyta, si mundet politika e masmedia shqiptare për me i besue e trumbetuar kaq fort e kaq shumë një rrëfimi/akuze të një “vrasësi me pagesë”, të “një të burgosuri kriminel, i penduar i Drejtësisë” që të kriminalizojnë kësisoj politikën shqiptare dhe kreun e Shtetit Shqiptar?! Kjo nuk është çështje e Metës President dhe as nuk ka të bajnë me faktet se po sulmohet apo mbrohet Ilir Meta, por me çështjen madhore se ne, Shqiptarët, gjithsesi Shqiptarisht, nuk duhet të lejojmë që të “kriminalizohet” pa fakte e me akuza të tilla Politika Shqiptare ndaj figurave më të larta përfaqësuese të Shtetit e Kombit Shqiptar, sepse të tilla akuza dizinformuese i lanë gjurmët e veta, aqsa edhe tashti, ndonëse ka kaluar rreth një shekull Ahmet Zogu paraqitet deri vonë dhe në tekste mësimore me akuza të tilla të paprovueme juridikisht e të shpikuna nga sisteme e klane politike për denigrimin e tij si burrështetas i lartë.

Këta dy shembujt e Kinës për Presidentin e tyre Mao vërtetë nuk janë “maosi” që të na çojnë drejtpërdrejt në shembëllime politike e praktike dhe në Shqipërinë tonë, por e përcjellin mesazhin e qartë se ne, Shqiptarët duhet të tregojmë vëmendje e kujdes nga akuza të tilla si “kriminelë” e “tradhtarë” ndaj figurave të larta politike, pasi këto ngjitin shumë në popull e në politikë dhe i lanë gjurmët e veta të pa-mira në historinë politike e kombëtare panshqiptare. Kjo nuk është çështje emrash të përveçëm të krerëve të lartë të shtetit shqiptar, po gjithsesi ka të bajnë direkt me historinë kombëtare shqiptare, me edukimin e breznive të reja kombëtare shqiptare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat