Çdo fëmijë është një individ unik

Kultura

Çdo fëmijë është një individ unik

Nga: Prof. Dr. Teuta Bicaj. Më: 8 qershor 2022 Në ora: 20:17
Prof. Dr. Teuta Bicaj dhe shkrimtari Lekë Imeraj

T. Bicaj: Z. Imeraj, Ju keni shkruar dhe përkthyer mbi 25 libra, kryesisht profesionalë, nga fusha e psikologjisë dhe filozofisë. Ndër të tjerë, Ju, me bashkëshorten tuaj keni bërë edhe një Fjalor Foljor, gjermanisht-shqip, me 2000 folje në kontekst, një vepër e panjohur në leksikologjinë shqipe.

Urime të përzemërta!

Unë sapo lexova librin tuaj profesional, me titull: „Ne nuk jemi më fëmijë“. Aty është bota e adoleshencës, pubertet, dashuri, sex, partneritet, dhe shumë të tjera. Dëshiroj ta hap këtë bashkëbisedim, duke iu referuar librit tuaj. Si e mendoni botën fëminore?

L. Imeraj: Për mendimin tim, çdo fëmijë, do të thotë qenie njerëzore e veçantë dhe e papërsëritshme. Asnjë fëmijë nuk mund të njësohet me një tjetër. Që në vitin e parë të jetës, fëmija është një personalitet i veçantë, dhe jo më vonë se dy vjet nga mosha e tij, fillon ndërtimin e individualitetit të vet. Aftësitë e tij individuale dhe veçoritë e sjelljes, zhvillohen vazhdimisht, dhe bashkë me moshën e tij. Më e mira që mund të bëjmë ne të rriturit është: Ta pranojmë fëmijën ashtu siç është. Respektimi i individualitetit të tij, që në ditët e para, është gjëja më e rëndësishme në komunikimin me fëmijën.

T. Bicaj: Në librin tuaj “Ne nuk jemi më fëmijë”, ndër të tjera, ju keni sqaruar se, zhvillimi i fëmijëve, është shumë individual. Psh. Fëmijët fillojnë të flasin në mosha të ndryshme. Disa shumë shpejt, në moshën 10 deri në 12 muajshe, të tjerë në moshën 24 apo 30 muajshe. Është me interes që të na thoni diçka në lidhje me pasojat që sjellin këto ndryshime, sidomos në aspektin shkollor. I referohem arsimit, ngaqë keni eksperiencë të pasur në jetën akademike.

L. Imeraj: Veçoritë individuale të fëmijëve, janë bazamenti mbi të cilin ndërtohet personaliteti i tyre, shumë i ndryshëm nga njëri-tjetri. Kjo ndodh gjatë kohës së rritjes së tyre. Nëse një mësuese, ka një klasë me 30 nxënës të moshës 6 vjeç, megjithëse të gjithë janë të një moshe, ajo e vë re fare thjeshtë, ndryshimin midis tyre. Ndryshimi është aq i madh, sa të duket sikur diferenca e tyre në moshë, është deri në 3 vjet, ndoshta edhe më shumë. Ka fëmijë të cilët, në moshën 6 vjeçare, kanë një zhvillim të avancuar, ua kalojnë atyre të moshës 8 apo nentë vjeç. Ata dinë të lexojnë dhe llogarisin. Mërziten në klasë me ata “të paditurit” dhe ato që tregon mësuesja. Ka të tjerë të cilët kanë mbetur prapa, të ngjajnë me ata të moshës 4 apo 5 vjeçare. Kjo diferencë vazhdon për disa vite. Në moshën 13 vjeçare, kjo diferencë thellohet aq shumë, sa të duket sikur kanë 6 vjet diferencë moshe. Grupet e djemve, në krahasim me vajzat moshatare të tyre, duket sikur kanë një vit e gjysmë diferencë moshe. Kjo diferencë zhvillimi, për prindërit dhe mësuesit, do të thotë shumë. Shumë punë dhe shumë përgjegjësi.

T. Bicaj: Krahas kësaj, do shtoja që, individualiteti i fëmijëve, është shumë i theksuar, në programin e të mësuarit. Disa fëmijë janë të etur për të nxituar dhe të provojnë përvoja të reja, të tjerët janë më të ngathët; disa kanë nevojë për miratim dhe inkurajim të të rriturve, ose mund të jenë të shqetësuar dhe nuk kanë besim në aftësinë e tyre. Vazhdimisht ndodh që, prindërit dhe mësuesit, çuditen për faktin se, dhuntitë e fëmijëve, janë aq të ndryshme. Psh. dikush është i mirë në gjuhë, por i dobët në matematikë, ose e kundërta. Si e shpjegoni këtë?

L. Imeraj: Eshtë punë e aftësive individuale. Kjo vihet re jo vetëm te fëmijët, por edhe tek të rriturit. Fëmijët, janë shumë të ndryshëm, për nga aftësitë individuale. Secili ka një kuotë të caktuar inteligjence. Faktorët që e përcaktojnë kuotën e inteligjencës te fëmijët janë, ai biologjik (trashëgimia), dhe mjedisi. Shumë psikologë, këta faktorë i mendojnë 50 me 50. Ka të tjerë që mendojnë se faktori mjedis, ka shumë më tepër rëndësi. Kur mendojmë mjedisin, në radhë të parë, duhet menduar varfëria. Psikologët francezë, Christiane Capron dhe Michel Duyme, u morën për disa vite me radhë, me testime dhe eksperimentime, për të vërtetuar ndikimin e varfërisë mbi shkallën e zhvillimit të inteligjencës tek individi. Ata, si objekt të eksperimentimit, zgjodhën fëmijë të adoptuar. Kryesisht fëmijë me prejardhje nga familje të varfëra, por të adoptuar nga familje të pasura. Gjithashtu ata eksperimentuan edhe me faktin se, çfarë ndodh me fëmijët e familjeve të pasura, kur adoptohen nga të varfërit. Hulumtimet e gjata i çuan ata në konkluzionin se, fëmijët e familjeve të pasura, në të gjitha rastet kishin një kuotë më të lartë të inteligjencës, se ata të familjeve të varfëra. Konkluzioni i dytë ishte se, rrethanat sociale dhe ekonomike të familjes adoptuese, ushtrojnë një influencë të madhe, mbi intelektin e femijës së adoptuar. Fëmijët e familjeve të pasura, të adoptuar nga familjet e varfëra, mesatarisht kishin një kuotë të inteligjencës prej 107, 5 pikësh. Fëmijët e familjeve të pasura, të adoptuar nga familje të pasura, kishin kuotën e inteligjencës 119, 6 pikë. Siç shihet, ndryshimi prej 12 pikësh, është i konsiderueshëm. Kjo tregon se mjedisi ka një ndikim shumë të madh në zhvillimin apo moszhvillimin e inteligjencës. Dhe kryesisht varfëria. Mjerisht, te ne, nuk ka as studime dhe as statistika të mjaftueshme për kuotën e inteligjencës së fëmijëve. Ne merremi me politikë, dhe jo me shkencë. Kështu siç drejtohet kombi ynë, edhe për shumë dekada, do të mbetet “Botë e Tretë”. Jemi populli më i varfër në Europë. Kjo do të thotë që, rinia jonë, është me kuotën e inteligjencës më të ultë në Europë.

T. Bicaj: Duke pasur parasysh veçoritë indiividuale dhe nivelin e ndryshëm të inteligjencës te fëmijët, ka mendime, se të mësuarit duhet të jetë individual. Diversiteti që sjellin fëmijët në mjediset e tyre është një mënyrë tjetër në të cilën duhet të njihet individualiteti i tyre. Duke iu referuar librit tuaj “Ne nuk jemi më fëmijë”, besoj se ndani të njëjtin mendim?

L. Imeraj: Ai që nuk e pranon shumëllojshmërinë e personaliteteve, tipeve dhe karaktereve të fëmijëve, gabon. Dy fëmijë nuk janë, dhe nuk zhvillohen kurrë njëlloj. Edhe nëse janë binjakë njëvezor. Nëse në klasën e dytë të fillores, një nxënës mund të numërojë vetëm deri në dhjetë, ndërsa një bashkëmoshatar i tij deri në njëmijë, nëse njëri lexon libra, ndërsa tjetri nuk e ka mësuar akoma alfabetin, mësuesi nuk duhet ta injorojë këtë diferencë të madhe niveli midis nxënësve. Një individualizim i të mësuarit është i nevojshëm, dhe jo utopi. Si mund të bëhet!? Eshtë një problem që merr shumë diskutim. Duhet mendimi i kualifikuar, i mësusit dhe psikologut. Por, jo vetëm. Duhet dora, mendja dhe fuqia e shtetit.

T. Bicaj: Zhvillimii fëmijëve është kompleks, i ndryshueshëm dhe shpesh i paparashikueshëm. Megjithëse ekzistojnë disa faza të njohura, fëmijët nuk zhvillohen domosdoshmërisht, sekuencialisht nëpër faza, dhe mund të jenë më të përparuar në disa fusha dhe më pak në disa të tjera. Më intereson të njihem me konceptimin tuaj në lidhje me këtë zhvillim të ndryshëm edhe midis fëmijëve, edhe te çdo fëmijë?

L. Imeraj: Individualiteti i fëmijëve zhvillohet nën ndikimin e tri proceseve: Të zhvillimit fizik, motorik dhe mendor. Këto tri procese, pavarësisht se i përjetojnë të gjithë fëmijët, janë individuale, për secilin dhe te secili. Zhvillimi fizik është shumë i ndryshëm. Një gjë e tillë, ndikon edhe në zhvillimet tjera te fëmija. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për zhvillimin motorik. Disa i vendosin shumë më shpejtë kontaktet me mjedisin, botën që i rrethon, ndërkohë që të tjerët vijnë me vonesë. Një mësues profesionist, mund të kuptojë fare lehtë, ndryshimin midis një nxënësi nga qyteti, dhe tjetrit nga fshati. Procesi motorik, tek ai i qytetit, është zhvilluar në kontakt me kohën dhe mjedisin. Për atë, në klasë, ka shumë pak të panjohura, nuk druhet. Ky proces, te nxënësi nga fshati, është zhvilluar „brenda katër mureve“. Për atë ka shumë të panjohura, druhet shumë, ose „shpërthen“ në drejtim të paditur. Po kaq i ndryshëm është edhe zhvillimi mendor, kuota e inteligjencës.

Me kalimin e fazës së pubertetit, këto tri procese, mendohet se kanë përfunduar. Zhvillimi fizik, motorik, dhe i ashtuquajturi inteligjenca fluide, kanë arritur pikën më të lartë. Inteligjenca kristaline dhe personaliteti, vazhdojnë për shumë kohë të zhvillohen. Këto procese janë biologjike, zhvillohen në mënyrë natyrore, te çdo fëmijë. Që ato të zhvillohen në mënyrë sa më të suksesshme, duhen plane dhe programe mësimore, të kualifikuara.

T. Bicaj: Duke qenë se individualiteti dhe diversiteti kanë ndërlikime në planifikim, është e rëndësishme që planet të jenë të një natyre ‘të arsyeshme’, për t‘iu dhëni të gjithë fëmijëve mundësi, që të kenë qasje në mënyrë të barabartë. Por kjo është e vështirë për tu arritur, duke patur parasysh edhe ndikimin mjedisor në të cilin ata rriten dhe edukohen. Cili është mendimi i juaj për këtë?

L. Imeraj: Është e qartë që ndryshueshmëria midis fëmijëve, me siguri që ndikohet shumë nga mjedisi. Kur themi mjedisi, kam parasysh familjen, shkollën, shoqërinë, median. Mjedisi është shumë heterogjen, nga përbërja sociale, pokitike, kulturore, fetare, krahinore. Ky është mjedisi ku rriten fëmijët tanë sot. Fëmijët nuk i shpëtojnë dot këtij heterogjeniteti të pakontrolluar. Sipas psikologut amerikan, Albert Bandura (1925-2021), sjellja e keqe është rrjedhojë e të mësuarit të gabuar. Agresioni, është shpërblim i të mësuarit të zgjidhjes së konflikteve, me dhunë. Kjo vjen nga prindërit, shkolla, shoqëria dhe media. Eksperti kriminolog gjerman, Hans-Ludwig Kroeber (1951), thotë se, 70 deri në 80 përqind e kriminelëve janë rritur në familje të dhunshme, të desocializuara. Megjithatë, shumëllojshmëria e tipave dhe karaktereve të fëmijëve, kryesisht, gjendet brenda tyre. Kudo që të rriten, kjo shumëllojshmëri mbetet. Mjedisi është faktori kryesor, nxitës dhe frenues, në programimin natyror të njeriut.

T. Bicaj: Faktori thelbësor është vëzhgimi sistematik, i kujdesshëm i cili siguron njohuri të plotë të veçantisë së secilit fëmijë. Dhe respektimi i mënyrave individuale dhe të ndryshme në të cilat fëmijët zhvillohen dhe mësojnë, është një nga gëzimet e punës në vitet e para! Sa e rëndësishme është njohja e veçorove individuale të fëmijëve?

L. Imeraj: Mjeti kryesor për edukimin e fëmijës, është njohja e veçorive individuale të tij. Principet bazë, për edukim janë nxitja dhe frenimi. Këto janë rezultative, vetëm në rastin kur njihen me themel, veçoritë individuale të fëmijës. Kjo njohje, nuk arrihet aq lehtë. Duhet një partneritet i fortë me prindërit, mësuesit dhe psikologët. Duhet mendimi i kualifikuar, i mësusit profesionist dhe psikologut. Fëmijët duhet të mbrohen nga ideologjizimi politik dhe fetar. Unë kam qenë dhe jam kundër pofesorëve politikë në shkollat tona. Qëllimi i tyre është popaganda politike, ideologjizimi politik, jo ardhmëria e fëmijëve dhe e kombit. Klerikët dhe institucionet e kultit, nuk kanë punë me edukimin e fëmijëve.

Shkolla jonë është laike, jo fetare. Besimi është individual, dhe gjithsecili e zgjedh vetë atë, gjatë jetës.

T. Bicaj: Duke pasur parasysh veçoritë individuale të fëmijës, dhe faktin se ai nuk „duhet“ të jetë i aftë për të gjitha lëndët që mësohen në shkollë, a mendoni se do t’ishte më mirë që sistemi shkollor i vendit tonë, që në klasët e ulëta, të bëjë ndarjen e fëmijëve në drejtime apo klasa, sipas aftësive dhe prirjeve që ata kanë për një lëmi të caktuar?

L. Imeraj: Të gjithë fëmijët duan mbështetje, pa përjashtim. Fëmijët me dhunti të veçanta, ose ata talent, duan mbështetje të veçantë. Kjo mbështetje e veçantë, nuk mund të arrihet nga prindëritt dhe as nga mësuesit. Kjo ndërtohet nga shteti, me shkolla elitare të inteligjencës dhe mbështetje ekstra financiare. Një politikë që mendon të ardhmen e kombit, gjithmonë i mban sytë në bankat e shkollës. Në Gjermani, vetëm në Republikën Hesen (6,29 mln banorë), ka 90 shkolla speciale, për fëmijët e talentuar, të inteligjencës elitare. Aty shkollohen fëmijët talent, nga të gjitha fushat.

Nëse fëmijët talent, nuk diferencohen në shkolla dhe programe, nga ata të zakonshëm, janë të rrezikuar. Një nxënës i cili në programin mësimor, është tri apo katër vjat para bashkëmoshatrëve të vet, nuk ka asnjë lidhje me klasën ku ai ndodhet. Ai është në kohën dhe vendin e huaj. Ai vuan shpirtërisht dhe psikikisht. Ai mendon dhe sillet krejt ndryshe nga bashkëmoshatarët e vet. Bëhet objekt kritikash dhe sulmesh, nga prindërit dhe mësuesit. Në shumë raste përfundon te mjeku psikiatër, dhe mjekohet me qetësues. Brenda tij, vdes talenti.

T. Bicaj: Nga këndvështrimi psikologjik, nëse prindërit dhe mësuesit do jenë të vetëdijshëm për nevojat dhe rrethanat individuale të secilit prej fëmijëve, mënyrën se si ata mund t’i afrohen ndonjë përvoje, dhe si ata mund të përgjigjen, atëherë do jenë në gjendje që të kontribuojnë në progresin e tyre: duke i bërë ata të jenë vërtetë unikë! Krahas kësaj, edhe shkrimtarë si ju, ndihmojnë në rrugëtimin e shëndetshëm të një fëmije. Faleminderit për bashkëbisedimin me vlerë dhe urime për librin: “ Ne nuk jemi më fëmijë”. Është një libër që ia vlen për t‘u lexuar nga të gjithë ata që janë të interesuar të njohin më mirë fëmijën.

L. Imeraj: Ju faleminderit juve dhe redaksisë së gazetës „Bota Sot“.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat