Vajzat vdesin para se të vijë vdekja

Kultura

Vajzat vdesin para se të vijë vdekja

Nga: Merxhan Jakupi Më: 12 qershor 2022 Në ora: 16:54
Merxhan Jakupi

Në dhomën e dhëndërisë ishte mbesa e tij dhe, pranë saj, një nuse e bukur, të cilën ajo e mbikëqyrte. Nusja qëndronte në këmbë si një statujë, e ngrirë, e pa lëvizur, ndërsa për krahu e mbante mbesa e Çaushit. Mbesa, para se ta linte vetë çiftin e ri, i shikoi drejt në sy me ngazëllim dhe e porositi Çaushin që të kishte kujdes se si do të sillej me këtë engjëllushë. Ajo pasi doli jashtë, Çaushi e mbylli derën. Nusja ishte e veshur me shallvare të kuqe, me shirita prej sermi, përpara e pas. Belin e kishte të hollë, që mbërthehej me të dy duart. Atë e kishte shtrënguar me një kollan prej argjendi. Qafën e kishte të gjatë e të lëmuar, të zbukuruar me një qostek ari dhe lira arabe. Duart e njoma dhe gishtat i kishte të lyera me kanë, ku spikatej unaza e madhe e arit në gishtin e fejesës të dorës së djathtë, si dhe byzylykët e arit në bërrylat e dorës, që i kishte dhuruar familja e Çaushit në raste festash. Çaushi mbante në dorën e djathtë unazën e fejesës, që i kishte ardhur bashkë me pajën e nuses.

Nata kishte hedhur krahët thellë në errësirë, ndërsa atë terr e shprishte llamba e vajgurit varur në mur, që dridhej si tepër e shqetësuar nga lëvizjet e ajrit në dhomë. Në një cep të dhomës ishte palosur për bukuri paja e nuses, e cila ishte përgatitur një kohë të gjatë.

Në dhomë mbretëronte një heshtje e padurueshme. Ishin ballë për ballë dy qenie njerëzore, të gjinive të ndryshme, që nuk ishin takuar kurrë në jetë dhe nuk njiheshin fare, por që ishin pajtuar me fatin apo fatkeqësinë për të jetuar së bashku deri në vdekje. Ishte një moment që zgjati sa një shekull, një zbrazëti shpirti, një thyerje zemre që shpresonte të këndellet, një dramë e vërtetë jetësore, një bashkim fizik për përmbushje epshesh biologjike, asgjë më shumë, për një vazhdimësi trashëgimie, për të mbajtur fisin dhe oxhakun gjallë.

Çaushi ishte ulur mbi shtrat. Ai ishte i vetëdijshëm për situatën në të cilën gjendeshin aty, brenda katër mureve. Ai ishte njeri që kishte parë botën edhe larg katundit të vet, kishte qëndruar në Stamboll njëzet vjet dhe kishte marrë një kulturë allaturka. Këtë martesë dhe këtë mbyllje në një dhomë me një vajzë të re e të brishtë, të pafajshme dhe engjëllore, për të ishte një katandisje e dhunshme dhe jo një martesë e natyrshme, e dëshirueshme. Hamendej për hapin e parë që do ta bënte, si të vepronte, si një shtazë pa ndjenja, apo si një njeri përplot me ndjenja humane, siç ishte deri atëherë në jetën e tij. E shihte këtë nuse si një viktimë e adeteve dhe e zakoneve prapanike, të vjetra e të dëmshme. Jeta kishte filluar të ndryshojë, nuk ishte si më parë, madje edhe në këtë malësi, në këtë katund larg qytetit dhe qytetërimit.

Derisa i kaluan këto mendime rrufeshëm nëpër kokë të Çaushit, nusja ende rrinte si statujë, në këmbë, pranë shtratit, duke pritur ekzekutimin. Ndonëse tashmë ishin të martuar, me të gjitha zakonet dhe traditat, Çaushit i dukej hapi i tij i mëtejmë si një veprim dhune, diçka e shtynte prapa, gojën e kishte të kyçur, nuk i dilte zë. Çaushi, më në fund, buzëqeshi dhe i tha nuses që të ulej pranë në shtrat. Ajo, edhe pse kishin kaluar do orë që ishin ndër një çati, nga turpi, ende s'e kishte ngritur kokën dhe ende s'e kishte parë fytyrën e dhëndrit, të burrit, më të cilin do ta kalonte jetën. Vetëm kur Çaushi u ngrit nga shtrati dhe shkoi kah dritarja të hedh një shikim në atë errësirë, nusja me bisht të syrit shikoi nëse mund ta shihte fytyrën se si dukej ky njeri i fatit të saj. Kur Çaushi ktheu kokën, vërejti se nusja e shikonte, ndërsa ajo u ndez në fytyrë nga ky gërshetim shikimesh. Asaj iu kujtua fëmijëria, kur vinte në shtëpi ndonjë i panjohur, fshihej pas skutaçes së nënës. Pikërisht për këtë shkak kishte nevojë që të fshihej diku, por tash ishte rritur dhe s'e kishte nënën pranë. Ajo nuk e ngriti më kokën me shikim nga dyshemeja, këmbët zunë t'i dridhen dhe atë nuk mund ta fshihte, sepse shallvaret bojë gjaku praronin pas çdo lëvizjeje të vogël.

Çaushi shikonte se si ajo merrte frymë të shpeshtuar, pulsi në qafë rrihte fuqishëm, saqë lëviznin edhe dukatet e varur përpara. Heshtja vazhdonte dhe bëhej gjithnjë e më shumë vrastare. Çaushi iu afrua me fjalët:

"Mirë se erdhe në këtë familje, s'duhet të frikohesh e të shqetësohesh, rehatohu, hidhe turpin mënjanë...", por, njëherësh, deshi ta thërrasë kushëririn që e bëri dhëndër, që ta sjellë kalin dhe të shkonte së bashku me nusen te prindërit e saj. Por u ndal, duke menduar se do ta zbulojë enigmën. Ai ishte një njeri i mençur, andaj kujtoi femrat në vendet e Lindjes, të cilat ishin më revolucionare dhe më rebele.

Çaushi mori kutinë, mbështolli një cigare dhe, duke shikuar nusen në sy, me dy gishta preku rreth buzëve tw saj, duke i thënë që të mos turpërohet dhe ta shikojë edhe ajo në sy. Çaushi, pastaj, pyeti me një zë të mekur se çka mund të bënte për te.

"Unë dua të të bëj të lumtur, ma thuaj të vërtetën...!

Në moment ajo ngriti kokën, duke shikuar Çaushin drejt në sy. I tha se i vinte turp të përgjigjej. Ai i tha që nuk dëshironte të jetë një dragua, se nuk është një njeri patriarkal e as autoritar.

"M'i trego sekretet tua, nëse i ke, nëse të kam marrë pa dëshirën tënde apo me dhunë...!

Nusja ngriti kokën dhe, atëherë, për herë të parë e kishte parë Çaushin, me një buzëqeshje skaj buzës së majtë. Çaushi ngulte këmbë që ta kuptonte të vërtetën:

"Nëse nuk e tregon të vërtetën, do të urdhërojë që t'i përgatitin kuajt për të shkuar te prindërit tuaj. Nuk duhet të frikohesh, unë nuk do të kërkoj fare ndonjë dëmshpërblim e as nuk do të hakmerrem. Madje do të të ndihmoj, nëse je i dashuruar me ndonjë djalë tjetër. Kam për të të dërguar dhe nuk do të kanosem, madje do të ngelim miq...!"

Nusja e Çaushit u ngrit në këmbë, por dukej që iu morën paksa mend dhe iu bë që gjysma e trupit i shkoi anësh. Papritur nisi të qajë, nuk arriti ta kapërdijë atë që e tha Çaushi, që ta kthente te prindërit.

"Ti, si duket, nuk i njeh traditat tona, qenke paksa i çuditshëm. A e di që kur më more nga prindërit e mi, në gjysmë të rrugës, babai im më tha - ti, tashmë, nuk je gjaku ynë, por je gjaku i huaj!"

Ishte e vërtetë se Çaushi nuk i njihte kodet dhe adetet e kësaj ane dhe familjet u përmbaheshin atyre kanuneve të egra. Ajo tha se nga dera e burrit mund të dalë vetëm e vdekur, duke e trashur zërin si të një burri.

"Babai im dhe xhaxhai që më mbanin për krahësh, kur më dorëzuan, më thanë - shko në derë të burrit faqebardhë e me nderë!", i tha këto fjalë dhe shtoi: "Tek ne ka një thënie - vajzat kur martohen, vdesin para se të vijë vdekja...!"

Atëherë, Çaushi u ngrit si i trullosur, duke e përsërit të njëjtën fjalë.

"E tash, më thuaj, çka do të bëhet me ty?"

"Çdo gjë ka përfunduar, unë më jam gruaja jote!"

"Po, si qenke ti gruaja ime kur nuk mund të të afrohem e as të të prek me dorë! Prandaj do ta respektoj vendimin tënd, por do të mbetemi vetëm miq deri në vdekje!"

Asaj sikur i erdhi fuqia.

"Pse po tregohesh kaq human dhe pacifist. Më dukesh sikur je një njeri i një race tjetër. Nuk i takon kësaj race!", tha ajo me dënesje.

"Mos qaj, të lutem!"

Nusja u kthye e u ul pranë Çaushit dhe i vendosi duart mbi të tija. Çaushi shikonte drejt në sy, ajo duke qarë tha:

"Mos më kthe në shtëpi, të lutem! Nëse më kthen, unë do të bëj vetëvrasje!"

Çaushi ishte i ngrysur dhe i trembur, deri atëherë nuk e kishte marrë seriozisht.

"Nuk të dërgoj, mos ki frikë!", i tha.

Çaushi e vështroi një çast, pastaj filloi ta përkëdhelë. Nusja, e pushtuar nga një guxim, kishte ndryshuar paksa mendjen. Nuk ishte si para disa orëve. Edhe ajo nisi të kthejë me përkëdhelje. Atëherë, Çaushi zuri t'ia zgjidhë bishtat. Nuk dëshironte ta lëndojë.

"Dua të të them diçka", i tha Çaushi. "Po qe se je e paprekur, s'po të preki as unë. Në këtë moment s'dua të të lëndoj në shpirt, që je kaq e bukur...!"

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat